Ballina Lajmet Kosovë E konfirmon BE’ja: Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon më 26 shkurt

E konfirmon BE’ja: Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon më 26 shkurt

Dialogu në nivel teknik mes Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë më 26 shkurt.

Këtë e ka konfirmuar Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësues së Lartë të BE-së, Federica Mogherini.

“Dua t’ju informoj se të dyja palët janë pajtuar që raundi i ardhshëm i bisedimeve të dialogut në nivel teknik të zhvillohet, në Bruksel, më 26 shkurt, për të diskutuar zbatimin e Marrëveshjeve të arritura në dialog”, ka thënë Kocijançiq për Kohën Ditore.

Pala kosovare e kishte konfirmuar edhe më parë se në fund të shkurtit dialogu do të vazhdojë.

Më 16 janar të muajit të kaluar, u parapa të mbahej një takim në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi pas më shumë se një viti pauzë, por megjithatë u anulua nga pala serbe. Shkak për këtë doli të jetë vrasja e liderit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Në delegacion pritej të merrnin pjesë Avni Arifi, Ardian Arifaj dhe Blerand Stavileci. Se kush do të marrë pjesë në bisedimet e radhës në fund të këtij muaji, mbase edhe mund të ndryshojë.

“Varet. Këta më lartë gjithsesi por varësisht nga temat mund të ketë edhe ekspertë sektorialë”, kishte thënë Arifi.

Së fundi edhe presidenti Thaçi ka thënë se Kosova e Serbia do të arrijnë marrëveshje për normalizim, për paqe dhe pajtim të qëndrueshëm ndërshtetëror.

Nga ana tjetër, në ditën kur Kosova vazhdon kremtimet e 10 viteve të Pavarësisë së saj, presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi se kompromisi me shqiptarët është me interes jetik për Serbinë dhe popullin serb.

“Por duhet të kemi parasysh që flitet për kompromis e jo zmbrapsje”, theksoi ai, duke nënvizuar se pozita e Serbisë është tejet e vështirë.

Exit mobile version