Ballina Artikuj Edukata seksuale për fëmijë

Edukata seksuale për fëmijë

Falënderimet më të sinqerta i përkasin Zotit të Madhëruar, paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi profetin Muhamed a.s, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij.

Në këtë temë, do të fokusohemi mbi një çështje tejet të rëndësishme që i përket edukimit të fëmijëve, madje edhe edukimit të secilit prej nesh. Në këtë temë, do të flasim mbi kulturën dhe edukatën seksuale.

Unë jam i ndërgjegjshëm që një dosje e tillë, zakonisht rrethohet nga barriera të kuqe dhe vetëm rrallë herë ajo hapet nga mediat vizive dhe të shkruara.

Mendoj se kjo ndodh për shkak të edukatës që kemi marrë që në vegjëli, edukatë të cilën disa e etiketojnë si kultura e turpit, gjë e cila të bën të kuptosh, që çështjet seksuale nuk ka përse të hapen dhe të diskutohen në publik.

Por në kohën që jetojmë, me zhvillimin teknologjik dhe përhapjen e mjeteve të telekomunikacionit, një çështje e tillë ka marrë përmasa të frikshme.

Duke qenë përballë një realiteti të tillë, ne menduam që ta hapim një dosje të tillë dhe ta shtjellojmë nën hijen e parimeve fetare dhe morale.

Përsa i përket çështjeve dhe edukatës seksuale, njerëzit kategorizohen në tre grupe:

1 – Në grupin e parë bëjnë pjesë konservatorët. Njerëzit që i përkasin këtij grupi, janë atë që në fakt dëshirojnë të trajtohen tema të tilla, madje të trajtohen në mënyrë të hollësishme, por duke përdorur shprehje jo të drejtpërdrejta. Ky grup, nuk e parapëlqejnë çiltërsinë dhe të shprehurit me terma të drejtpërdrejtë në këtë fushë.

2 – Në grupin e dytë bëjnë pjesë ata, që i refuzojnë kategorikisht tema dhe çështje të tilla. Ata e konsiderojnë gabim trajtimin e këtyre çështjeve, sidomos nga mediat vizive, të cilat ndiqen nga një numër i madh teleshikuesish të moshave të ndryshme. Këta njerëz, mendojnë se temat mbi edukatën seksuale nuk duhen të bëhen objekt diskutimi dhe shtjellimi sidomos nga mediat vizive. Sipas tyre, njerëzit që kanë nevojë të pyesin ose t’i shtojnë njohuritë e tyre në këtë fushë, duhet ta bëjnë duke u kontaktuar me ekspertë ose dijetarë. Një kulturë dhe edukatë e tillë, nuk ka përse të përhapet tek shtresat e gjera.

3 – Kurse në grupin e tretë bëjnë pjesë përkrahësit e sensibilizimit të masave me edukatën seksuale. Madje, këta e përkrahin edhe idenë e trajtimit të çështjeve seksuale në formë plotësisht të hapur me gjithë guximin dhe kurajon e duhur. Duke qenë se po përjetojmë fushata të shumta degjenerimi sidomos të rinisë, ne kemi nevojë që kulturën seksuale ta përhapim në çdo shtëpi.

Duke qenë se unë po e hap një dosje të tillë, jam i ndërgjegjshëm që do të bëhem objekt sulmesh dhe kritikash nga të tre grupet e mësipërme. Konservatorët e grupit të parë do të vërejnë ndonjëherë çiltërsinë dhe shprehje të drejtpërdrejta, gjë e cila nuk do t`iu pëlqejë.

Grupi i dytë do e shohin këtë temë si shkelje të vijave të kuqe. Ndërkohë që përkrahësit, do të vërejnë njëfarë ndrojtjeje dhe rezerve në disa pika, gjë që nuk i përshtatet formimit dhe aspiratave të tij. Ai do të dëshironte që trajtimi i temave të tilla të bëhej më me kurajë dhe më i drejtpërdrejtë.

Me qëllim që unë të ndjek një rrugë të mesme, unë do i përmbahem traditës së profetit Muhamed a.s.

Kushdo që lexon Kuranin, traditën profetike dhe çështjet e jurisprudencës islame, do të gjejë që edukata dhe kultura seksuale zënë një pjesë të rëndësishme. Profeti Muhamed a.s nuk e ka konsideruar të turpshme diskutimin dhe trajtimin e çështjeve të tilla, përderisa çështje të tilla shihen si mundësi e shtimit të njohurive dhe arsimimit.  

Shpesh herë shoqëritë tona vuajnë nga sëmundja e turpit. Shumë njerëzve u vjen turp dhe zor që të pyesin mbi çështje, që kanë të bëjnë me jetën e tyre seksuale. Unë nuk e quaj turp dhe ndrojtje diçka të tillë, por e konsideroj si sëmundje. Ajo që ma përforcon këtë ide, është se po të studiojmë tekstet e Kuranit dhe sidomos hadithet e Profetit a.s, do të gjejmë që Profeti a.s e konsideronte turpin si një vlerë, megjithatë ai fliste dhe i trajtonte problemet dhe çështjet seksuale.

Ebu Hurejre tregon, se Profeti a.s kaloi pranë një banori të Medines, i cili ishte duke e këshilluar të vëllain mbi ndjenjën e turpit, të cilën ai e kishte të theksuar.

Profeti a.s ndërhyri dhe i tha:”Lëre, pasi turpi është pjesë e besimit”.

Pyetja që lind është: ”Nëse ne flasim mbi edukatën seksuale, mos vallë po bëjmë një veprim të pahijshëm dhe të turpshëm” ?

Një pyetje të tillë i përgjigjet vetë i dërguari i Allahut.

Thabit El-Inanij tregon: ”Ndodhesha tek Enesi, përbri të cilit ishte ulur vajza e tij. Enesi më tregoi se një grua kishte vajtur tek i dërguari i Allahut dhe i kishte propozuar për martesë. Ajo iu drejtua Profetit a.s me fjalët: ”O i dërguar i Zotit, a ke nevojë për mua” ? Me këtë shprehje, ajo i propozonte të martohej me të. Diçka e tillë, konsiderohet dhe hyn tek edukata seksuale.

Vajza e Enesit, që e dëgjonte këtë ndërhyri dhe tha: ”Sa e paturpshme paska qenë kjo grua! Ah çfarë paturpësie”!

Babai i saj, Enesi i tha: ”Ajo grua është më e mirë se ti. Ajo deshi të martohej me Profetin a.s dhe i propozoi për këtë”.

Kështu, shohim që Enesi nuk e shikon si diçka të turpshme dhe të pahijshme, nëse një grua i propozon një burri për martesë. Kjo ishte edukata, me të cilën ishin edukuar në shkollën e të dërguarit të Allahut.

Ali ibnu Ebi Talibi tregon: ”Kam vuajtur nga sekrecionet e shumta (të penisit) dhe më vinte turp dhe zor që ta pyes të dërguarin e Allahut mbi këtë problem”.

Në këtë rast, Aliut nuk i vinte zor dhe turp, se do të interesohej mbi diçka që ka të bëjë me seksin. Turpi këtu ka të bëjë me faktin, se Profeti a.s ishte babai i bashkëshortes së tij.

Në një transmetim tjetër, Aliu thotë: ”Kam vuajtur nga sekrecionet e shumta (të penisit) dhe më vinte turp dhe zor që ta pyes të dërguarin e Allahuts mbi këtë problem, për shkak të lidhjeve që ai kishte me Fatimen. Kështu, e urdhërova Mikdad ibnul Esved (shokun e tij) që ta pyesë Profetin a.s mbi këtë çështje. Profeti a.s iu përgjigj: ”Në rast sekrecionesh të tilla, mjafton të merret abdes i ri”. Këtë e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

Kështu, ne duhet ta ndajmë turpin si vlerë nga turpi i sëmurë dhe ndrojtja e tepruar.

Kryeredaktori i faqes elektronike të njohur www.islamonline.net, më ka treguar se me të hapur rubrikën e pyetjeve dhe përgjigjeve edukative, mbi 90 % e pyetjeve kishin të bëjnë me edukatën dhe problemet seksuale.

Të njëjtin problem konstaton dhe kryeredaktori i faqes zyrtare të universitetit të Ez-herit, i cili thotë: ”Mbi 70 % të pyetjeve dhe konsulencave që na vijnë, kanë përmbajtje dhe tematikë seksuale”.

Kjo tregon dhe njëherë nevojën tonë për kulturën dhe edukatën seksuale. Ne jetojmë në një botë të rrethuar nga faktorë joshës seksualë, jemi të rrethuar nga revista, faqe interneti, kanale satelitorë etj… të cilët përpiqen të përcjellin dhe përçojnë tek frekuentuesit edukatën dhe kulturën e tyre seksuale dhe degjeneruese.

Ndërkohë që ne myslimanët posedojmë një trashëgimi kulturore dhe edukatë seksuale shumë pozitive, por që nuk po ndërmarrim asnjë hap për ta përhapur atë dhe për t’ua përçuar të tjerëve.

Të gjendur përballë një realiteti të tillë, ku mendoni se do të shkojnë të marrin informacionin e duhur të rinjtë dhe të rejat? Si do i shtojnë njohuritë e tyre në këtë fushë? Ku do e shuajnë kureshtjen, apo nevojën e tyre?

Nëse babai e shikon edukatën seksuale si edukatë të turpshme dhe të pahijshme, nëse nëna e sheh të pamundur të flasë mbi një temë, të cilën e ka parë gjithmonë si tabu, ata nuk flasin dhe nuk i edukojnë fëmijët e tyre. Po vallë ku do të drejtohen fëmijët për ta marrë këtë edukatë? A nuk është ky një problem i madh, me të cilin përballen shoqëritë tona? Me këtë qëndrim që mbajmë, ne i shtyjmë dhe i nxisim të rinjtë dhe të rejat tona, që të informohen nga burime të dyshimta dhe denigruese. Kështu, të rinjtë e marrin informacionin e duhur nga shkolla, shoqëria ose mjetet e telekomunikacionit. Shpeshherë ndodh, që informacionet që merr nga këto institucione të jenë të gabuara, ose përcillen në rrugë të gabuar, duke shkaktuar tek të rinjtë deviacione dhe bindje të gabuara. 

Kështu që kultura ose edukata seksuale është e domosdoshme për t’u diskutuar. Ajo është një dosje, e cila duhet hapur patjetër dhe duhet folur hollësisht rreth saj, me qëllim që të rinjtë dhe të rejat të marrin informacionin e duhur dhe në mënyrën e duhur.

Padyshim që në këtë temë ne nuk do të merremi me detaje të hollësishme, por do të trajtojmë disa çështje në vija të përgjithshme. Këto çështje i kam përzgjedhur duke u mbështetur në: përvojën time si konsulent i problemeve edukative dhe shoqërore, në punën që kam bërë si gjykatës i çështjeve familjare, si kryeredaktor i revistës “Al-Farha”, e cila trajton kryesisht probleme bashkëshortore, si kryeredaktor i revistës “Fëmija im” dhe problemeve edukative që trajtohen aty, gjithashtu dhe në programeve të shumta, që kemi prezantuar në televizione.

Në një program që kam prezantuar në televizionin ART, ku tema ishte rreth edukatës seksuale, më kujtohet që numri i telefonatave i kaloi shtatëqind. Ndërkohë që një program direkt (live) pret nga njëzet deri dyzet telefonata. Nëse tema që trajtohet është e rëndësishme, numri i telefonatave mund të arrijë deri në njëqind apo dyqind telefonata. Nëse tema është e një rëndësie të veçantë, telefonatat mund të arrijnë në katërqind telefonata brenda një programi. Kurse ne kemi pranuar mbi shtatëqind telefonata, brenda një emisioni të vetëm, me tematikë edukatën seksuale.

A nuk është ky fakt tregues i etjes së rinisë myslimane për të marrë informacionin e duhur në këtë fushë.

Shembuj të edukatës seksuale në legjislacionin islam

Çdo baba dhe nënë, duhet që edukatën seksuale të fëmijëve të tyre, ta bëjnë me nijetin e veprave të mira. Nëse një baba ose nënë dëshiron dhe merr hapa konkretë për t’u mësuar fëmijëve të tyre edukatën seksuale, patjetër që kjo hyn në urdhërimin për mirë dhe ndalimin nga e keqja.

Një ditë po mbaja një ligjëratë mbi rëndësinë e edukatës dhe kulturës seksuale, sidomos për brezin e ri, të rinjtë dhe të rejat. Në fund të ligjëratës, një nga prindërit e pranishëm, u ngrit dhe mu drejtua me fjalët: ”Profesor i nderuar! Unë jam rritur dhe edukuar në një familje, ku as babai, as gjyshi dhe askush tjetër nuk më kanë folur mbi edukatën seksuale. Megjithatë, të gjithë ne e kemi marrë informacionin e duhur të kësaj fushe, pa pasur nevojë që dikush të na mësojë”.

Unë i thashë: ”Kjo që po thua ti është shumë e vërtetë. Unë e pranoj këtë prej teje dhe bashkëmoshatarëve të tu, që keni kaluar një rini para dyzet apo pesëdhjetë viteve. Por këtë unë nuk mundem ta pranoj për realitetin që jetojmë. Asokohe ju e keni pasur të pamundur të shihni fragmente erotike apo pornografike, përveç ndonjë rasti të rrallë. Kjo ka ndodhur, pasi shoqëria ishte konservatore dhe shumë fanatike. Ndërkohë që sot, edhe fëmijët katër apo pesë vjeçarë kanë mësuar të ndezin dhe të punojnë në kompjuter. Madje, një herë kam takuar një fëmijë, i cili dinte të hyjë në internet, ku luante me lojërat e ndryshme.

Nëse në të kaluarën e prindërve tanë, çështjet seksuale ishin mbyllur në një sënduk të zi, sot e kemi detyrë që ta hapim këtë sënduk dhe nëse nuk hapet, ai duhet thyer. Ne duhet të përpiqemi, që t’i përgatisim fëmijët që në moshë të hershme, mbi ato që do u themi më vonë rreth edukatës seksuale”.

Nëse do të hapim çfarëdo lloj libri të legjislacioni islam (fikhut), do të gjejmë kapituj dhe nënkapituj të shumtë, që flasin pikërisht mbi edukatën seksuale. P.sh, aty do të gjejmë kapituj të tillë:

“Kapitulli i marrëdhënieve seksuale gjatë të përmuajshmeve”. Në këtë kapitull, jepet përgjigje nëse marrëdhëniet seksuale mes bashkëshortëve, lejohen ose jo, nëse bashkëshortja është me të përmuajshmet. A nuk është diçka e tillë edukatë seksuale?

“Kapitulli i marrëdhënieve seksuale gjatë shtatzënisë”.

“Kapitulli i marrëdhënieve seksuale gjatë Haxhit”.

“Kapitulli i marrëdhënieve seksuale gjatë agjërimit”.

“Kapitulli i puthjes së gruas gjatë agjërimit”.

“Çfarë i lejohet haxhiut gjatë Haxhit ose Umres, në lidhje me gruan e tij”?

“A është e lejueshme zhveshja dhe heqja e të gjithë rrobave gjatë kontaktit seksual”?

“A lejohet që bashkëshortët të shohin organet gjenitale të njëri-tjetrit”?

“Edukata e shtratit  dhe marrëdhënieve seksuale”.

Këto dhe shumë kapituj të tjerë, gjenden në fikhun islam dhe të gjithë bëjnë fjalë për edukatën seksuale.

Të gjithë këto çështje dhe mesele, që fikhu islam i përmban mbi edukatën seksuale, më shtynë që t’i numëroj dhe gjeta se ato arrinin në 2.774 çështje. Një numër i tillë tregon, se ne posedojmë një trashëgimi shumë të pasur të edukatës seksuale. Por ku ndodhet ajo?

