Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ekspertët e OKB-së kërkojnë hetim për vrasjen e gazetarëve libanezë nga forcat...

Ekspertët e OKB-së kërkojnë hetim për vrasjen e gazetarëve libanezë nga forcat izraelite

Ekspertët e OKB-së sot hetim të pavarur ndërkombëtar për vrasjen e tre gazetarëve libanezë në jug të Libanit, duke e dënuar incidentin si një tjetër sulm të shëmtuar ndaj lirisë së shtypit, transmeton Anadolu.

“Ne e denoncojmë me forcë atë që tani është bërë praktikë standarde dhe e rrezikshme e Izraelit për të shënjestruar dhe vrarë gazetarë dhe më pas për të pretenduar, pa ofruar asnjë provë të besueshme, se ata ishin të përfshirë me grupe të armatosura”, thanë ekspertët në një deklaratë.

Ata thanë se forcat izraelite kryen sulme të synuara më 28 mars, duke vrarë gazetarin e Al Manar TV, Ali Shoeib, gazetaren e Al Mayadeen, Fatima Ftouni dhe kameramanin Mohamed Ftouni, ndërsa ishin në detyrë në Jezzine.

“Gazetarët që kryejnë detyrat e tyre profesionale në konflikte të armatosura janë civilë dhe nuk duhet të jenë në shënjestër”, thanë ekspertët duke paralajmëruar se “Vrasja e qëllimshme e gazetarëve që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në armiqësi përbën shkelje serioze të të drejtave ndërkombëtare të njeriut dhe ligjit humanitar dhe krim lufte”.

“E vetmja ‘provë’ e prodhuar nga forcat izraelite deri më tani për të mbështetur akuzat e tyre është ajo që ata vetë e pranojnë se është një imazh i modifikuar në foto të Ali Shoeib, një demonstrim i hapur i përbuzjes së tyre për ligjin ndërkombëtar”, shtuan ata.

Sipas ekspertëve, që nga viti 2023 të paktën 259 gazetarë dhe punonjës të medias janë vrarë nga Izraeli, 210 gazetarë palestinezë në Gaza dhe 14 gazetarë në Liban. Të paktën 64 prej tyre duket se janë shënjestruar drejtpërdrejt.

“Vendet që mbështesin lirinë e medias në nivel global nuk mund të heshtin dhe duhet të bëjnë presion mbi Izraelin që të ndërpresë fushatat e shpifjes dhe vrasjet e synuara të gazetarëve në Liban dhe në territorin e pushtuar palestinez”, kërkuan ekspertët.

Exit mobile version