Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Edhe një dorëheqje nga Shtëpia e Bardhë

Edhe një dorëheqje nga Shtëpia e Bardhë

Hope Hicks nuk do të jetë më drejtoreshë komunkimi e presidentit Donald Trump. 29-vjeçarja ka paraqitur dorëheqjen nga posti, një ditë pasi u thërrit për të dëshmuar në kuadër të hetimit për Rusinë dhe pasi pranoi se kishte gënjyer në emër të presidentit. Kështu, ajo bëhet e katërta drejtoreshë e komunikimit në administratën Trump që largohet nga detyra.

Drejtoresha e katërt e Komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, Hope Hicks, është dorëhequr nga detyra. Një nga personat më të afërt dhe më të besuar të presidentit Donald Trump, ajo është gjithashtu edhe një nga ndihmësit e tij më jetëgjatë, teksa në 2015 u caktua zëdhënëse e fushatës presidenciale të republikanit. 29-vjeçarja raportohet t’i ketë thënë kolegëve se ajo kishte arritur të realizonte gjithçka kishte mundur në detyrën e saj si drejtoreshë e komunikimit. Presidenti Trump rezervoi fjalët më të mira për Hicks, të cilën e vlerësoi për kontributin e dhënë në 3 vite, për zgjuarsinë dhe maturinë.

Dorëheqja vjen vetëm një ditë pasi Kongresi mori në pyetje Hope Hicks, në kuadër të hetimit për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders, e cila komunikoi largimin e Hicks, deklaroi se ky vendim nuk kishte të bënte me daljen e saj para panelit. Ligjbërësit raportuan se 29-vjeçarja refuzoi t’i përgjigjej pyetjeve të tyre lidhur me administratën, ndërkohë që shtuan se Hicks kishte pranuar se herë pas here kishte gënjyer në emër të presidentit Trump.

Largimi përfundimtar i Hicks është ende i paqartë por pritet të ndodhë gjatë javëve në vijim. 29-vjeçarja e gjeti veten pjesë të një polemike që përfshiu ish-sekretarin e stafit në Shtëpinë e Bardhë, Rob Porter, me të cilin ajo kishte një lidhje romantike. Hicks u përfshi në mbrojtjen e Porter, pasi dy ish-bashkëshortet e tij ngritën akuza për dhunë në familje./Ora News

Exit mobile version