Edukata më e mirë dhe më e përshtatshme për fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm, është edukata fetare. Edukatën seksuale ne mund t’ua japim fëmijëve tanë, duke u mësuar Islamin, besimin dhe librat e fikhut. Vetë Kurani famëlartë prek në mënyrë indirekte probleme, që kanë të bëjnë me edukatën seksuale. Gjithashtu edhe tradita profetike ka informacion shumë të gjerë mbi këtë fushë. Po kështu edhe librat e jurisprudencës islame, janë të mbushur me çështje të tilla.

E gjithë kjo vëmendje mbi seksin, është pasi në Islam ai shihet si adhurim. Marrëdhëniet seksuale në Islam, shihen dhe trajtohen, ashtu siç trajtohen të gjithë adhurimet e tjera, namazi, agjërimi, haxhi etj… pa dallim mes tyre.

Një herë ndodhesha në një konferencë mbi problemet dhe edukatën seksuale në perëndim. Kur më erdhi radha për të folur, u thashë: ”Dallimi mes Islamit dhe perëndimit në mënyrën si e konceptojnë seksin, është se në Islam seksi shihet si adhurim (ibadet). Ndërkohë që ju e konceptoni thjesht si kënaqësi çasti…”

Prandaj është sunet (traditë), që dy bashkëshortët të marrin abdes para aktit seksual. Profeti Muhamed a.s, kur dëshironte të kishte një marrëdhënie të dytë, merrte abdes më parë.

Veç kësaj, para aktit seksual, ne myslimanët duhet të themi disa lutje. Kështu, kur ne myslimanët flasim mbi seksin, nuk e konsiderojmë atë thjesht si një lojë, dëfrim dhe kënaqësi, por në radhë të parë si adhurim.

Një koncept dhe këndvështrim të tillë për seksin e ka forcuar vetë i dërguari i Allahut. Ai ka thënë:”Edhe për marrëdhëniet tuaja seksuale, ju shpërbleheni”.

Të habitur nga kjo, të pranishmit e pyetën: ”O i dërguar i Zotit! Edhe kur kryejmë marrëdhënie seksuale me gratë tona shpërblehemi”?!

Profeti a.s iu përgjigj: ”Po. Nëse dikush do e bënte të njëjtën gjë në rrugë haram, ai do të ndëshkohej. Kështu, kur e bën në rrugë hallall, ai shpërblehet”.

Kështu, Islami nuk e shikon seksin thjesht si një shfryrje epshi dhe kënaqësi. Alergjia, që shkakton fjala seks tek ne, ndodh për shkak të kaluarës tonë, ambjentit ku jemi rritur dhe edukatës së përftuar rreth fjalës seks. Vetë fjala seks shkakton alergji, rrudhje buzësh dhe habi në shumë ambjente. Të tjerë mund të kundërshtojnë. Ka të tjerë që menjëherë fillojnë të qeshin, qoftë dhe nën buzë.

Këto reagime janë të tilla, pasi termin “seks” ne e kemi dëgjuar dhe përftuar në mënyrë të gabuar, madje dhe vetë edukata që kemi përftuar mbi seksin, është edukatë e gabuar. Ne nuk kemi përse të ndihemi ngushtë, në siklet dhe të tensionuar kur përmendet fjala seks. Ashtu siç flasim pa komplekse mbi namazin, agjërimin dhe haxhin, le të flasim edhe për seksin. Ku qëndron ndryshimi mes këtyre adhurimeve? Përse duhen bërë dallime mes tyre?

Alergjia që krijohet me të dëgjuar fjalën seks, vjen për shkak se ne jemi edukuar me edukatën e turpit dhe të vijave të kuqe.

Një herë po debatoja me një perëndimor, i cili e kritikonte Islamin në disa çështje. Gjatë debatit unë e pyeta: ”Cila është ajo gjë, e cila e dallon kulturën perëndimore nga Islami?”

Ai u përgjigj: ”Është kultura dhe edukata seksuale. Ne e kemi ngritur në këmbë atë, e kemi forcuar dhe kemi krijuar një literaturë të bollshme, që e shtjellon në detaje.”

Unë i thashë: ”Ti ke të drejtë mbi këtë, por a e di, se Islami i ka shtjelluar çështjet, që kanë të bëjnë me seksin, më shumë se ç’i keni shtjelluar ju në perëndim” ?

Ai më tha: ”Kjo është e pabesueshme.”

Unë i thashë: ”Dakort, atëherë më thuaj cili është koncepti i seksit sipas teje”?

Fillimisht ai heshti dhe kur unë i kërkova sërish të ma përkufizonte seksin, me qëllim që të jemi më të qartë mbi konceptin që ka secili mbi seksin, ai tha:”Me fjalën seks, unë kuptoj aktin seksual”.

Unë i thashë: ”Kurse në Islam, përkufizimi i seksit është shumë më gjithëpërfshirës. Ti e koncepton dhe përkufizon seksin, vetëm tek akti seksual dhe penetrimi, duke përjashtuar përkëdheljet para dhe pas penetrimit”.

Vetë profeti Muhamed a.s na këshillon dhe na mëson, se si të kemi marrëdhënie seksuale sa më romantike. I gjithë kontakti seksual, përbëhet nga hyrja, thelbi dhe përfundimi, ndërkohë që në perëndim njihet vetëm kontakti seksual, penetrimi.

Një herë, ndodhesha në Amerikë dhe hyra në një librari. Atje, vajta tek këndi i librave shoqërorë dhe sytë më zunë një libër me titull: ”Seksi tek mbi pesëdhjetë vjeçarët”.

E bleva librin dhe vajta në hotel, ku u ula të lexoj pë të kuptuar këndvështrimin perëndimor mbi seksin tek të moshuarit. Fillova të shfletoj librin, por çdo faqe ishte e bardhë, boshe. Mendova se mund të jetë gabim gjatë shtypjes së librit, pasi të gjithë faqet e librit ishin boshe. Vetëm në fund, hasa një faqe të shkruar, të cilën fillova ta lexoj me kureshtje.

Autori i librit, në atë faqe të vetme shkruante: ”O ti që ke blerë këtë libër! Mos mendoje se pas të pesëdhjetave ka aktivitet seksual?! Prandaj unë i botova të gjithë faqet të bardha…”

Në perëndim, aktiviteti seksual pasi njeriu i kalon të pesëdhjetat, fillon të dobësohet, pasi ata e fillojnë aktivitetin seksual që në moshë të re dhe të hershme. Jo vetëm kaq, por e ushtrojnë aktivitetin seksual në mënyrë të devijuar dhe perverse. Që në moshat tetë apo nëntë vjeçare, të rinjtë dhe të rejat fillojnë të mendojnë mbi seksin, madje ndërmarrin dhe hapa në këtë drejtim. Ata gëzojnë liri të plotë përsa i përket kulturës seksuale, gjë të cilën e mësojnë që në moshë të vogël.

Disa miq të mi që jetojnë në Itali, më treguan se fëmijët e tyre katërvjeçarë marrin mësime mbi seksin në kopshte. Kur mbushin moshën tetëvjeçare këta fëmijë, i dërgojnë për shëtitje në ferma dhe kopshte të caktuara, ku i trajnojnë seksualisht.

Kështu, nëse aktiviteti seksual fillon që në moshën tetëvjeçare, si mund të pritet që ky aktivitet të vazhdojë edhe pasi ata të mbushin pesëdhjetë vjeç?!

Me ardhjen e Islamit, çështjet e seksit u disiplinuan dhe sistemuan. Islami përdori dhe termin e pastërtisë morale, nderin (iffe). E habitshme është, se po të kërkosh në fjalorët e anglishtes apo çdo gjuhe tjetër, nuk gjen fjalë ekuivalente për fjalën iffe (i ndershëm moralisht). Kjo fjalë në vetvete është edukatë dhe moral, me të cilin i edukojmë fëmijët tanë.

Qëllimi dhe objektivat e edukatës seksuale

Gjatë leximit të këtyre rreshtave dhe të temës, tek secili mund të lindë pyetja: ”Përse Islami i kushton rëndësi edukatës seksuale? Çfarë synohet të arrihet me edukimin e individëve dhe fëmijëve seksualisht”?

Në fakt ekzistojnë disa synime dhe objektiva thelbësore, përsa i përket kësaj teme.

Këto objektiva mund t’i përmbledhim si më poshtë:

1 – Fëmijët tanë, djem dhe vajza, të krijojnë një koncept të qartë dhe të saktë mbi seksin. Në këtë mënyrë, tek fëmijët do të shtohet sensi i dashurisë dhe respektit të Krijuesit, i Cili e ka përsosur edhe mënyrën dhe format e shtimit të njerëzimit, ashtu siç ka përsosur gjithçka tjetër. Padyshim që vetë akti seksual dhe mënyra e shtimit të njerëzimit është një nga argumentet dhe faktet, që Zoti ka krijuar në gjithësi. Ajo duhet të jetë objekt i meditimit dhe studimit.

Shumë mirë, Zoti mund ta kishte caktuar shumimin mes njerëzve, si atë të bimëve, ose si ajo e kafshëve. Fakti që njerëzit shumohen në mënyrë krejt të ndryshme, e cila i përshtatet dhe i shkon natyrës së njeriut, a nuk përbën një nga faktet dhe mrekullitë e shumta të Zotit në univers?

Kështu, ne i edukojmë fëmijët tanë me edukatën dhe kulturën e saktë seksuale, me qëllim që edhe aktivitetin seksual ta shohin si mirësi të Zotit, të cilën nuk duhet ta shpërdorojnë.

Një fëmijë i edukuar në këtë formë, që fillon të rritet dhe mbush moshën e adoleshencës, padyshim që do të tërhiqet, nëse do të përballet me joshje dhe tundime seksuale, sado të fuqishme qofshin. Kjo ndodh, pasi ai është mësuar që në vegjëli mbi mënyrën sesi duhet ta trajtojnë çdo gjymtyrë të trupit të tij.

Që në vegjëli ne përpiqemi, që fëmijën ta sensibilizojmë mbi dëmet, që mund t’i shkaktojnë gërshërët, thika dhe mjetet e tjera të mprehta, nëse luan me to. Me këto mjete ai mund të nxjerrë sytë, të plagoset apo çfarëdo tjetër. Me këtë, ne i edukojmë dhe sensibilizojmë, se si duhet t’i përdorë këto mjete, si duhet t’i mbrojë sytë, gojën, veshët, hundën etj…

Nëse fëmija flet ndonjë fjalë banale, menjëherë prindërit ndërhyjnë duke ia bërë të qartë, që fjalë të tilla nuk duhen përdorur. Me këtë, prindërit përpiqen që ta kontrollojnë dhe menaxhojnë gjuhën e fëmijëve, sytë e tyre, veshët dhe hundën.

Të njëjtën gjë, duhet të bëjmë me fëmijët tanë, duke i edukuar ata me edukatën seksuale.

Në redaksinë e revistës “Djali im” erdhi një nënë, e cila kërkonte mendimin tonë mbi faktin se djali i saj luante me organet e tij seksuale. Raste të tilla janë të shumtë dhe që këtu lind nevoja për edukatën seksuale të fëmijëve tanë.

Në përgjithësi ne kemi një koncept të gabuar mbi edukatën seksuale. Sa herë që përmendet edukata seksuale, na shkon mendja vetëm tek akti dhe marrëdhëniet seksuale mes mashkullit dhe femrës.

Një herë, teksa po flisja gjatë një trajnimi dy ditor me prindër, i pyeta të pranishmit: ”Kur mendoni se duhet të fillojë edukata seksuale me fëmijët”?

Ata u përgjigjën:”Një vit para se të arrijë moshën e pubertetit, d.m.th në moshën trembëdhjetë-katërmbëdhjetë vjeçare”.

Unë ndërhyra dhe u thashë: ”Kurse sipas Islamit, edukata seksuale duhet të fillojë, që kur fëmija mbush dy vjeç”.

Një prej të pranishmëve më tha: ”Çfarë?! Që në moshën dy vjeçare?! E çfarë mund t’i them një fëmije dy vjeçar mbi edukatën seksuale”?!

Unë i thashë: ”Ti o vëlla, me të dëgjuar fjalën “edukatë seksuale” të shkon mendja menjëherë tek akti seksual, ndërkohë që unë nuk po flas mbi aktin seksual. Edukata seksuale është shumë më e gjerë se akti seksual”.

I hutuar ai më tha: ”Nuk po të kuptoj”.

Unë e pyeta: ”Sa vjeç është djali yt tani”?

“Trembëdhjetë vjeç” – u përgjigj.

E pyeta: ”A ka ndodhur, që t’i kesh folur ndonjëherë mbi çështje me tematikë seksuale”?

Ai mu përgjigj: ”Të jem i sinqertë, kurrë nuk kam biseduar me të rreth kësaj çështjeje”.

Unë i thashë: ”Duke qenë se ne jetojmë në një kohë dhe realitet kaq të hapur, a të ka shkuar ndonjëherë në mendje se cilat janë burimet, ku djali yt informohet mbi çështjet seksuale”?

Ai u përgjigj: ”Në fakt, djali im është shumë i mirë dhe nuk besoj se interesohet për gjëra të tilla. Por po pati nevojë, mua këtu më ka. Le të vijë të më pyesë”.

Unë i thashë: ”Por ai e ka të vështirë të pyesë, përveç rastit kur ti ke krijuar marrëdhënie të tilla, ku atij nuk i vjen zor dhe të hapet për gjithçka”.

Më pas i thashë: ”Unë të këshilloj, që sonte në darkë ta marrësh djalin, të shkoni në një restorant në bregdet, t’i ofrosh një darkë dhe të bisedosh me të. Pasi të kesh kaluar njëfarë kohe me të, i thuaj: ”O biri im, unë jam gati që të të përgjigjem mbi të gjithë pyetjet dhe paqartësitë që të lindin rreth seksit”.

Prindi më tha: ”Jo, jo, jo. Djali im nuk ka paqartësi mbi këtë fushë”.

Unë i thashë: ”Unë të këshilloj që ta provosh njëherë dhe të mos nxitohesh”!

Në fakt ashtu ndodhi. Po atë ditë në darkë, ai e mori djalin dhe të dy vajtën në një restorant në bregdet, porositën ushqimin dhe filluan të diskutojnë, të qeshin dhe të argëtohen me njëri-tjetrin. Në një moment të përshtatshëm, babai i thotë djalit: ”O biri im! Ti tashmë je në moshën e pubertetit dhe padyshim që mund të kesh paqartësi dhe pyetje mbi çështje seksuale. Unë jam babai yt dhe në moshën tënde kisha shumë paqartësi dhe kisha nevojë, që dikush të më tregonte. Prandaj, nëse ke paqartësi të tilla, unë jam gati të të përgjigjem”.

Përgjigja e djalit ishte shokuese për babanë. Ai i tha: ”O babai im! Nëse ti ke ndonjë paqartësi, unë jam në gjendje t’i përgjigjem çfarëdo lloj pyetjeje që do më bësh”.

Babai mbeti i shokuar nga kjo përgjigje. Ditën e dytë të trajnimit, ai erdhi dhe më rrëfeu gjithçka, që kishte ndodhur mes tyre.

Unë i kërkova që këtë ndodhi, t’ua rrëfejë dhe trajnuesve prindër, që ndodheshin në sallë, me qëllim që të sensibilizoheshin dhe ndërgjegjësoheshin.

Prandaj, Umer ibnul Hattabi (r.a) ka thënë: ”Edukojini fëmijët tuaj, për një kohë të ndryshme nga koha juaj”.

Nuk ka përse të kërkojmë nga fëmijët tanë, që të jenë fotokopje e jona. Padyshim që ata jetojnë një kohë të ndryshme nga e jona.

2 – Objektivi i dytë është, që fëmija të edukohet dhe t’i respektojë organet e tij seksuale. Ato kanë vlerë në jetë dhe nuk mund të keqpërdoren. Ashtu siç i kujdesemi dhe nuk i shpërdorojmë organet dhe gjymtyrët e tjera, ashtu duhet të kujdesemi dhe të mos i shpërdorojmë organet gjenitale. Këtu, një rëndësi të veçantë duhet t’i kushtojmë pastërtisë (taharet). Kështu, atij i mësohet se si duhet ta trajtojë urinën, jashtëqitjen, gazrat, sipas parimeve dhe normave të fesë. Të gjithë këto kanë lidhje me pastërtinë (taharetin).

