Egjipti ka deportuar dhjetëra aktivistë ndërkombëtarë që kishin planifikuar një marshim drejt kufirit të Gazës për të protestuar kundër bllokadës izraelite dhe për të kërkuar ndihma humanitare për palestinezët.
Aktivistët, shumica prej të cilëve ishin nga Evropa dhe Afrika e Veriut, u ndaluan në aeroportin ndërkombëtar të Kajros dhe në hotele, ku u intervistuan dhe më pas u deportuan, shumica përmes një fluturimi drejt Stambollit.
Disa grupe greke raportuan se aktivistët e tyre ishin ndaluar pa asnjë shkelje ligjore, duke pasur të gjitha dokumentet e nevojshme.
Organizatorët e marshimit, të cilët përfaqësojnë mbi 150 organizata nga 50 shtete, kanë deklaruar se do të vazhdojnë me planin për të arritur në kufirin e Rafah, duke udhëtuar me autobus nga El Arish dhe duke marshuar rreth 50 kilometra deri në kufi.
Ata synojnë të qëndrojnë aty për 72 orë, duke kërkuar hapjen e kalimit dhe dërgimin e ndihmave. Megjithatë, autoritetet egjiptiane kanë theksuar se veprimet e tyre janë të nevojshme për sigurinë kombëtare dhe për të ruajtur marrëdhëniet me Izraelin. /mesazhi
