Egjipti ka bërë thirrje për formimin e një force të përbashkët arabe për të përballuar kërcënimet iraniane ndaj Jordanisë, Irakut dhe vendeve të Gjirit, mes rritjes së tensioneve në rajon, transmeton Anadolu.
Duke folur gjatë një mbledhjeje emergjente të Ligës Arabe, ministri egjiptian i Punëve të Jashtme, Badr Abdelatty, tha se Kajro “refuzon sulmet iraniane që synojnë vendet e Gjirit” dhe shprehu solidaritet me shtetet e Gjirit, si dhe me Jordaninë dhe Irakun, në përballjen me këto kërcënime.
Sipas televizionit shtetëror Cairo News TV, ai paralajmëroi se rajoni rrezikon të rrëshqasë drejt përshkallëzimit të mëtejshëm dhe kaosit të gjerë nëse tensionet vazhdojnë të rriten.
Ai theksoi nevojën për prioritizimin e dialogut dhe përpjekjeve diplomatike për të ulur përshkallëzimin ushtarak, duke bërë gjithashtu thirrje për aktivizimin e konceptit të sigurisë kombëtare arabe për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë e shteteve arabe.
Ai gjithashtu bëri thirrje për krijimin e një force të përbashkët arabe të aftë për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive kërcënimeve ekzistuese (iraniane) ndaj rajonit.
Përshkallëzimi rajonal u intensifikua pasi Izraeli dhe SHBA nisën një sulm të përbashkët kundër Iranit më 28 shkurt, duke vrarë më shumë se 1.200 persona, përfshirë liderin suprem Ali Khamenei, si dhe duke plagosur mbi 10.000 të tjerë.
Teherani u kundërpërgjigj me sulme me raketa dhe dronë, duke shënjestruar Izraelin, Irakun, Jordaninë dhe vendet e Gjirit ku ndodhen asetet ushtarake amerikane.