Duke i mësuar fëmijët si ta ruajnë trupin dhe organet gjenitale të pastra, ne u mësojmë atyre edukatën seksuale.

3 – Objektivi i tretë i edukatës seksuale është, që ta përgatisë fëmijën për fazën e adoleshencës. Ne e dimë që fiziku i fëmijëve, djem qofshin ose vajza, pëson ndryshime të shumta gjatë adoleshencës. Me qëllim që fëmija të dijë, se çfarë po ndodh me trupin e tij dhe të mos hutohet, duhet informuar, sensibilizuar dhe parapërgatitur. Duke qenë i parapërgatitur, njeriu di si të sillet me ndryshimet e reja në të ardhmen. 

Më së shumti, kjo i ngjan udhëtimit me avion, ku sapo nis udhëtimi, kapiteni u flet pasagjerëve, që gjatë rrugës do të hasin në hapësira boshe ajri, gjë që do të shkaktojë tronditje të avionit. Këto hapësira dhe tronditje, do të kalohen pa problem për pasagjerët, nëse vendosin rripat e sigurimit. Gjysmë ore më pas, kapiteni tërheq vëmendjen, që hapësirat do të fillojnë nga çasti në çast, prandaj duhen vënë rripat e sigurimit. Kur të fillojnë hapësirat dhe tronditjet e avionit, padyshim që udhëtarët janë të parapërgatitur dhe nuk frikësohen nga tronditjet.

E kundërta ndodh, nëse kapiteni nuk i njofton dhe nuk i parapërgatit pasagjerët mbi hapësirat, lëkundjet dhe tronditjet që do të ndodhin.

Në rastin e parë, me të filluar lëkundjet dhe tronditjet e avionit, mund të ketë disa pasagjerë që frikësohen, por në përgjithësi situata është e qetë. Kjo, pasi pasagjerët janë parapërgatitur, janë të qetë shpirtërisht, psikologjikisht dhe fizikisht.

Ndërkohë që në rastin e dytë, pasojat nuk dihen. Disa pasagjerë mund të ulërijnë, disa të tjerë mund të qajnë, dikush mund të vjellë, dikujt mund t’i bie të fikët.

Kështu, parapërgatitja e fëmijëve për fazën e adoleshencës është shumë e rëndësishme, pasi ata janë të ndërgjegjshëm mbi atë, që po ndodh me fizikun dhe psikologjinë e tyre. Ata do të dinë si të reagojnë me situatat që krijohen, pa u befasuar dhe hutuar. Adoleshenti tashmë është i ndërgjegjshëm, që po kalon nga një moshë në një moshë tjetër dhe nga një fazë në një tjetër.

4 – Objektivi i katërt i edukatës seksuale është, që fëmija të sensibilizohet që seksi është pastërti. Seksi nuk është diçka e turpshme, e fëlliqtë, e ndotur, por është pastërti dhe mirësi nga mirësitë e shumta, që na ka dhënë Zoti i Madhëruar. Nëse nuk do të ishte seksi, njerëzimit do i vinte fundi. Sikur të mos ishte seksi, nuk do të kishim as profetë dhe njerëz të mirë. Madje, një nga profetët që ka dërguar Zoti, mrekullia me të cilën e dërgoi kishte të bëjë me seksin. Ky profet është Isai a.s, pasi ai lindi pa baba, gjë e cila bie në kundërshtim me ligjet e kontaktit seksual dhe lindjes. Ligjet dhe normat e seksit theksojnë, që për të lindur, duhet të arrihet kontakti seksual mes një mashkulli dhe femre. Me lindjen e tij pa baba, ai i theu këto ligje dhe norma.

Kështu, duke e sensibilizuar fëmijën mbi realitetin seksual, ai do ketë një këndvështrim dhe koncept tjetër mbi seksin dhe do e shohë atë me syzet e duhura islame.

5 – Objektivi i pestë, ka të bëjë me nevojën e fëmijës për të marrë informacione të rëndësishme, nga lindja deri në adoleshencën e tij. Informacionet e rëndësishme që ai duhet t’i përftojë në këtë moshë janë: Seksi, dashuria, marrëdhëniet seksuale, lindja. Prandaj po të vërejmë, fëmijët e moshës katër-pesë vjeçare, pyesin shumë, sidomos pyetjen “Përse”, saqë kjo moshë quhet ndryshe dhe “mosha e përse-së”. Për çdo gjë, ai do të pyesë përse. Përse do të shkojmë atje? Përse bimët kanë ngjyrë të gjelbër? Përse ndodh kjo….? e pyetje të tjera të këtij lloji. Kjo ndodh, pasi ai jeton në moshën, që kërkon të zbulojë gjithçka, të njohë ligjet e jetës, të informojë veten… Shpesh herë, fëmijët pyesin:”Si kam lindur unë?” dhe përgjigjet e prindërve janë nga më të ndryshmet dhe më të çuditshmet.

Një herë, një fëmijë tetëvjeçar, e pyeti të atin: ”Si kam lindur unë o baba?”

Babai, i zënë ngushtë i tha: ”Një ditë vajta në treg dhe bleva një bostan. Kur erdha në shtëpi, e ndava në dy pjesë, njërën e hëngra vetë dhe tjetrën ia dhashë nënës tënde. Dy-tre ditë më vonë, i bashkuam dy gjysmat e mbetura dhe kështu linde ti”.

I hutuar, fëmija tetëvjeçar i tha: ”Kështu paskam ardhur në këtë botë unë?! Domethënë që para tetë vitesh, nuk ekzistonin marrëdhëniet seksuale” ?!

Sot fëmijët kanë mundësi dhe burime informacioni të shumta dhe nuk mund të gënjehen kollaj, gjë e cila duhet të përjashtohet në edukimin e fëmijëve. Islami e ndalon gënjeshtrën, sidomos në marrëdhëniet me fëmijët.

Një herë, një nënë e thirri fëmijën e saj, duke i premtuar se do i japë diçka. Profeti a.s që u ndodh aty, e pyeti: ”Çfarë ke në dorë dhe çfarë dëshiron t’i japësh”?

Gruaja hapi dorën dhe Profeti (a.s) pa, që ajo kishte diçka në dorë dhe se nuk po e gënjente. Atëherë i tha:”Nëse nuk do të kishe gjë në dorë, do të ishte shkruar si gënjeshtër”.

Islami bën thirrje për sinqeritet dhe çiltërsi në marrëdhëniet tona me fëmijët. Me këtë, ne nuk duam të themi që një fëmije trevjeçar, t’ia shpjegojmë me imtësi mënyrën sesi lind dhe vjen në këtë botë njeriu. Diçka të tillë, ne duhet t’ia sqarojmë në atë formë, që i përshtatet nivelit të fëmijës. Duke u rritur, ne ia shtojmë njohuritë mbi kulturën seksuale, por kurrsesi ta gënjejmë. Fillimisht mund t’i flasim mbi mënyrën e pllenimit të bimëve, çiftëzimit dhe shtimit të kafshëve, por kurrsesi nuk duhet ta gënjejmë, sidomos në gjëra që kanë të bëjnë me edukatën seksuale. Nëse babai ose nëna e gënjejnë fëmijën përsa i përket edukatës seksuale, ata e humbasin kredibilitetin dhe besimin e fëmijës. Tashmë, fëmija i tyre do të fillojë të kërkojë burime informacioni të reja, për të plotësuar nevojat e tij.

Studimet e kryera në këtë fushë kanë zbuluar, se sa më shumë t’i shuhet etja mbi informacionet rreth seksit, aq më pak fëmija kërkon të flitet mbi seksin. Sa më shumë t’i shtohen informacionet rreth seksit, aq më pak do i prekë ose luajë me organet e tij gjenitale. Kjo, pasi ai ndihet i ngopur dhe kureshtjen e ka të shuar tashmë.

Ne të gjithë e dimë që, kur Profeti a.s binte në sexhde, dy nipat e tij, Hasani dhe Husejni, përfitonin nga rasti dhe hipnin mbi shpinën e tij. Në vend që t’i largojë nga shpina e tij, Profeti a.s e zgjaste sexhden derisa ata të ngopeshin dhe të largoheshin vetë.

E njëjtë është situata edhe përsa i përket edukimit seksual të fëmijëve. Nëse fëmija bën pyetje që kanë lidhje me seksin, kjo është shenjë e nevojës së tij për informacion në këtë fushë. Nëse unë nuk ia shuaj kureshtjen, kjo do të thotë, që ai do të përdorë burime të tjera informacioni.

Sot gjenden libra të posaçëm, të cilët me anë të rrëfenjave dhe fotove, i tregojnë fëmijës format e shumimit të bimëve, kafshëve, bletës, peshqve etj… Me anë të këtyre librave të ilustruar, fëmija mund të marrë edukatën e duhur seksuale, pa e ndjerë.

Kur ndodhesha për një vizitë në Britani, hyra në një librari dhe e pyeta librashitësin mbi këndin e edukatës seksuale të fëmijëve. Librashitësi më orientoi drejt këndit ku shiteshin këto libra. Aty më ra në sy një libër mbi edukatën seksuale tek fëmijët, libër që përmbante një histori për fëmijë pesëvjeçarë.  Unë fillova ta lexoj historinë, e cila më shokoi. Kjo, pasi me anë të saj, sikur i mësohej një njëqind vjeçari akti seksual dhe jo një fëmije pesëvjeçar. Me anë të saj, i mësohej fëmijës jo vetëm akti seksual, por edhe formimi i fëmijës në barkun e nënës dhe procesi i lindjes. Të gjitha këto, të ilustruara me foto reale.

Padyshim që diçka e tillë përbën skandal dhe një problem të madh. Një fëmijë pesëvjeçar, e ka shumë të vështirë ta kuptojë dhe perceptojë diçka të tillë. Një formë edukimi e tillë është shumë e dëmshme për fëmijën. Një formë e tillë edukimi mund ta nxisë kureshtjen e fëmijës më shumë. Ajo mund ta shtyjë fëmijën, që ato që sheh në libër, t’i provojë me motrën e tij ose me ndonjë fëmijë tjetër.

Në këto tema, ne do i shmangemi shfrenimit dhe degjenerimit. Ne duam të ndërtojmë një program sa më praktik, dhe këtë program e kemi të frymëzuar nga Kurani famëlartë, tradita profetike dhe librat e fikhut islam. 

Synimi ynë me edukatën seksuale është, që fëmija të edukohet dhe ndërgjegjësohet, që organet e tij gjenitale janë dhuratë nga Zoti dhe duhet t’i mirëmbajë ato.

6 – Objektivi i gjashtë, është që t’ia lehtësojmë fëmijës jetën bashkëshortore, pasi të martohet. Të shumta janë ato martesa, të cilat kanë dështuar, për shkak të mungesës së edukatës seksuale tek bashkëshortët. Të shumta janë ato martesa, që kanë përfunduar me divorc për arsye seksuale.

Ne kryem një studim tek njëmijë familje të divorcuara dhe gjetëm dymbëdhjetë shkaqe të përbashkëta mes këtyre familjeve të divorcuara, shkaqe që çuan në divorc. Shkaku i tretë në radhitje, nga shkaqet që çuan në divorc, ishin shkaqe, që kishin të bënin me jetën seksuale të prindërve. 

Nëse këta të martuar do të ishin edukuar seksualisht që në vegjëli dhe në rrugën e duhur, padyshim që martesa e tyre nuk do të kishte dështuar. Kështu çdo njeri do të korrë atë që ka mbjellë. Padyshim që një person, që nuk e ka kulturën e duhur seksuale, do të hasë probleme që në ditët e para të martesës.

Gjatë kohës që punoja gjykatës, më erdhi një burrë që kërkonte të divorcojë të shoqen, tre muaj pas martese.

Kur unë e pyeta mbi shkakun e divorcit, ai më tha: ”Sa herë që kërkoj të drejtën time në shtrat, ajo refuzon. U bënë tre muaj që përpiqem, por e shoh që është e pamundur, prandaj dua të divorcohem”.

Unë i kërkova të thërrasë dhe të shoqen dhe ajo erdhi. Fillova ta pyes dhe atë dhe i thashë: ”Ajo që kërkon yt shoq është e drejta e tij dhe është diçka, që e ka lejuar vetë Zoti i Madhëruar”.

Gjatë bisedës dhe pyetjeve të mia zbulova, se prindërit e saj e kishin frikësuar dhe kërcënuar kur ishte e vogël, që të mos i prekë organet e saj gjenitale. Madje, një herë e ëma ia kishte djegur gishtin si ndëshkim, pasi vajza e kishte pyetur mbi diçka, që kishte të bënte me seksin. Kjo e kishte bërë atë me komplekse dhe tashmë i  frikësohej edhe të shoqit dhe nuk e lejonte të bëjë seks me të. Edhe pse u përpoqa ta bind, ajo ngulmonte në të sajën, duke bërë që martesa të përfundojë me divorc.

Në një rast tjetër gruaja ankohej për të shoqin, se kishte kaluar një vit e gjysmë nga martesa e tyre dhe ai nuk kishte bërë seks me të. Kur e pyeta të shoqin mbi shkakun, zbulova se shkaku i kësaj gjendjeje, ishte edukata seksuale e gabuar, që kishte marrë në vegjëli. Histori të tilla janë të shumta.

Duke bërë thirrje, që fëmijët tanë t’i edukojmë seksualisht, unë nuk bëj thirrje për liri absolute dhe degjenerim. Zoti më ruajt nga diçka e tillë. Por njëkohësisht unë nuk mund ta pranoj, që fëmijët tanë t’i mbyllim dhe ta konsiderojmë si diçka të pamundur, të diskutojmë me ta rreth edukatës seksuale.

7 – Objektivi dhe qëllimi i shtatë i edukatës seksuale islame, është dhe forcimi i lidhjeve me fëmijët dhe të rinjtë. Këtë, e shohim më së miri në rastin, kur një i ri vajti tek i dërguari i Zotit dhe i kërkoi leje për imoralitet. Ishte një kërkese absurde dhe e papranueshme, gjë e cila shkaktoi zemërimin e shumë muslimanëve të pranishëm. Ky i ri kërkonte publikisht, që të kryejë imoralitet.

Edhe pse ishte një kërkese absurde, Profeti a.s pranoi të ulet dhe të bisedojë me të. Profeti a.s e afroi pranë vetes dhe i tha:”A do e pranojë një vepër të tillë për nënën tënde”?

Djaloshi i tha: ”Jo për Zotin”.

Profeti a.s e pyeti sërish: ”Po, a do e pranoje për hallën tënde”?

Djaloshi iu përgjigj: ”Jo, për Zotin”.

Profeti a.s e pyeti: ”A e pranon për motrën tënde”?

Djaloshi iu përgjigj: ”Jo, për Zotin”.

Atëherë Profeti a.s i tha: ”Po kështu dhe njerëzit nuk e pranojnë këtë vepër për nënat, vajzat, motrat dhe hallat e tyre.”

Pas kësaj, Profeti a.s e vendosi dorën e tij fisnike mbi kraharorin e djaloshit dhe u lut, që Zoti ta mbrojë nga veprat e ulëta dhe imoraliteti.

Vetë ky djalosh i ri, tregon më vonë: ”Për Zotin nuk kishte gjë që e urreja më shumë se imoraliteti, që pas asaj dite”.

Ajo që është e rëndësishme nga kjo ndodhi, është trajtimi i veçantë, që Profeti a.s i bëri këtij problemi që kishte të bëjë me seksin. Një problem të tillë, siç e pamë, Profeti a.s e zgjidhi me dialog, diskutim dhe bindje. Ai nuk ia mbylli derën këtij djaloshi dhe as nuk ia lejojë, të sillet si të dojë.

Profeti a.s, shumë mirë mund t’i kishte thënë: ”Imoraliteti është haram në islam” dhe gjithçka përfundonte me aq.

