Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili po qëndron për vizitë në Prishtinë me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosova, e cilësoi si “lajm të zymtë” kërkesën e prokurorisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për dënimin me nga 45 vjet burg të katër ish-udhëheqësve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).
Komentet Rama i bëri gjatë promovimit të librit “Kur heshtja flet” nga Prof. Dr. Ahmet Shala, akademik dhe ish-ambasador i Kosovës.
“Lajmi i zymtë nga tribunali në Hagë mbi kërkesën absurde të prokurorëve për të dënuar me nga 45 vjet katër udhëheqësit e UÇK-së. E pata të vështirë të shkruaja një fjalë, sepse përballë një situate të tillë fjalët nuk janë aspak të lehta për t’u gjetur”, tha Rama.
Ai bëri krahasime me të dënuarit për krime lufte nga drejtësia ndërkombëtare, duke përmendur figura si Radovan Karagjiq dhe Ratko Mladiq, Stanislav Galiq, Milan Lukiq të dënuar me burgim të përjetshëm për krime të rënda, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë.
“Sot të dënuar nga ajo gjykatë janë Radovan Karagjiq që u dënua me burg të përjetshëm për një epokë të tërë terrori dhe spastrimi, Ratko Mlladiq po ashtu me burg të përjetshëm si fytyra e makinerisë së shfarosjes… Tani sipas kërkesës së prokurorisë së tribunalit në Hagë, këtyre të dënuarve do t’u shtohen edhe katër të tjerë, në anën tjetër të barrikadës”, u shpreh ai.
Rama zbulon “sekretin shtetëror”: Osmani u kërcënua për dy vjet pasi refuzoi bastisjen e zyrës së Presidencës nga Gjykata Speciale
Rama theksoi se, sipas tij, aktiviteti i krerëve të UÇK-së nuk ka asnjë lidhje me terror ndaj popullsisë civile apo me spastrime etnike.
“Nuk ka asnjë lidhje aktiviteti i tyre e as i UÇK-së me terrorin mbi popullsinë civile, spastrimin etnik, varret masive të njerëzve të pafajshëm apo me përdhunime e vrasje. Ata katër burra nuk u armatosën për të ndërtuar një politikë shfarosjeje, por kundër një politike shfarosjeje”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se, nëse kërkesa e prokurorisë do të konsiderohej e drejtë, atëherë përgjegjësia do të duhej të shtrihej edhe më gjerë, duke përmendur udhëheqësit perëndimorë që mbështetën ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.
“Në qoftë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi duhet të varrosen për së gjalli për luftën dhe për çfarë ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë, atëherë duhet të vazhdojnë arrestimet, të arrestohet Bill Clinton, Javier Solana, Tony Blair dhe kryeministrat e tjerë të vendeve që i dhanë dritën jeshile bombardimeve të NATO-s”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se vetë udhëheqësit e akuzuar kishin votuar në Kuvendin e Kosovës krijimin e kësaj gjykate.
“Faktikisht ata vetë me dorën e tyre e votuan në parlamentin e Kosovës një gjykatë e cila në letër është një gjykatë e Kosovës, nuk është një gjykatë për të vendosur në bankën e të akuzuarve Kosovën”, tha ai.
Rama përmendi edhe raportin e ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, duke e quajtur atë “raporti famkeq” dhe duke pretenduar se procesi aktual është vazhdimësi e një plani të hershëm politik.
“Sot jemi në kushtet kur ka marrë formë thuajse përfundimtare një plan shumë afatgjatë, jetësimi i të cilit ka nisur me raportin famkeq të Dick Martyt, që mos gjetë kurr prehje aty ku është, u shpreh ai.
Kryeministri shqiptar ngriti pikëpyetje edhe për rolin e drejtësisë ndërkombëtare dhe mbështetjen e saj nga shtetet demokratike.
“Drejtësia ndërkombëtare e financuar nga shtetet demokratike, që për turpin e tyre vazhdojnë të ndjekin këtë katastrofë për Evropën dhe botën demokratike, bën që ne sot të ngremë një pikëpyetje për veten tonë se çfarë mund dhe duhet të bëjmë. Nuk e kam përgjigjen, por jam i sigurt që duhet të bëjmë diçka më shumë për këtë, sepse është një katastrofë për vetë drejtësinë ndërkombëtare, Evropën dhe Perëndimin demokratik”, deklaroi Rama.
