Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Egjipti paralajmëron Izraelin për Mesxhid-i Aksa-në

Egjipti paralajmëron Izraelin për Mesxhid-i Aksa-në

Qeveria e Egjiptit i bëri thirrje Izraelit që t’i japë fund dhunës dhe të respektojë lirinë e adhurimit duke e paralajmëruar në çështjen dhe tensionet që mund të shfaqen në Mesxhid-i Aksa, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim të bërë sot nga Ministria e Jashtme e Egjiptit thuhet se “Është e drejtë e popullit palestinez që të përmbushë i lirë dhe në siguri obligimet fetare. Duhet t’i jepet fund bllokimit dhe dhunës e cila përshkallëzon tensionet në mënyrë që të pengojë paqen e drejtë dhe gjithëpërfshirëse me dy shtete”.

Në deklaratën ku paralajmërohet që të mos rriten më tej tensionet në Mesxhid-i Aksa thuhet se “Rrezikimi i jetës së Ekrima Sabri, imamit të Mesxhid-i Aksasë dhe plagosjet serioze të vërejtura në mesin e palestinezëve mund të shkaktojnë pasoja të paparashikueshme”.

Forcat izraelite ditën e djeshme ndërhynë kundër palestinezëve të cilët po falnin namazin e jacisë në afërsi të zonës së Portës së Luanit me qëllim për të protestuar ndaj vendosjes së detektorëve në dyert e Mesxhid-i Aksasë.

Si pasojë e ndërhyrjes së forcave izraelite u plagos me plumba gome kryetari i Komitetit të Lartë Islamik në Jerusalem dhe imami i xhamisë Al Aksa, Ekrime Sabri.

Në një deklaratë me shkrim nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze ishte bërë e ditur se krahas Sabri janë plagosur të paktën edhe 14 palestinezë të cilët janë dërguar në spital si dhe është kryer ndërhyrja në vendngjarje për 20 të tjerë.

Exit mobile version