Pyetësor

Pyetësor matës për të parë, nëse i edukojmë fëmijët tanë seksualisht dhe siç duhet.

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, kemi përgatitur një ushtrim, me anë të të cilit mund të vlerësojmë veten si prind, nëse i edukojmë siç duhet fëmijët tanë. Ky ushtrim, është i frymëzuar nga fikhu dhe jurisprudenca islame. Ushtrimi përbëhet nga disa pyetje të rëndësishme dhe që kanë lidhje me mosha të ndryshme të fëmijës. Siç e cekëm dhe më lart, edukata seksuale fillon që në moshën dy vjeçare dhe këto pyetje kanë të bëjnë vetëm me moshën foshnjore.

Pyetja e parë: Gjatë aktit seksual me bashkëshorten tënde, a e keni nxjerrë jashtë dhome foshnjën tuaj?

Padyshim që kjo është një pyetje e rëndësishme. Nëse përgjigja e kësaj pyetje është “Po”, ky është tregues që këta prindër, kanë kulturën dhe edukatën seksuale të duhur.

Nëse përgjigja është “Jo”, ky veprim është i gabuar, pasi fëmija edhe pse është i vogël dhe foshnje, ndjen dhe kupton shumë gjëra.

Rrëfehet se Ibnu Abasi (r.a), kur dëshironte të kryejë marrëdhënie seksuale me të shoqen, e nxirrte jashtë foshnjen e tij edhe pse ajo ishte vetëm tre muajsh.

Kurrë mos mendo, se fëmija është i vogël dhe nuk kupton, ose është duke fjetur. Nëse fëmija është i zgjuar dhe e ndjen atë që po ndodh, kjo mund të ndikojë negativisht në të ardhmen e tij.

Pyetja e dytë: Gjatë ndërrimit të rrobave, a përpiqeni që t’ia mbuloni pjesët e turpshme dhe organet gjenitale? A kujdesemi që gjatë larjes, pastrimit, ndërrimit të bebalinave etj… të mos ketë njerëz të tjerë përreth?

Nëse përgjigja është “Po”, ky është tregues i edukatës seksuale të duhur tek prindërit. Nëse ne nuk i kushtojmë rëndësi faktit, se ka njerëz përreth dhe e shikojnë fëmijën pa rroba, ky është tregues i edukatës së dobët seksuale të prindërve.

Fakti që të tjerët e shohin fëmijën pa rroba, gjatë larjes ose ndërrimit të veshjes, është i dëmshëm si për shikuesit, si për fëmijën. Një fëmijë që është mësuar të dalë para njerëzve i zhveshur dhe pa rroba edhe kur të rritet nuk e ka problem të dalë i tillë. Kjo ndodh, pasi kështu është edukuar dhe mësuar që në vegjëli. Këtë e shohim dhe dallojmë më mirë tek fëmijët dhe të rinjtë në perëndim. Edhe pse janë të rritur tashmë, ata sillen në mënyrë të pahijshme. Kjo ndodh, pasi që në vegjëli janë mësuar me këtë mënyrë jetese, i ndërrojnë rrobat kudo dhe kurdo.

Kur kam qenë në moshën e adoleshencës dhe gjatë pushimeve verore, m`u dha rasti të shkoj në një vend evropian, për të mësuar gjuhën angleze. Pasi zhvillonim aktivitetin sportiv të përditshëm, shkonim në ambjentet e shkollës për të bërë dush. Atje ishte normale, që dushi të bëhej në banjo të hapura, pa dyer. Ishte hera e parë që shihja diçka të  tillë dhe fakti që shihja të rinj, që lëviznin lakuriqnë banjë, më shokoi. Që herën e parë që u përballa me një fakt të tillë, unë mbylla sytë dhe u ktheva në dhomë. Kur u kthyen shokët e dhomës, filluan të qeshin dhe të tallen me mua. Më vonë unë u ankova në drejtorinë e shkollës dhe u thashë, që nuk mundem të bëj dush në këtë formë. Pasi e bëra problematike çështjen, ata më caktuan një banjë të veçantë, vetëm për mua.

Të gjitha këto hyjnë në edukatën seksuale. Edhe pse fëmija është disa muajsh, nuk ka përse ta injorojmë prezencën e  tij në dhomë dhe të sillemi sikur nuk ekziston.

Pyetja e tretë: A i kushton vëmendje ndjeshmërisë së fëmijës ndaj pjesëve të turpshme, të tijat ose të dikujt tjetër?

Nëse jemi të vëmendshëm ndaj diçkaje të tillë, atëherë ky është tregues i lartë i edukatës seksuale. Në të kundërt, nëse i injorojmë sjelljet e tij mbi ndjeshmërinë dhe kuriozitetin ndaj organeve gjenitale, duke e konsideruar atë si të vogël në moshë, ky është tregues i dobët i edukatës seksuale.

Pyetja e katërt: A e lë fëmijën tënd të vetëm në shtëpi, me shërbëtoren, shoferin apo njerëz të huaj?

Nëse përgjigja është “Po” atëherë ky është tregues i edukatës së dobët seksuale të përftuar. Janë të shumta ndodhitë e padëshiruara, që ndodhin mes fëmijëve dhe shërbëtoreve, apo njerëzve të huaj. Rastet, kur shërbëtorët ose shoferët kanë përdhunuar fëmijët e vegjël, nuk janë të pakta. Rastet e sjelljeve perverse nga ana e fëmijëve, të cilët lihen me orë të tëra vetëm ose në banjo, janë të shumta.

Kështu, sa më shumë të jemi të edukuar seksualisht dhe brenda kufijve islamë, aq më shumë tregojmë kujdes dhe vëmendje në edukimin e duhur të fëmijës.

Mosha mbi pesëvjeçare

Me këtë moshë kemi synim ato fëmijë, që janë mbi pesë vjeç. Edhe për edukimin e kësaj moshe, do të përmendim disa pyetje të cilat vlerësojnë nivelin e prindërve Për sa  i përket edukatës seksuale.

Pyetja e parë: A i lëmë fëmijët tanë të kësaj moshe, të vetëm dhe për orë të tëra, në pushimin e drekës dhe në mbrëmje?

Nëse i përgjigjemi me “Po” kësaj pyetjeje, ky është tregues i dobësisë së edukatës tonë seksuale. Nëse përgjigja është “Jo”, ky është tregues, që kontrolli ynë mbi fëmijët është i fortë dhe i hollësishëm.

Mosha mbi pesëvjeçare, është moshë kur fëmijët kanë filluar t’i zbulojnë organet e tyre gjenitale, dhe nuk e dinë se çfarë mund të bëjnë me to. Ka fëmijë që i kanë prerë me thikë organet e tyre gjenitale. Ka vajza që i kanë dëmtuar rëndë organet e tyre gjenitale. Para disa kohësh një nënë më dërgoi një e-mail, ku më tregonte, se vajza e saj shtatëvjeçare, e kishte dëmtuar rëndë organin e saj femëror.

Kështu sa më shumë të edukohemi seksualisht, aq më shumë do të kujdesemi për fëmijët tanë.

Pyetja e dytë: A zhvillojmë biseda dhe debate me tematikë seksuale me fëmijët tanë të kësaj moshe?

Me këtë synojmë, që prindërit ta udhëzojnë fëmijën, vajzë qoftë apo djalë, drejt pastërtisë së duhur të organeve gjenitale, t’i shpjegojë rregullat e pastërtisë (taharet), çfarë duhet të bëjë pasi përfundon nga nevojat personale në banjë, si duhet të pastrohet etj…

Nëse ti o prind i përgjigjesh kësaj pyetjeje me “Po”, ky është tregues që niveli i edukatës tënde seksuale është i lartë.

Pyetja e tretë: Në rast të ndërrimit të veshjes së fëmijës, a e bën këtë me derën hapur apo të mbyllur?

Nëse ia ndërrojmë veshjet me derën mbyllur, ne e edukojmë djalin ose vajzën me ndjenjën e turpit. Kështu fëmija e kupton, që gjatë ndërrimit të veshjes dhe rrobave, nuk duhet ta shohë askush.

Nëse përgjigja është “Po”, atëherë niveli i edukatës seksuale tek prindërit është i lartë. Në të kundërt, këta prindër kanë nevojë t’i shtojnë njohuritë mbi edukatën seksuale.

Pyetja e katërt: Nëse fëmijët dalin jashtë shtëpisë, a tregohemi të kujdesshëm që ata – sidomos vajzat – të mos i heqin rrobat e tyre?

Është detyrë e prindërve, që t’i edukojnë fëmijët – sidomos vajzat – që të mos i heqin rrobat kur ndodhen jashtë shtëpisë, sido qofshin rrethanat. Kjo është një edukatë dhe normë morali, me të cilën duhet të edukohen vajzat dhe djemtë e moshës gjashtë-shtatë vjeçare.

Nëse fëmija juaj merr pjesë në aktivitete të ndryshme sportive, karate, not etj… prindi duhet t`i japë porosi dhe këshilla të forta, mbi mënyrën si, kur dhe ku duhet t’i ndërrojë rrobat.

Pyetja e pestë: Nëse ju si familje keni punësuar një shofer, a e lejoni vajzën tuaj gjashtë-shtatë vjeçare, të dalë me makinë në shoqërinë e shoferit?

Nëse përgjigja është “Po”, padyshim që ky është një problem në edukatën seksuale. Nëse përgjigja është “Jo”, atëherë ky është tregues i nivelit të lartë të edukatës seksuale tek prindërit.

E njëjta gjë vlen dhe për një djalë gjashtë-shtatë vjeçar, nëse lihet i vetëm për orë të tëra me shërbëtoren.

Pyetja e gjashtë: ”Në këtë moshë mes fëmijëve janë të përhapura lojëra të tilla si: Doktori dhe pacienti, nusja dhe dhëndrri etj…  Lojëra të tilla kërkojnë njëfarë intimiteti, mund të hiqen rrobat, bashkim fiziku etj… Këto lojëra, mund të zhvillohen dhe brenda shtëpisë, me kushërinjtë dhe fëmijët e të afërmve dhe nuk është kusht që ato të zhvillohen jashtë, me fëmijët e lagjes apo të rrugës.

A i pranon lojëra të tilla për fëmijët e tu o prind?

Nëse përgjigja është “Po”, ky është një gabim në edukimin e fëmijës. Nëse përgjigja është “Jo”, ky është tregues i nivelit të lartë të edukatës seksuale.

Shpeshherë fëmijët e moshës gjashtë-shtatë vjeçare, luajnë me fëmijë më të mëdhenj në moshë, të moshës dhjetë vjeçare apo më të mëdhenj. Në raste të tilla, prindërit duhet të kenë kujdes më shumë, pasi këto lojëra mund të përdoren për qëllime seksuale, gjë që do të ndikojë negativisht në të ardhmen e fëmijës.

Pyetja e shtatë: A përpiqesh ti o prind, që vajzën tënde ta veshësh me veshje të brendshme të gjata, sidomos kur ajo vesh fustan ose fund?

Vajzat e kësaj moshe e kanë në natyrë, që të luajnë, vrapojnë etj… Kështu ne si prindër e kemi detyrë, që t’ju veshim atyre veshje të brendshme dhe të gjata, të cilat ua mbulojnë këmbët. Pjesët e saj të trupit, nuk ka përse të zbulohen para të gjithë njerëzve.

Veç kësaj, a e mëson atë si të ulet, sidomos në prezencën e të tjerëve?

Nëse do të vërenim si ulen vajzat e jomuslimanëve në perëndim dhe vajzat myslimane, do të shohim se dallimi është plotësisht rrënjësor. Kur një vajzë muslimane ulet, ndihet ndjeshmëria e saj për të mbuluar çdo pjesë delikate të trupit të saj. Ndërkohë që vajzat perëndimore nuk e kanë fare problem mënyrën e uljes.

Nëse dy pyetjeve të mësipërme u përgjigjesh me “Po”, kjo tregon se kultura dhe edukata seksuale e prindërve është e një niveli të lartë. Në të kundërt, unë të këshilloj o prind, që të reflektosh dhe të përpiqesh ta edukosh vajzën tënde siç duhet seksualisht.

Pyetja e tetë: Duke qenë se disa shtëpi janë të mëdha dhe të pasura, ato punësojnë shërbëtore dhe shoferë, të cilëve u caktojnë dhe dhoma të veçanta. Nëse ti si prind i edukon fëmijët e tu, që të mos hyjnë në dhomat e punëtorëve, shërbëtore qofshin ose shoferë, kjo tregon se niveli i edukatës seksuale është i kënaqshëm dhe i mirë.

Pyetja e nëntë: A i edukon fëmijët e tu ta kontrollojnë veten? P.sh, nëse televizori për një çast jep një fragment të pahijshëm, a e ul kokën djali ose vajza jote? Ne duhet ta kultivojmë diçka të tillë tek fëmijët tanë. Nëse ne si prindër i edukojmë dhe ua kultivojmë që në vegjëli, që ta ulin shikimin para fragmenteve të pahijshme, padyshim që kjo është një edukatë seksuale pozitive dhe e duhur.

Nëse pyetjes së mësipërme i përgjigjeni me “Po” , kjo është tregues i mirë i edukatës tuaj seksuale.

Pyetja e dhjetë: Ti si prind a i ndan djemtë nga vajzat në gjumë?

Diçka e tillë është në traditën dhe nga udhëzimet e profetit Muhamed a.s, sidomos nëse fëmijët janë në moshën që fillojnë t’i dallojnë gjërat, pra në moshën gjashtë-shtatë vjeçare. Në këtë moshë është mirë, që dhoma e vajzave të ndahet nga ajo e djemve. Nëse në këtë moshë, e ndani dhomën e gjumit të vajzave nga të djemve, kjo është tregues i mirë i edukatës seksuale.

Pyetja e njëmbëdhjetë: A i mësoni fëmijët tuaj, të kërkojnë leje para se të hyjnë në dhomën e gjumit të prindërve?

Në Kuran, Zoti na mëson edhe mënyrën se si dhe kur mund të hyjë fëmija në dhomën e gjumit të prindërve. Aty përmenden kohët, kur fëmija mund të hyjë pa leje dhe kohën kur ai duhet të kërkojë leje. Koha, kur ata duhet të kërkojnë leje për të hyrë në dhomën e gjumit të prindërve, është koha e pushimi të drekës, pasi të kenë rënë gjumë natën dhe para mëngjesit.

Nëse përgjigja e pyetjes së mësipërme është “Po”, atëherë edukata seksuale është në nivelin e duhur. Në të kundërt, të këshillojmë që si prind të zhvillosh dhe shtosh njohuritë mbi edukatën seksuale.

Pyetja e dymbëdhjetë: Ne e dimë që është në traditën e Profetit a.s, që kur të shtrihemi për të fjetur, të shtrihemi në krahun e djathtë. Kjo është mirë të bëhet e shoqëruar me lutjet e duhura. Veç kësaj, Profeti a.s e shihte si diçka të papëlqyeshme, që njeriu të flerë i shtrirë përmbys, sidomos për djemtë. Pasi kjo formë e të fjeturit, shkakton një ndjesi dhe fërkim të organeve seksuale me shtratin.

Pyetja është: ”A i mësojmë dhe edukojmë fëmijët tanë – sidomos djemtë – të flenë në krahun e djathtë?

Nëse përgjigja është “Po”, kjo tregon se niveli i edukatës seksuale tek prindërit është i lartë. Në të kundërt, ke nevojë t’i shtosh njohuritë mbi edukatën seksuale të duhur.

Gjithçka sa përmendëm, hyjnë në edukatën dhe kulturën seksuale dhe nuk është diçka e re dhe risi.

Kultura seksuale në Kuran

Vetë Zoti i Madhëruar ka përmendur në Kuran dy raste, që kanë të bëjnë me kulturën seksuale. Ne të gjithë e dimë historinë e Jusufit a.s. Historia e tij është e  gjatë, por ne do të shkëpusim një fragment prej saj, i cili ka lidhje të drejtpërdrejtë me çështje seksuale.

Ky fragment konsiston në faktin, që gruaja e padronit të Jusufit a.s, u veçua me të, i mbylli të gjithë dyert dhe e ftoi në shtrat. Këto çaste i përshkruan Zoti në Kuran:

” Por ajo, në shtëpinë e së cilës gjendej ai, nisi ta joshë në kundërshtim me dëshirën e tij. Ajo ia mbylli të gjitha dyert dhe tha: “Jam e gatshme për ty”! (Jusuf 23)

Duke qenë se ajo ishte gruaja e ministrit të Egjyptit dhe i përkiste shtresës aristokrate, shtëpia e saj dhe bashkë me të dhe dhoma e gjumit, duhet të ketë qenë e madhe dhe e zbukuruar me dekoracione të ndryshme. Dhoma e gjumit duhej të paraprihej nga dyer, sallone dhe korridore, për të cilat ajo vetë u sigurua, që të ishin të mbyllur dhe të kyçura. Ajo vrapoi dhe i kyçi të gjithë dyert me më shumë se një kyç. Duke qenë se vrapoi dhe nxitoi për ta bërë këtë, normalisht iu mor dhe fryma. Në një rast të tillë, shkronja “h” është shkronja më e kollajtë për t’u shqiptuar. Kështu, ajo gjeti një fjalë, që fillon me këtë shkronjë:”hejte lek” “Jam e gatshme për ty”!

Me këtë shprehje ajo e ftonte Jusufin a.s për në shtrat.  Ky është një fragment, që ka të bëjë me seksin.

Zakonisht, kur dikush prej nesh ndjek një film, ai simpatizon personazhin kryesor të filmit dhe gjatë gjithë kohës ai qëndron në krahun e tij dhe uron më të mirën për të.

Ndërkohë që në historinë e Jusufit a.s, secili prej nesh uron, që Jusufi të mos tundohet. Kjo, edhe pse çështjet me përmbajtje erotike dhe seksuale janë të dashura për të gjithë.

Kjo tregon mrekullinë në ilustrimin e ngjarjeve në Kuranin famëlartë. Edhe pse është diçka e dashur për nefsin, Zoti e ka ilustruar në atë formë, që secili prej nesh uron të mos ndodhë.

Këto ajete, që flasin mbi joshjen dhe provokimin e gruas së ministrit të Egjyptit dhe qëndresës së Jusufit a.s, janë të përmendura në Kuranin famëlartë. Këto ajete i lexon fëmija i vogël, burri dhe gruaja, i martuari dhe beqari. Megjithatë, këto ajete nuk shihen si diçka e turpshme, madje ato lexohen në Qabe edhe gjatë namazit të natës në Ramazan. Kjo, edhe pse ato përmbajnë fragmente erotike. Suksesi dhe qëndrueshmëria që tregoi Jusufi a.s para kësaj sprove, i dedikohet besimit të tij. Ishte besimi ai, që e bëri të qëndrueshëm.

Një ngjarje e përafërt ka ndodhur dhe në kohën e Kalifatit të Umer ibnul Hattabit (r.a). Një vajze në Medine, i pëlqente një djalë dhe një ditë i del para dhe i thotë: ”Kam një dele dhe dua të më ndihmosh për ta mjelë”.

Duke dashur që t’i ofrojë ndihmë, djaloshi pranoi. Vajza e udhëhoqi drejt shtëpisë. Me të hyrë brenda, vajza hyri në një dhomë, veshi rroba të tjera joshëse dhe kur doli sërish, i tha djaloshit: ”Tani jam e gatëshme për ty”.

Djaloshi u hutua nga kjo sjellje, ngaqë nuk e priste. Menjëherë ai mbylli sytë, u drejtua nga Qabeja dhe filloi të falet.

E gjendur para një fakti të tillë, vajza filloi të ulërijë me të madhe dhe të kërkojë ndihmë nga komshinjtë. Menjëherë, komshinjtë ia behën në vend dhe ajo u tha, se djali që ndodhej në shtëpinë e saj, tentoi ta çnderojë.

Komshinjtë e lidhën të riun dhe e dërguan para Umer ibnul Hattabit, Halifes. Menjëherë Umeri kërkoi t’i shpjegojë se ç’kishte ngjarë.

Djali ia rrëfeu gjithçka, sipas mënyrës që në të vërtetë kishte ngjarë.

Umeri e pyeti nëse e kujtonte atë vajzë po ta shihte sërish dhe djali ia pohoi këtë. Umeri urdhëroi që të gjithë gratë e asaj zone të silleshin në gjykatë. Me të ardhur, ai e mori të riun dhe i tha: ”Tani më trego kush ishte vajza, që të provokoi”!

Menjëherë djali e njohu vajzën dhe ia tregoi Umerit. Ai, e thirri pranë tij dhe i tha: ”Tani do të më tregosh të vërtetën mbi atë që ka ngjarë”! dhe vajza ia rrëfeu gjithçka që kishte ngjarë, ashtu siç ia kishte rrëfyer vetë djali dhe se ishte ajo, që e kishte provokuar dhe joshur.

Kur e dëgjoi këtë, Umeri tha: ”Të falënderoj o Zot, që mes umetit të Muhamedit ke bërë të rinj, që i përngjajnë Jusufit a.s.”

Kështu, ndërkohë që flasim mbi rëndësinë e edukatës seksuale, do e pasurojmë atë me shembuj dhe histori të ndryshme me tematikë besimi, pasi është besimi ai që e frenon të rinjtë nga punët e ulëta.

Në Kuranin famëlartë përmendet dhe një fragment tjetër me tematikë seksuale. Ne të gjithë e dimë historinë e Musait a.s me dy vajzat e Shuajbit a.s. Pasi Musai a.s i ndihmoi tek pusi për t’u dhënë ujë bagëtisë, ata vajtën tek babai i tyre dhe i treguan gjithçka që kishte ndodhur. Shuajbi a.s u kërkoi, që të shkonin dhe ta sillnin Musanë a.s në shtëpi. Kur Musai a.s erdhi në shtëpinë e Shuajbit a.s dhe të dy biseduan gjerë e gjatë, një nga vajzat i tha babait: “O babai im, – tha njëra nga ato të dyja – merre këtë njeri në shërbim! Sigurisht që njerëzit e fortë dhe të besueshëm janë më të mirët, që dikush mund të marrë në shërbim”, (Kasas: 26)

Shuajbi, menjëherë e kuptoi mesazhin e këtyre fjalëve. Ai e kuptoi, që vajza e tij e donte këtë të ri, që u kishte shkelur në derë. Pa u vonuar, ai i respektoi ndjenjat e vajzës së tij dhe reagoi. Kështu i propozoi Musait a.s: ”Plaku tha: “Unë dua të të jap për grua njërën prej këtyre dy bijave të mia, me kusht që të më shërbesh mua tetë vjet; por, nëse dëshiron, mund të qëndrosh dhjetë vjet. Unë nuk dëshiroj të t’i rëndoj gjërat. Ti do të shohësh, në dashtë Allahu, se jam një njeri i mirë”. (Kasas 27)

Këto dy ajete kanë përmbajtje të lartë edukative dhe shoqërore. Babai i vajzës, Shuajbi a.s, i kuptoi shikimet plot dashuri dhe pasion të vajzës së tij. Kështu, sapo vajza i propozoi, që këtë të ri (pra Musanë a.s) ta punësojë pasi është besnik dhe i fuqishëm, ai i propozoi Musait a.s që të martohej me vajzën e tij.

Për sa  i përket edukatës seksuale, ne myslimanët posedojmë një trashëgimi shumë të pasur dhe të dobishme në të njëjtën kohë.

Mosha dhjetë vjeçare

Edhe për moshën dhjetëvjeçare e lart, do të përdorim pyetësorin për të zbuluar nivelin e eduktës seksuale të prindërve.

Pyetja e parë: Kjo pyetje ka të bëjë vetëm me vajzat, që kanë mbushur dhjetë vjeç. A ia sqaron ti o nënë një vajze në këtë moshë, kuptimin e pubertetit dhe të menstruacioneve?

Nëse është nëna ajo, që i flet vajzës mbi të përmuajshmet dhe moshën e pubertetit, kjo është shumë më e dobishme, sesa vajza t’i marrë këto informacione nga burime të jashtme dhe të pasigurta.

A e dini se sa është shpenzuar për industrinë e seksit vetëm në vitin 2001, sipas statistikave të Kombeve të Bashkuara? Vetëm gjatë këtij viti janë shpenzuar 250 trilionë dollarë për të reklamuar seksin dhe prostitucionin.

A e dini se sot tregtia e seksit është tregtia e tretë më e madhe dhe e fuqishme? Vendin e parë e zënë drogat dhe lojërat e fatit.

Sot ekzistojnë kompani, organizata dhe institucione të panumërta, të specializuara për degjenerimin e të rinjve dhe të rejave. Normalisht ata nuk e konsiderojnë degjenerim diçka të tillë, ata e shohin si një fushë, ku mund të ushtrojnë aktivitetin tregtar dhe fitimprurës. Tregtinë e seksit ata e shohin si çdo tregti dhe biznes tjetër. Ndërkohë që ne si myslimanë dhe kulturë islame e shohim si degjenerim, shkatërrim dhe rrënim të vlerave njerëzore.

Nëse të rinjtë dhe të rejat tona nuk janë të imunizuar, ata do të joshen dhe do të jepen pas globalizmit kulturor, i cili nuk është veçse globalizëm i imoralitetit dhe i degjenerimit.

Pyetja e dytë: A ke biseduar me vajzën tënde mbi ngacmimet dhe dhunën seksuale? A i ke rrëfyer vajzës tënde histori dhe ngjarje të përjetuara mbi dhunën seksuale?

Nëse i përgjigjesh me “Po”, kësaj pyetjeje, ky është tregues që vajza jote ka përftuar një edukatë seksuale të nevojshme. Në të kundërt, një edukatë e tillë ka mangësi dhe kërkon të korrigjohet sa më shpejt.

Pyetja e tretë: Nëse vajza kërkon të dalë dhe babai i saj e ndalon, a ia sqaron nëna vajzës arsyet dhe shkaqet, që e bëjnë babanë të refuzojë?

La ta konkretizojmë këtë me një shembull. Nëse vajza kërkon të shkojë të vizitojë shoqen e saj, por nuk ka dikë që ta shoqërojë përveç shoferit të punësuar. Ajo i kërkon leje babait dhe i thotë, se është shoferi ai që do e shoqërojë deri në shtëpinë e shoqes. Normalisht, babai e refuzon diçka të tillë, gjë që e mërzit vajzën, madje e bën të qajë.

Në një rast të tillë, ti si nënë e ke detyrë që të ndërhysh dhe t’ia bësh të qartë vajzës arsyet, përse babai i saj refuzoi. Ti duhet t’i thuash, që një vajzë në moshën e saj, nuk duhet të udhëtojë e vetme në makinë me shoferin, i cili është njeri i huaj dhe vjen nga një vend të huaj. Ajo mund t’i tregojë dhe ngjarje të ndodhura mbi sulme dhe dhunë seksuale të ushtruar ndaj vajzave të asaj moshe, pikërisht nga njerëz të tillë.

Kështu e ëma duhet t’ia sqarojë vajzës shkaqet dhe arsyet, që e detyrojnë babanë të refuzojë kërkesa të tilla. E gjitha kjo hyn dhe konsiderohet edukatë seksuale.

Kjo nuk do të thotë, që nëna t’i paraqesë rreziqet seksuale dhe se shoferi mund ta sulmojë dhe përdhunojë. Jo jo. diçka e tillë nuk është e këshillueshme. Nëna duhet t’i flasë vajzës mbi këto rreziqe në mënyrë indirekte dhe që i përshtaten nivelit të vajzës.

Këtu mund të hyjnë dhe marrëdhëniet e saj me kushërinjtë (djem) dhe kushdo tjetër i afërt apo i largët.

Nëse përgjigja e pyetjes së mësipërme është “Po”, ky është tregues i kulturës dhe nivelit të lartë të edukatës seksuale tek nëna.

Pyetja e katërt: Morali i turpit sot është nga moralet më të rrallë që hasim, sidomos tek të rinjtë. Ajo që e zbukuron dhe hijeshon më së shumti një vajzë, është morali i turpit. Morali i turpit është pjesë e edukatës seksuale.

Prandaj, kur Zoti i madhëruar e përshkruan vajzën e Shuajbit duke vajtur ta ftojë Musanë në shtëpinë e saj, thotë: ”Më vonë, njëra nga ato dyja erdhi me ndrojtje…” (Kasas 25)

Pyetja është: Vallë a i kemi edukuar vajzat tona me ndjenjën dhe moralin e turpit? A i edukojmë ato, që të mos shohin veçse gjëra të hijshme dhe hallall?

Nëse përgjigja është “Po” atëherë edukata seksuale është në nivelet e saj më të larta.

Pyetja e pestë: A ke filluar ta mësosh dhe ushtrosh vajzën tënde, që të mos vishet me rroba të shkurtra? Pas moshës dhjetëvjeçare, vajza duhet të parapërgatitet për periudhën e pubertetit dhe ndryshimet që e shoqërojnë atë.

Dikush mund ta fillojë këtë parapërgatitje që në moshë më të hershme, sipas ambientit dhe vendit ku jeton.

Kështu, që në këtë moshë ne duhet ta mësojmë vajzën tonë, që të mos vishet me të shkurtra dhe të tejdukshme, qoftë edhe brenda në familje.

Pyetja e gjashtë: Në këtë moshë dhe sidomos me shoqet e shkollës, fillojnë të shtohen përqafimet, prekjet, ledhatimet etj… mes shoqeve, prandaj është mirë, që vajzës t’i thuhet në mënyrë indirekte dhe të pranueshme, që të tregohet e kujdesshme, pasi nuk dihet qëllimi i shoqeve dhe kolegeve.

Këto ishin pyetjet përsa i përket vajzave të moshës dhjetë vjeçare e sipër. Kurse përsa i përket djemve, pyetjet janë:

Pyetja e parë: A i ke folur djalit tënd o baba, mbi pubertetin, ejakulimin gjatë gjumit, si ndodh, dallimin mes një djali që nuk e ka mbushur moshën e pubertetit dhe atij që e ka mbushur këtë moshë etj… ? A ia shpjegon këto gjëra djalit tënd o baba?

Nëse përgjigja është “Po”, kjo është tregues i nivelit të lartë të edukatës seksuale tek babai.

Pyetja e dytë: A i flet djalit tënd dhjetëvjeçar mbi sulmet dhe dhunën seksuale të ushtruar ndaj fëmijëve? A i rrëfen ndodhi të përjetuara?

Nëse përgjigja është “po”, kjo është tregues i nivelit të lartë të edukatës seksuale.

Pyetja e tretë: A i flet djalit mbi kujdesin që duhet të bëjë në lidhje me marrëdhëniet, që ndërton me shokët dhe kolegët, sidomos nëse djali ka pamje të hijshme dhe tërheqëse?

Fëmijët e kësaj moshe duhet t’i imunizojmë dhe ndërgjegjësojmë mbi disa dukuri negative, por në formë jo të drejtpërdrejtë.

Pyetja e katërt: A e edukon djalin tënde me moralin e turpit? Turpi nuk është një moral, me të cilin duhet të karakterizohen vetëm vajzat, por dhe djemtë.

Mosha e pubertetit dhe pyetësori rreth kësaj moshe

Vallë si duhet ta trajtojnë dhe edukojnë prindërit një vajzë ose një djalë, të cilët kanë hyrë në moshën e pubertetit? Cili është roli i tyre në këtë moshë delikate?

Mosha e pubertetit shoqërohet me disa ndryshime si tek djali ashtu tek vajza, ndryshime të cilat i ndihmojnë prindërit të zbulojnë, nëse fëmija i tyre ka hyrë në këtë moshë apo jo. Këto ndryshime konsistojnë në ndryshimin ose trashjen e zërit tek djemtë, daljen e qimeve në fytyrë, sqetulla dhe rreth organeve gjenitale etj…

Pyetësori që ndihmon në vlerësimin e edukatës seksuale në këtë moshë, është:

Pyetja e parë: A ia shpjegojnë prindërit (babai djalit dhe nëna vajzës) mënyrën si formohet embrioni në barkun e nënës? A i mësojnë se mënyra e vetme dhe e lejuar në Islam për formimin embrionit në barkun e nënës, është martesa? A e bën diçka të tillë me djalin tënd o baba dhe me vajzën tënde o nënë?

Nëse dikush ua ka mësuar dhe sqaruar diçka të tillë, që kur fëmijët ishin në moshën dhjetë vjeçare, kjo është akoma më mirë. Sidomos nëse fëmija shquhet për pjekuri dhe ky informacion i përshtatet nivelit të tij.

Përsa i përket edukatës dhe kulturës seksuale, ekzistojnë forma, shkolla dhe opinione të ndryshme. Ka prej tyre, që edukatën seksuale e konceptojnë si lirinë për të dëgjuar, parë dhe vepruar çdo gjë.

Me këtë rast, më kujtohet një program që transmetohej në kanalin satelitor A.R.T, ku tema e emisionit ishte “Mosha e pjekurisë”. Të ftuar ishin një grup profesorësh dhe doktorësh, që i përkasin kësaj fushe. Mes tyre ishte dhe një grua, e cila kishte mbrojtur doktoraturën në psikologji. Ajo e konceptonte edukatën seksuale si liri absolute për të vepruar ç’të duash. Ajo nuk shihte asnjë problem nga degjenerimi, shthurja, sjelljet perverse etj… Madje ajo mendonte, se nuk ka asgjë të keqe, të shfaqen filma dhe programe me përmbajtje pornografike në çdo kohë.

Debatet dhe diskutimet vazhduan për një kohë të gjatë, derisa në fund e pyeta: ”Atëherë ju e përkrahni lirinë absolute”?!

“Po – u përgjigj ajo – ç`të keqe ka, nëse TV-të shfaqin atë që ndodh realisht, edhe pse bëhet fjalë për programe me përmbajtje seksuale dhe pornografike”?!

Unë e pyeta: ”A keni fëmijë të seksit femër”?

“Po” – u përgjigj ajo.

Unë i thashë: ”Zakonisht në filmat me përmbajtje skemash seksi ose dhune, shkruhet që një film të tillë duhet ta shohin fëmijë mbi tetëmbëdhjetë vjeç.

Ta zëmë se ti je e ulur dhe bashkë me vajzën tënde nëntëmbëdhjetë vjeçare dhe po ndiqni programet e televizionit. Në një çast fillon një film i ri dhe para se filmi të fillojë, televizioni tërheq vëmendjen që këtë film duhet ta shohin vetëm fëmijë, që janë mbi tetëmbëdhjetë vjeç, pasi përmban skena seksuale.

Në një rast të tillë a do e lejonit vajzën tënde nëntëmbëdhjetë vjeçare, ta shohë këtë film bashkë me ty”?

Ajo u përgjigj: ”Sigurisht, nuk ka asgjë të keqe në këtë mes. Ajo është nëntëmbëdhjetë vjeçare tashmë”.

Unë i thashë: ”Nëse vajza jote do të ishte shtatëmbëdhjetë vjeçe, e njëmbëdhjetë muaj e njëzet e nëntë ditë, a do e lejoje ta shohë atë film? Apo do i kërkoje të ngrihet dhe vetëm pasi të ketë kaluar edhe ajo ditë, ajo është e lirë ta shohë atë film dhe çdo film tjetër”?

Doktoresha heshti dhe nuk u përgjigj fare.

Unë ndërhyra përsëri dhe i thashë: ”Përgjigju doktoreshë e nderuar, do e lejoje apo jo”?

Ajo përsëri heshti dhe nuk u përgjigj.

Unë i thashë: ”Atëherë a e shkon të logjikshëm kriterin e moshës tetëmbëdhjetë vjeç dhe pas kësaj moshe e lejon vajzën të shohë filma me skena seksi? Fakti që shoqëritë perëndimore kanë vendosur kritere për të ndjekur programe dhe filma me përmbajtje seksuale, do të thotë që ne si shoqëri kemi të drejtën tonë, që të caktojmë kriteret tona, sipas traditës dhe fesë që i përkasim”.

Ajo sërish heshti dhe nuk foli, pasi nuk dinte ç’të thoshte. Ajo nuk dinte ç’të thoshte, pasi një edukatë dhe kulturë e tillë është e gabuar. Si është e mundur t’i lejojmë fëmijët tanë, të shohin fragmente me përmbajtje seksi dhe të mos shqetësohemi?!

Kështu roli i prindërve është, që t’i edukojnë fëmijët, se mënyra e vetme pë të lindur, është nëpërmjet martesës. Atyre u duhet folur edhe mbi llojet e martesave të sotme, ku kemi martesa edhe mes meshkujve dhe femrave. Ndërkohë që ne si muslimanë, jemi për martesa mes dy sekseve dhe jo për lidhje jashtëmartesore. Zoti e krijoi femrën (Havanë) për burrin (Ademin). Diçka e tillë është një nga ligjet e Zotit në gjithësi. Nëse ky ligj shkelet dhe nuk respektohet, atëherë bëhemi dëshmitarë të degjenerimit, perversitetit dhe sëmundjeve të rënda që janë përhapur.

Pyetja e dytë: A e sqarojmë vajzën mbi rëndësinë dhe vendin që zë hixhabi, sidomos pas pubertetit? A përpiqemi që t’ia bëjmë hixhabin të dashur? Padyshim që edhe kjo hyn tek edukata seksuale. Duke e edukuar vajzën me mbulesën islame, e edukojmë atë të jetë e ndershme dhe e moralshme, gjë e cila është koncept seksual.

Pyetja e tretë: A u flasim vajzave tona, që përzierja, lojrat dhe qëndrimi me djem, nuk është i lejueshëm në Islam? Po djalit, ai ia përçojmë të njëjtën ide?

Pyetja e katërt: A u flasim djemve dhe vajzave të kësaj moshe mbi rëndësinë e larjes (gusul) sidomos në rast ejakulimi të spermës? A ua mësoni mënyrën e pastrimit dhe të guslit?

Pyetja e pestë: A u mëson si të sillen dhe të reagojnë ndaj atyre, që u shpërndajnë filma, dokumentarë apo materiale me përmbajtje pornografike? Në disa shkolla dhe ambjente arsimi ndodh, që të rinjtë të shpërndajnë materiale me përmbajtje pornografike, faqe interneti me foto të pahijshme etj… Nëse ne i mësojmë dhe edukojnë si të reagojnë në një rast të tillë, atëherë ky është tregues i nivelit të lartë të edukatës seksuale.

Pyetja e gjashtë: Gjatë kësaj moshe, të rinjtë mund të përjetojnë lidhje dashurie, sidomos me bashkëmoshataret e tyre. A i kshillojmë vajzat dhe djemtë tanë, se si të reagojnë dhe të sillen, nëse përballen me ndjenja dhe lidhje të tilla? Padyshim që edhe kjo hyn në edukatën seksuale.

Një herë, më erdhi një prind dhe më tha: ”O Xhasim! Më ka ndodhur një hall dhe gjëmë e madhe”!

“Po çfarë të ka ndodhur?” – e pyeta unë.

Ai më tha: ”Kam një vajzë katërmbëdhjetë vjeçare. Ajo është shumë e mirë, fal pesë kohët e namazit, është e mbuluar me hixhab, me rezultate të larta në shkollë, e respektueshme dhe mëson Kuran përmendësh. Një ditë, kur hyra në shtëpi, u shokova pasi e dëgjova të flasë në telefon me një djalë”.

Unë e pyeta: ”Po ti, si reagove”?

Ai më tha: ”Hyra në dhomën e saj, theva aparatin e telefonit, e humba toruan dhe nuk dija çfarë thoja dhe veproja. Madje e qëllova dhe ka tre ditë që e kam mbyllur në dhomën e saj”.

Unë e pyeta: ”Me këtë që ke bërë, dëshiroje të ndëshkoje veten tënde apo vajzën?! A kështu e edukon vajzën?! Me këtë, ti i ke tejkaluar të gjithë kompetencat. Padyshim që ajo që ka bërë vajza jote është gabim. Por dua të di prej teje vetëm diçka: “A e ke parapërgatitur dhe edukuar vajzën tënde seksualisht”?

Ai pyeti: ”Çfarë?! E çfarë duhet t’i mësoja?!”

Unë fillova t’i shpjegoj gjërat, që një prind duhet t’ia mësojë fëmijëve, mbi marrëdhëniet dhe kufijtë mes dy gjinive dhe pashë, që ai nuk i kishte folur fare mbi këtë çështje.

Në fund ai më pyeti: ”Mirë, po tani si t’ia bëjmë”?

Unë i thashë: ”Nëse do të ndodhesha në pozicionin tënd, unë do të ulesha me vajzën dhe do i thosha: ”O bija ime! Dëshira ime është që të të shoh të martuar. Nëse ti ke marrëdhënie me këtë djalë dhe e do atë, unë dua që këto marrëdhënie t’i kurorëzoj me martesë. Besoj se ti nuk je kundër kësaj! Prandaj ma jep numrin e tij të telefonit, ta ftoj të vijë në shtëpi, të bisedojmë dhe ta njohim fillimisht. Nëse ai është djalë i mirë, i ndershëm, i respektueshëm etj… le ta kurorëzojmë këtë lidhje me fejesë dhe më pas me martesë. Në të kundërt, nëse ai nuk të përshtatet, unë të ndihmoj që ta heqësh qafe”.

Ai më pyeti: ”Të flas me vajzën në këtë mënyrë”?!

Unë i thashë: ”Ky është propozimi im. Nëse e ke të vështirë, atëherë vazhdo sipas mënyrës tënde duke e mbajtur vajzën të mbyllur në dhomë”.

Ai më tha: ”Unë po e provoj njëherë”.

Unë i thashë: ”Kur të flasësh me vajzën, përpiqu ta bindësh dhe ta bësh të ndjejë, se ti po i ofron ndihmë. Nëse fëmijët tanë bien në një gropë, ne duhet t’u zgjasim dorën t’i nxjerrim nga gropa dhe jo t’i shtyjmë më poshtë”.

Ky prind vajti në shtëpi, u ul me vajzën dhe i tha: ”O bija ime! Kjo që ke bërë, padyshim që është një gabim i madh. Unë dua të të ndihmoj dhe dua që të gjejmë një zgjidhje të duhur. Tashmë ti je e rritur dhe nëse e do atë djalë, përse të mos martohesh me të”?!

Vajza i thotë: ”Unë e dua atë dhe ai më do”.

Tregon babai: ”Këto fjalë të vajzës më çmendën fare. Megjithatë e mbajta veten dhe i thashë: ”Dakord! Merre tani në telefon dhe ftoje të vijë në shtëpi. Nëse ai është djalë i mirë, i ndershëm dhe i përshtatshëm, unë jam dakord që ju të martoheni”.

Këto fjalë e gëzuan pa masë vajzën. Kështu ajo vajti tek telefoni, e aktivizoi atë me zë të lartë dhe foli me të dashurin e saj, të cilit i tregoi, që babai priste që ai të vijë në shtëpi, të njihej me të dhe më vonë të mendonin në çështjen e martesës.

Nga ana e tij, djali i tha: ”Çfarë të bëj?! Të vij t’ju vizitoj në shtëpi dhe të bisedoj me babanë tënd”?!

Vajza: ”Ti vetë më ke thënë se më do dhe dëshiron të fejohesh dhe martohesh me mua”!

Djali: ”Jo, jo, jo! Ti e paske besuar këtë?! Unë thjesht kam dashur të kemi lidhje dhe të dëfrehemi, por nuk më ka shkuar në mendje të martohemi”.

Tregon babai i vajzës: ”Të gjithë këto fjalë unë i dëgjova. Në ato çaste, vajza ime nuk e deshi më veten. Ajo e mbylli telefonin dhe duke qarë me ngashërime u përplas në kraharorin tim dhe më tha: ”Ai qenka vetëm një mashtrues dhe i poshtër…”

Kështu gjithë ky problem i madh, u mbyll pa telashe. Unë kam qenë dhe jam, për t’i trajtuar probleme të tilla me dialog, me të butë dhe urtësi.

Histori të ndryshme

Gjithçka sa përmendëm më sipër, tregon që koncepti i edukatës seksuale në Islam, është më gjithëpërfshirës se koncepti perëndimor i saj. Sot edukata seksuale shihet vetëm në kontekstin e aktit dhe marrëdhënieve seksuale mes dy gjinive.

Unë do të dëshiroja që ne si myslimanë të përpilonim dhe të kishim metoda të mirëfillta të edukatës seksuale, sidomos nëse janë të pasuruara me tekste nga Kurani dhe tradita profetike. Ndodhitë, që kanë ndodhur gjatë jetës së Profetit a.s mbi këtë fushë, nuk janë të pakta. Një ndër to, është dhe ajo që u bë shkak që të shpallet dhe ajeti: ”Fale namazin në mëngjes e mbrëmje dhe në një kohë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat”. (Hud 114)

Një grua nga banorët e Medines, shkoi në dyqanin ku shiteshin hurmat dhe i kërkoi shitësit të blejë një sasi të caktuar.

Shitësi i tha: ”Hyr dhe zgjidhi brenda, pasi hurmat që ndodhen aty, janë më cilësore”.

Me të hyrë brenda, shitësi e puthi këtë grua dhe e ngacmoi seksualisht.

Më vonë, pasi gruaja u largua, shitësi filloi të reflektojë mbi atë që kishte vepruar. Si vallë e kishte bërë një vepër të tillë?

I prekur nga ajo që kishte vepruar, shitësi vajti tek Umer ibnul Hattabi (r.a) dhe i tregoi gjithçka kishte ndodhur.

Umeri i tha: ”Mos i trego askujt tjetër për këtë që ke vepruar! Mos e zbulo, atë që ta mbuloi Zoti”!

Edhe pse Umeri e qetësoi, gjynahu që kishte vepruar nuk e linte të qetë. Ai nuk dëshironte që diçka e tillë të kalonte kaq kollaj. Kështu, vajti tek Ebu Bekri (r.a) dhe i rrëfeu gjithçka kishte ndodhur. Ebu Bekri i tha të njëjtat fjalë si Umeri.

Edhe përgjigja e Ebu Bekrit nuk e qetësoi. Menjëherë, ai filloi të kërkojë të dërguarin e Zotit, të cilin e gjeti të ulur në xhami. Kur hyri në xhami, akoma nuk ishte thirrur ikameti i iqindisë.

Para të gjithë muslimanëve që ndodheshin në xhami, shitësi iu drejtua Profetit a.s dhe i tha:”O i dërguar i Zotit! Unë kam puthur një grua të huaj! Çfarë duhet të bëj tani”?

Profeti a.s uli kokën në shenjë mospëlqimi dhe nuk i foli.

shitësi i tha përsëri: ”O i dërguar i Zotit! Unë kam puthur një grua të huaj! Çfarë duhet të bëj tani”?

Profeti a.s u drejtua nga Bilali dhe i tha:”Thirre ikametin o Bilal”!

Kështu të gjithë falën namazin e iqindisë. Pasi përfundoi namazi, Profeti a.s u kthye nga njerëzit dhe i pyeti:”Kush ishte ai që më pyeti para namazit?”

Shitësi ngriti dorën dhe tha: ”Jam unë o i dërguari i Zotit”.

Profeti a.s e pyeti: ”A ke marrë abdes siç morëm të gjithë ne”?

Burri iu përgjigj: ”Po”.

Profeti a.s e pyeti: ”A u fale bashkë me ne”?

Burri iu përgjigj: ”Po”.

Atëherë Profeti a.s i tha: ”Zoti ta ka falur atë gjynah dhe më ka shpallur këtë ajet: ”Fale namazin në mëngjes e mbrëmje dhe në një kohë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat”. (Hud 114)

Kur e dëgjuan këtë, muslimanët që ishin prezentë pyetën: ”A vetëm për këtë njeri është ky nder o i dërguar i Zotit”?!

Profeti a.s u tha:”Për atë dhe për të gjithë umetin tim”.

Edhe pse ishte një gjynah, madje i rëndë, Profeti a.s na mëson si duhet t’i trajtojmë dhe t’i zgjidhim.

Sot shumë vajza bien pre e fjalëve të bukura të djemve dhe pranojnë të kenë lidhje me ta. Kur prindërit e kuptojnë këtë, disa prej tyre mund edhe ta vrasin vajzën. Disa të tjerë e kyçin dhe e mbyllin atë në shtëpi. Ndërkohë, që prindër të tjerë zgjedhin rrugën e dialogut dhe e zgjidhin me qetësi këtë problem.

Edhe pse shitësi kishte puthur një grua të huaj, e kishte prekur dhe ngacmuar atë seksualisht, Profeti a.s e zgjidhi këtë problem me urtësi.

T’i ekzagjerosh problemet, që kanë të bëjnë me nderin, është  gabim. Po ashtu është e gabuar, t’i injorojmë dhe shpërfillim ato probleme. Ne duhet ta trajtojmë çdo problem seksual sipas përmasave të tij.

Gabimi që bëri shitësi, i cili ishte një nga shokët dhe bashkëkohësit e Profetit a.s, është një gabim, të cilin mund ta veprojë kushdo. Prandaj Profeti a.s dhe dijetarët tanë të nderuar na mësojnë dhe edukojnë, si ta ruajmë veten në raste të tilla. Por edhe nëse shkasim, ata na msojnë, se si të veprojmë për ta korrigjuar gabimin.

Një me një

Një me një, është një ndodhi tjetër, me përmbajtje erotike dhe seksuale. Ajo është një ndodhi, prej të cilës prindërit përfitojnë shumë, sidomos në edukatën seksuale që duan t’ju përçojnë fëmijëve.

Një prind kishte dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Kur djali mbushi moshën e pjekurisë, i kërkoi leje të atit për të vajtur në kurbet. Duke qenë se e gjithë familja ishte familje e ndershme, e fisshme dhe e përkushtuar në fe, babai e këshilloi të birin para se të niset, me fjalët: ”O biri im! Mbështetju Zotit në çdo gjë! Këshilla e vetme që kam dhe që dua ta kesh gjithmonë parasysh është, që të mos i shkelësh urdhrat e Zotit gjatë qëndrimit tënd në kurbet dhe sidomos në lidhje me gjininë tjetër”.

Duke qenë se banonin në një vend ku uji ishte i pakët, ata kishin punësuar dikë, që u sillte ujë kundrejt një shpërblimi. Çdo ditë furnizuesi i ujit vinte dhe ajo që ia hapte derën ishte vajza. Gjatë gjithë atyre viteve, asgjë e keqe nuk kishte ndodhur. Por një ditë, kur furnizuesi i ujit do të dilte, e puthi papritur vajzën në faqe dhe doli. Pasi kaluan disa kohë, djali i shtëpisë u kthye nga kurbeti.

Ai u përshëndet me familjen dhe të afërmit dhe u ul të bisedojë dhe t’i rrëfejë babait mbi udhëtimin dhe eksperiencën e tij në kurbet. Gjatë bisedës babai e pyeti: ”O biri im! A ke bërë ndonjë gjynah gjatë qëndrimit tënd në kurbet?”

Djali uli kokën dhe nuk foli.

Babai e pyeti sërish: ”A ke bërë ndonjë gjynah atje”?

Djali sërish heshti dhe nuk foli.

Kur e pyeti për të tretën herë, djali i tha: ”Të them të drejtën o baba, ka ndodhur diçka e papëlqyeshme. Gjatë qëndrimit tim në kurbet, më pëlqeu një vajzë dhe ajo që ndodhi është se e kam puthur vetëm një herë. Asgjë më shumë”.

Atëherë babai tha: ”Një me një, nëse do e kishe shtuar, do e kishte shtuar dhe furnizuesi i ujit”.

Morali i kësaj ndodhie është shumë domethënës dhe është shumë i vlefshëm për edukimin e fëmijëve dhe brezit të ri. Është shumë e dobishme, që fëmijëve dhe brezit të ri t’u thuhet, që do të korrin atë që kanë mbjellë. 

Sot është bërë zakon që si djali ashtu dhe vajza të lëvizin dhe udhëtojnë në vende të ndryshme. Ajo që do i mbrojë nga çdo gjë e keqe dhe e ligë, është besimi dhe devotshmëria e tyre.

Thotë imam Shafiu në disa vargje:

Jini të ndershëm, të jenë të tilla dhe gratë tuaja

Distancohuni nga gjërat e pahijshme për muslimanin

Imoraliteti është një borxh që po e more

E shlyen familje jote o njeri

Nëse i edukojmë fëmijët tanë me këto vlera, i ofrojmë modelin e Jusufit a.s dhe të gjithë atyre të rinjve, që e kanë refuzuar imoralitetin, i rrëfejmë ndodhinë e mësipërme “Një me një”, i mësojmë vjershat e lartpërmendura të imam Shafiut etj… Padyshim që kjo do i frenojë para degjenerimit, që shohim çdo orë dhe çast.

Me këtë ne nuk duam t’u kallim datën nga seksi dhe nuk duam që seksin ta shohin si lugat të frikshëm. Jo, jo. Seksi është një nga mirësitë e Zotit të Madhëruar, të cilin duhet ta shfrytëzojmë në dobinë tonë.

Nëse ne dhe fëmijët tanë gabojmë, modeli ynë në raste të tilla janë shokët e Profetit a.s dhe të gjithë ata njerëz të cilët kanë gabuar, por pas gabimit janë penduar dhe distancuar nga vepra e keqe. Secili prej nesh është i ekspozuar ndaj gabimeve dhe shkarjeve.

Teksa po kthehej bashkë me ushtrinë nga një betejë, Profeti a.s ishte afruar pranë njërit prej shokëve të tij, Xhabir ibnu Abdulah. Ai ishte i ri në moshë dhe Profeti a.s e pyeti: ”A je martuar o Xhabir”?

 “Po, o i dërguar i Zotit” – i tha Xhabir.

Profeti a.s e pyeti: ”A me një vajzë (të pamartuar më parë) o Xhabir”?

Xhabir ia ktheu Jo o i dërguar i Zotit (pasi ishte martuar me një grua të ve).

Profeti a.s e pyeti:”Po përse nuk u martove me një vajzë o Xhabir, që të luash me të dhe ajo të luajë me ty”?

Xhabir ia ktheu: ”Babai më vdiq dhe më la nëntë motra në shtëpi. Prandaj desha të martohem me një grua, që t’ju shërbejë”.

Më pas profeti a.s i tha:”O Xhabir, ne nuk do të hyjmë në Medine, derisa gruaja jote ta marrë vesh që po vjen dhe të përgatisë jastëkët dhe shtratin për ty”.

E gjithë kjo nuk është gjë tjetër, përveçse edukatë seksuale. Edhe pse Profet, ai nuk shihte gjë të keqe që ta informojë një të sapomartuar të ri mbi gjëra, që kanë të bëjnë me aktivitetin seksual të një mashkulli. Gjëra të tilla hyjnë në abc-në e edukatës seksuale dhe vetë edukata seksuale na orienton mbi mënyrën e trajtimit të seksit tjetër, qoftë bashkëshorte, vajzë, nënë, e huaj etj… dhe anasjelltas.

Ne nuk themi siç thotë Frojdi, i cili pohon se njeriu që ditët e para të lindjes ndjen dhe provon kënaqësi seksuale dhe se duke thithur gjirin e nënës, ai nuk bën gjë tjetër veçse plotëson kënaqësitë e tij seksuale.

Dëshirat dhe epshet seksuale gjenden tek çdo njeri dhe është vetë Zoti i Madhëruar Ai, që na ka pajisur me to. Megjithatë Zoti na mëson dhe udhëzon, si t’i kontrollojmë këto dëshira dhe t’i shfrytëzojmë ato vetëm në rrugë të ndershme.

Kështu, nuk kemi përse t’ua paraqesim fëmijëve tanë seksin si diçka të fëlliqtë, të pistë dhe që nuk duhet biseduar rreth tij. Seksi është një nga mirësitë e shumta të Zotit dhe nëpërmjet tij realizohet lindja e fëmijëve, të cilët janë shtrirje e prindërve të tyre.

Fëmijëve u duhet folur dhe mbi mirësitë e fëmijëve dhe se kur vdes prindi, fëmijët e tij luten dhe kontribuojnë me vepra të mira, shpërblimi i të cilave i arrin dhe prindit në varr.

Ne duhet të jemi të hapur me fëmijët tanë përsa i përket edukatës seksuale, sidomos në këto kohë ku stuhitë degjeneruese dhe shthurëse kanë depërtuar në çdo shtëpi dhe familje.

Statistika dhe të dhëna

Në një statistikë gjeta, që vetëm në internet ekzistojnë mbi tetë miliardë faqe elektronike me përmbajtje pornografike. Këto tetë miliardë faqe me përmbajtje pornografike, në krahasim me numrin tjetër të faqeve të internetit zënë vetëm 2.5 %.

Kështu, 97.5 % e faqeve të internetit kanë përmbajtje të zakonshme dhe vetëm 2.5 % e tyre kanë përmbajtje pornografike dhe degjeneruese.

Sipas statistikave, nga 18 % e atyre që frekuentojnë faqet pornografike, vetëm 5 % e tyre janë frekuentues të përhershëm.

Në një studim të bërë në Angli, u gjet se një numër i madh fëmijësh ngacmoheshin seksualisht nga më të rriturit gjatë bisedave nëpërmjet internetit, chat.

Sot ne jetojmë në një botë ku e keqja nuk kontrollohet dot. Më parë, nëse dikush dëshironte të kryente një vepër të ligë, duhej të shkonte në një vend të caktuar. Ndërkohë që sot e liga dhe gjynahu të vjen dhe të shoqëron, kudo që ndodhesh.

Më parë, shtëpitë publike ishin të njohura dhe kishin klientët e tyre. Ndërkohë që sot shtëpitë publike të shoqërojnë kudo.

Sot janë ngritur kompani të veçanta, të cilat i trajnojnë dhe ndihmojnë bashkëshortët dhe bashkëshortet, se si ta tradhtojnë njëri-tjetrin pa u kuptuar.

Ka kompani, të cilat merren vetëm me prodhimin e veshjeve epshndjellëse. Ka të tjera, që merren vetëm me ndriçimin, që e shton epshin, ka të tjera që merren me prodhimin e parfumeve të tillë etj… Sikur bota jeton vetëm për seksin dhe kënaqësitë seksuale. Seksi është kthyer në një idhull ose zot, që adhurohet dhe çdo gjë vihet në shërbim të tij, ashtu si grekët që kishin zotin e seksit në kohët e lashta.

Duke qenë se fëmijët tanë jetojnë në një botë, ku programet televizive, faqet e internetit, gazetat, librat, ambienti etj… propagandojnë dhe reklamojnë të keqen, ne duhet që fëmijët t’i edukojmë siç duhet dhe t’i imunizojmë ndaj dukurive negative të përhapura. Ne nuk duhet të pranojmë, që fëmijët tanë të bien pre e filmave degjenerues, apo fotove të tilla.

Sëmundjet që shkaktohen për shkak të reklamimit dhe përhapjes së filmave me përmbajtje pornografike, janë të shumta. Këto sëmundje prekin kryesisht të rinjtë. Nga këto sëmundje, mund të përmendim:

1 – Kongjestion në prostatë.

2 – Pagjumësi, stres dhe depresion.

3 – Dëmtim të testikujve, gjë që mund të çojë në impotencë të plotë.

4 – Ç`rregullime psikologjike.

5 – Dobësi e kujtesës.

6 – Dëshira për më shumë gjumë, lodhje e përgjithshme dhe përtaci.

7 – Ndjenja se ka vepruar diçka të pahijshme.

8 – Dhimbje të shpinës.

9 – Ftohje seksuale.

Nëse këto informacione i përdorim dhe i shfrytëzojmë siç duhet gjatë edukimit të fëmijëve tanë, padyshim që ata do të distancohen nga veprat e turpshme, ose si pasojë e frikës nga Zoti i Madhëruar, nga ndëshkimi ose nga frika mbi shëndetin. Janë të shumtë ata njerëz, të cilët u ruhen veprave të turpshme edhe pse nuk janë muslimanë. Këtë e bëjnë për të ruajtur shëndetin nga sëmundjet e ndryshme.

Vizioni perëndimor mbi seksin, ndryshon nga vizioni islam. Në perëndim gjen liri të plotë përsa i përket aspektit seksual. Ndërkohë që ne në Islam bëjmë dallim mes fshehtësisë së informacionit dhe fshehtësisë së veprimit.

Profeti Muhamed a.s ka thënë:”Njeriu më i lig Ditën e Kiametit, do të jetë ai burrë, që është kënaqur me të shoqen dhe ajo është kënaqur me të, në fund ai shkon dhe u tregon të tjerëve”.

Ky hadith, flet për një burrë, i cili pas kontaktit seksual me të shoqen, u tregon të gjithëve atë që ka vepruar. E njëjta gjë ndodh dhe me gruan, nëse u tregon shoqeve të saj mbi aktivitetin seksual me të shoqin. Profeti Muhamed a.s e ndalon diçka të tillë.

Kështu, në Islam marrëdhëniet seksuale duhet ruajtur të fshehta, ndërkohë që informacioni i duhur jepet dhe transmetohet tek të tjerët. E kundërta ndodh në perëndim, si informacioni ashtu edhe marrëdhëniet intime dhe seksuale, u ofrohen të gjithë grupmoshave pa dallim. Kjo ka çuar në rrënimin dhe degjenerimin e familjes në veçanti dhe të shoqërisë në tërësi.

Një herë ndodhesha në Angli për të mbajtur një ligjëratë me titull “Si ta bësh të lumtur jetën tënde familjare”. Pas ligjëratës disa të rinj që ishin dhe organizatorët e ligjëratës, më pyetën nëse dëshiroja të shkoj në një vend të caktuar.

Unë u thashë: ”Mua më pëlqen të ecim dhe të vizitojmë ndonjë institucion social”.

Njëri prej tyre më tha: ”Unë do të të çoj në një vend, të cilin nuk do e harrosh kurrë.” dhe në fakt unë nuk e harroj dot këtë vend.

Më pas të gjithë morëm metronë dhe vazhduam të udhëtojmë. Në fund zbritën nga metroja dhe hymë një rrugë të tejmbushur me njerëz.

I çuditur nga ky fakt, e pyeta të riun: ”Kjo nuk duket ndonjë rrugë e veçantë, atëherë përse gjithë këto turma njerëzish”?!

Pasi hymë dhe në një rrugë tjetër, ku turmat ishin akoma më të shumta, i riu më tha: ”Kjo rrugë ku ndodhemi tani, është rruga e imoralitetit në këtë shtet, është rruga e degjenerimit. Ditën e shtunë dhe të diel, të gjithë të rinjtë dhe të rejat, vijnë në këtë rrugë për të plotësuar nevojat e tyre seksuale”.

Duke parë atë që ndodhte përreth dhe fjalët që sapo më tha, unë ndërhyra dhe i thashë: ”Më nxirr prej këtu se nuk duroj dot më”!

I riu më tha: ”Bëj pak durim, se do të shohësh diçka, që nuk do e harrosh gjithë jetën”.

Kështu, vazhduam të ecim drejt fundit të rrugës dhe me të arritur fundin, i riu më tha: ”Tani shiko nga e djathta jote!”

Unë ktheva kokën dhe ç’të shoh, një xhami! I shokuar pyeta:”Xhami është kjo”?!

I riu më tha: ”Kjo është një qendër islame dhe njëkohësisht xhami”.

I hutuar e pyeta: ”Qendër islame?! Në këtë vend?!”

“Po – më tha – dhe ti nuk e imagjinon dot numrin e të rinjve, të cilët konsultohen, pendohen dhe pranojnë Islamin në këtë qendër”.

Gjatë qëndrimit tim në një vend perëndimor, vajta të vizitoj një mikun tim, i cili ka mbi pesëmbëdhjetë vjet që ka pranuar Islamin. Ai është intelektual dhe lexon shumë. Gjatë vizitës, ai më tha: ”Kur isha pesëmbëdhjetë dhe njëzet vjeç, çdo ditë të shtunë dhe të diel më gjeje në pube dhe disko. Çdo të shtunë dhe të diel dilja me shoqe të ndryshme dhe argëtohesha. Por pas katër pesë vitesh nga një jetë e tillë, fillova të mërzitem. Gjithçka filloi të më mërzitej, jeta seksuale, qejfet dhe dëfrimet etj…

Gjatë kësaj kohe, fillova të lexoj mbi Islamin dhe fetë e tjera, derisa në fund përqafova Islamin. Kur u bëra musliman, ishte vetëm njëzet e dy vjeç”.

Unë e pyeta: ”E çfarë është ajo gjë, që të tërhoqi në Islam”?

Ai më tha: ”Unë lexova dhe i studiova të gjithë fetë. Pashë që të krishterët mendonin, se vetëm ata do të shkojnë në parajsë, ndërkohë që gjithë të tjerët në ferr. Kështu mendonin dhe hebrenjtë. Kurse muslimanët kishin një mendim krejtësisht tjetër”.

Unë e pyeta: ”Pse si mendojnë muslimanët lidhur me këtë çështje”?

Ai u përgjigj: ”Myslimanët thonë, që ne do të jemi në xhenet, kurse përsa i përket feve të tjera pyesim: ”A u ka arritur atyre mesazhi islam apo jo?” Nëse nuk u ka arritur, ata janë në dorë të Zotit, nëse dëshiron i fal ose jo. Por nëse u ka arritur mesazhi i të vërtetës dhe e kanë pranuar, atëherë ata janë në xhenet. Në të kundërt, ata janë në zjarr. Ajo që më bëri të pranoj Islamin, është se kjo fe është feja e vetme, që ka këtë klasifikim mahnitës dhe të logjikshëm”.

Perëndimi sot e ka lartësuar seksin, saqë është kthyer në një idhull dhe zot. Ndërkohë që në Islam, seksi zë vendin e tij të duhur në hapësirat e duhura. Në islam, fëmija duhet të edukohet edhe seksualisht, të formohet kulturalisht dhe të imunizohet me besim, me qëllim që të mbrohet nga devijimet.

Një miku im rrjedh dhe është edukuar nga një familje e fisshme dhe e pasur njëkohësisht. Duke qenë se merret me biznes, ai udhëton shumë.

Ai vetë tregon: ”Një herë udhëtova drejt një shteti të Azisë lindore. Atje zgjodha një hotel pesë yjesh dhe kur shkova të rezervoj dhomën dhe të marr çelësat, sportelisti më pyeti: ”A e dëshiron dhomën me të gjithë shërbimet”?

I rraskapitur nga lodhja unë i thashë: ”Po.”, por pa ditur se çfarë synonte me shërbime të plota. Mora çelësin dhe çantat e mia dhe menjëherë u ngjita sipër. Hyra në dhomë dhe vajta të marr abdes që të falem dhe më pas të shtrihem të pushoj, pasi ndihesha i këputur nga lodhja. Me të marrë abdes, dikush trokiti në derë. Vajta dhe hapa derën dhe ç’të shoh: Një vajzë jo më shumë se njëzet vjeçe, e bukur sa më nuk ka dhe e veshur me rroba epshndjellëse. Kur pa që nuk po i flisja, ajo më tha: ”A mund të hyj”?

I hutuar nga kjo që po më shihnin sytë dhe po dëgjoja unë e pyeta: ”Të hysh?! Po përse”?!

Ajo më pyeti: ”A nuk ke kërkuar shërbim të plotë”?

Unë i thashë: ”Po”.

Ajo tha: ”Atëherë unë jam pjesë e shërbimit. Profesioni im është që klientëve t’u bëj masash në dhomë dhe nëse ai dëshiron diçka tjetër, unë jam e gatshme”.

Në atë çast, filluan të më trazojnë mendime nga më të ndryshmet. Një nga këto mendime, që ishte i shejtanit më thoshte: ”Një natë e vetme është dhe askush nuk di gjë”. Një mendim tjetër ishte: ”Ti duhet të rezistosh dhe ta ruash nderin. Kije frikë Zotin dhe ruaju nga veprat e liga…” Ishte një luftë dhe betejë mes ushtrisë së shejtanit dhe ushtrisë së Rahmanit (Zotit).

Në atë çast, mu kujtua një histori e ndodhur mes një të dituri dhe një gruaje të ligë.

Ajo vajti tek njeriu i ditur dhe i urtë dhe u përpoq ta joshë dhe ta tërheqë drejt haramit.  Ai e kuptoi qëllimin e saj dhe i tha: “Nëse dëshiron të bëj atë që do, dua të bëj disa pyetje dhe dua të më përgjigjesh drejt”.

Mirë!” – i tha gruaja.

I dituri i tha: “Nëse pasi të veprojmë atë që do dhe direkt pas këtij veprimi vjen meleku i vdekjes e na e merr shpirtin, a do të dëshiroje që ta kishim bërë diçka të tillë”?

“Jo, për Zotin!” – ia ktheu gruaja.

I dituri: “Nëse ditën e Kijametit do të dilnim para Zotit unë dhe ti, a do të doje ta kishim bërë këtë”?

“Jo, për Zotin!” – ia ktheu përsëri.

I dituri e pyeti sërish: “Nëse do na çonin të dyve për në zjarr për këtë veprim, a do të doje që ta kishim bërë”? 

“Jo, për Zotin dhe mjaft se u pendova tek Zoti për këtë”! – ia ktheu për herë të fundit gruaja dhe u largua”.

Kur mu kujtua kjo histori, i thashë kësaj vajze që qëndronte para meje: ”O motra ime! Unë kam tre pyetje dhe dua të më përgjigjesh.

Pyetja e parë: ”Nëse vjen meleku i vdekjes të më marrë shpirtin, a do më dilje në mbrojtje ti”?

Ajo heshti dhe nuk foli asnjë fjalë.

Pyetja e dytë: ”Kur të dal para Zotit Ditën e Kijametit për të dhënë llogari për veprat e liga, a do të vish të më mbrosh”?

Ajo sërish heshti dhe nuk nxori asnjë fjalë.

Pyetja e tretë: ”Kur të gjithë të kalojmë urën e Siratit, që ndodhet mes zjarrit dhe xhenetit, a do të vish të kalosh në vendin tim”?

Atëherë pashë pika loti, që lagën sytë dhe faqet e saj. Pas kësaj, fillova ta këshilloj që të largohet nga vepra të tilla.

Kështu, kultura seksuale është kthyer në një art, me anë të të cilit përhapet degjenerimi dhe e liga”.

Padyshim personazhin e mësipërm e mbrojti Zoti nga e keqja, por edhe edukata e mirë me të cilën e kanë edukuar prindërit e tij që në vegjëli. Edukata e duhur seksuale që ka marrë nga prindërit, shfaqet fuqishëm në raste të tilla.

 

Habia e dhëndrrit.

Tre ditë pasi ishte martuar, erdhi një i ri dhe më tha: ”Dua të konsultohem me ty, mbi një problem të madh”.

Pasi u ul, ai më tha: ”Kam vendosur ta divorcoj nusen”.

Unë e pyeta: ”Përse”?

Ai më tha: ”Natën e martesës, kur fjeta me nusen, zbulova se ajo nuk ishte e virgjër. Unë u martova me të, duke e ditur se ajo është e virgjër dhe e ndershme”.

Unë i thashë: ”Po, ti si e kuptove diçka të tillë? Mos ta tha vetë gruaja”?

Ai u përgjigj: ”Jo, ajo nuk më ka thënë gjë”.

Unë e pyeta: ”Po atëherë si e kuptove ti, që ajo nuk ishte e ndershme”?

Ai tha: ”Unë e di mirë këtë.”

Unë insistova: ”Dakord, por si e kuptove? Më trego”!

Ai filloi të flasë dhe të hapet dhe nga fjalët e tij, unë e kuptova që të gjithë konkluzionet i kishte të bazuara në informacione të gabuara.

Unë fillova t’i flas mbi llojet e cipës së virgjërisë dhe mënyrat e çarjes së saj.

Më pas unë fillova ta pyes mbi burimet nga e kishte marrë informacionin rreth edukatës seksuale në përgjithësi dhe virgjërisë në veçanti. Ai më tregoi se këto informacione i kishte marrë nga shokët e këqij, me të cilët shoqërohej në shkollë të mesme.

Shpeshherë injoranca mbi çështjet seksuale ka shkatërruar dhe vazhdon të shkatërrojë familje. Veç kësaj, injoranca seksuale e çon njeriun drejt gjynahut dhe haramit. Kjo e bën edukatën dhe sensibilizimin seksual të domosdoshëm, sidomos për të rinjtë. Por kjo duhet të bëhet, duke respektuar normat dhe kriteret islame.

Edhe pse Tailanda merret si shembull dhe model i degjenerimit dhe të ligës, kryeministri i këtij shteti nxori një vendim për bllokimin e një libri mbi edukatën seksuale tek adoleshentët, vetëm ngaqë ai ishte i ilustruar me foto dhe gjithçka thuhej në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Edukata seksuale fillon që nga mosha dy vjeçare e fëmijës dhe vazhdon edhe gjatë pleqërisë. Njohja e sëmundjeve seksuale, që prekin moshat e vjetra, është prej edukatës seksuale.

Në fund të trajtimit të kësaj teme, unë dua të jap disa udhëzime të cilat i shoh të domosdoshme:

 

1 – Edukimi dhe kultivimi i turpit. Model për turpin e tij, është shoku i Profetit a.s dhe një nga katër halifet e drejtë, Uthman ibnu Affani (r.a).

Shokët e Profetit a.s thonë, që i dërguari i Zotit a.s ishte më i turpshëm se nusja natën e martesës.

Në kohën e profetit Musa a.s, hebrenjtë laheshin në lum lakuriq, përveç Musait a.s. Ngaqë ishte i turpshëm, Musai a.s mënjanohej dhe lahej vetëm.

Një herë ndodhesha në Zvicër për një ligjëratë me prindër muslimanë. Problemi dhe shqetësimi më i madh i këtyre prindërve ishte mënyra më efikase e kultivimit të turpit tek fëmijët, sidomos tek vajzat. Sidomos duke ditur që shkollat kanë orë mësimi ku nxënësit lahen bashkë në pishinë, djem dhe vajza.

 

2 – Edukimi dhe kultivimi i vlerave të besimit, devotshmërisë dhe forcimit të besimit tek fëmijët. Sa më shumë ta forcojmë besimin e fëmijëve tanë, aq më rezistencë bëhen ata ndaj joshjeve dhe simulantëve seksualë të jashtëm.

 

3 – Sensibilizimi i pasojave nga përzierja mes dy gjinive, pranimi i diçkaje të tillë si vlerë, mos ulja e shikimit para pamjeve të pahijshme etj… Qëndrimi dhe përzierja mes dy sekseve, shikimi i pakufizuar i vajzave dhe pjesëve të tyre intime, janë nga stimuluesit më të fuqishëm për vepra të ulëta dhe imoralitet.

 

4 – Nxitja dhe lehtësimi i martesës në moshë të hershme, si për djalin dhe për vajzën. Martesa është pjesë e edukatës seksuale dhe me ligjërimin e saj, Islami synon si mbrojtjen e nderit të djalit ashtu dhe të vajzës. 

Muslimani e ka obligim, që para se të kryejë një adhurim, të informohet mbi rregullat dhe ligjet e tij. Kështu, para se të nisemi për në haxh, marrim informacionin e duhur. Para se të japin zekatin, informohemi mbi sasinë që duhet dhënë dhe personat që e meritojnë.

Edhe para se të martohemi, kemi nevojë të informohemi mbi shumë gjëra, ndër të cilat është dhe edukata seksuale. Dijetarët muslimanë në të kaluarën, duke e ndjerë rëndësinë e kësaj fushe, kanë shkruar libra dhe broshura të shumta.

 

5 – Theksimi i bukurisë dhe hijeshisë së hyrive të xhenetit në sytë e të rinjve. Diçka e tillë është një çështje edukative shumë e dobishme. Nëse një i ri është edukuar me një frymë të tillë, me t’iu dhënë rasti për imoralitet dhe shfryrje të epshit, ai frenohet duke kujtuar bukurinë dhe hijeshinë e hyrive të xhenetit.

 

6 – Sensibilizimi mbi dobitë e martesës me më shumë se një grua, gjë e cila padyshim ka lidhje me edukatën seksuale. Nëse përqindja e grave është më e lartë se e burrave dhe simulantët seksualë janë të përhapur kudo, atëherë nevojat dhe dëshirat për seks rriten dhe martesa me më shumë se një grua është zgjidhja më e mirë.

 

7 – Edukimi dhe kultivimi i përkushtimit gjatë namazit. Unë personalisht e konsideroj diçka të tillë si pjesë të edukatës seksuale. Vetë Zoti i Madhëruar thotë rreth vlerave të namazit: ”Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar..” (Ankebut 45)

Kështu namazi të ruan nga shthurja, degjenerimi, devijimet seksuale dhe sjelljet e pahijshme dhe perverse. Kështu bashkë me namazin, ne duhet të kultivojmë tek fëmijët dhe përkushtimin në namaz.

 

8 – Ushtrimi i agjërimit nafile, vullnetar, gjë e cila për medimin tim kjo hyn në edukatën seksuale, sidomos për të rinjtë dhe të rejat. Vetë Profeti a.s ka thënë:”O ju të rinj! Kush ka mundësi prej jush të martohet, le të martohet. Kush nuk ka mundësi, le të agjërojë, pasi agjërimi është mbrojtje”.

 

9 – Edukimi i fëmijëve, me rëndësinë e shoqërisë së mirë dhe të ndershme. Unë si prind, duhet të përpiqem me çdo kusht, që t’i lidh me shokë të mirë, gjë e cila është pjesë e edukatës seksuale.

 

10 – Kultivimi i ndjenjës së pendimit dhe kërkimit falje, nëse rrëshqet dhe vepron ndonjë gjynah. Unë si prind ia bëj të qartë çfarë është e mirë dhe e keqe dhe se njeriu duhet të ruhet nga veprat e liga, por njëkohësisht e sensibilizoj, që në rast gabimi dhe shkarje të pendohet dhe të kërkojë falje. Fëmija dhe i rrituri duhet të jenë të sigurt, që Zoti pret ditën krahëhapur, që të pendohet gjynahqari i natës dhe pret natën krahëhapur, që të pendohet gjynahqari i ditës. Secili prej nesh e sidomos fëmijët duhet ta dinë, që Zoti e pret me padurim dhe gëzohet me pendimin tonë, në rast gjynahesh seksuale, të vogla qofshin apo të mëdha.

 

11 – Edukimi dhe kultivimi i moralit të durimit. Është e vërtetë që një i ri ka epshe të zjarrta, por ai duhet të mësohet me durimin dhe maturinë. Zoti thotë në Kuran: “Kushdo që duron dhe fal, ta dijë se në të vërtetë, këto janë nga veprimet më të virtytshme”. (Esh-Shura 43)

Gjithçka sa përmendëm në këtë trajtesë të shkurtër, ishte fryt i përpjekjeve tona modeste. Me të urojmë, që sadopak t’ju kemi shërbyer prindërve dhe të rinjve.

Në fund, ne e lusim Zotin e Madhëruar që të na mbrojë neve, fëmijët tanë, bashkëshortet dhe familjet tona.

Exit mobile version