Teoria e evolucionit e shkencëtarit britanik Çarls Darvin është konsideruar një nga teoritë më të rëndësishme të epokës moderne. Koncepcioni i ndryshimit të llojeve në mënyrë graduale përmes asaj që quhet “përzgjedhje natyrore” solli një revolucion në mënyrën se si e kuptojmë botën e gjallë. Në librin e tij “Origjina e Llojeve”, botuar më 1859, Darvini shpjegoi se evolucioni çoi në shfaqjen e llojeve të ndryshme që burojnë nga një origjinë e vetme.
Por duket se vetë teoria e evolucionit ka një origjinë më të hershme dhe ajo vjen nga bota islame.
Rreth një mijë vjet para Darvinit, El-Xhahidhi, filozofi mysliman që jetonte në Irak, me emrin e plotë Ebu Uthman Amr ibn Bahr el-Kenani el-Basri, shkroi librin e tij të famshëm “El-Hajevan” (Kafsha), ku foli për mënyrën se si kafshët ndryshojnë me kalimin e kohës përmes asaj që ai e quajti po ashtu “përzgjedhje natyrore”.
El-Xhahidhi lindi në vitin 776 në Basra, në jug të Irakut, në një periudhë kur po rritej ndikimi i mu’tezilëve, të cilët nxisnin përdorimin e arsyes dhe inkurajonin mendimin e lirw racional njerëzor.
Ishte koha e lulëzimit të epokës abaside, kur po zhvillohej një lëvizje e gjerë përkthimesh të veprave të mëdha të filozofisë, shkencës dhe mendimit nga greqishtja në arabisht. Basra ishte një qendër e gjallë debatesh dhe diskutimesh shkencore e filozofike, gjë që ndikoi thellë në formimin intelektual të El-Xhahidhit dhe e ndihmoi në përpunimin e ideve të tij.
Që në moshë të re, El-Xhahizi nisi të shkruante për tema të ndryshme.
Interesat e tij ishin të shumta, përfshinin shkencat natyrore, gjeografinë, filozofinë, gjuhësinë dhe letërsinë. Mendohet se ai ka shkruar rreth dyqind libra, prej të cilëve vetëm një e treta ka mbijetuar deri në ditët tona.
Libri “El-Hajevan” (Kafsha)
Libri “El-Hajevan” i El-Xhahidhit është një vëllim enciklopedik, ku autori paraqet informacione të gjera për rreth 350 lloje kafshësh, duke shfaqur në të ide që ngjasojnë shumë me teorinë e evolucionit të Darvinit.
Në këtë vepër, El-Xhahidhi thotë se kafshët përfshihen në një luftë për mbijetesë dhe burime, në mënyrë që të riprodhohen dhe të mos bëhen pre e kafshëve të tjera. Ai shpjegon se faktorët mjedisorë ndihmojnë që gjallesat të zhvillojnë tipare të reja për të siguruar mbijetesën, dhe kështu, me kalimin e kohës, ato mund të shndërrohen në lloje të tjera. Ai pohon gjithashtu se ato kafshë që mbijetojnë janë ato që trashëgojnë dhe përcjellin te pasardhësit e tyre tiparet dhe cilësitë e suksesshme. Nga përmbajtja e librit kuptohet qartë se El-Xhahidhi e kishte kuptuar se bota e gjallë ndodhet në një përpjekje të përhershme për mbijetesë, dhe se disa lloje janë më të forta se të tjerat.
Për të siguruar mbijetesën, kafshët duhet të kenë tipare që i ndihmojnë të konkurrojnë në gjetjen e ushqimit, të shmangin grabitqarët dhe të riprodhohen. Kjo, sipas El-Xhahidhit, çon në ndryshime nga një brez në tjetrin, pra në një proces të vazhdueshëm zhvillimi dhe përshtatjeje.
Mendimi i tij pati një ndikim të madh tek shumë dijetarë myslimanë që erdhën pas tij, si el-Farabi, el-Bejruni dhe Ibn Halduni, të cilët lexuan dhe u frymëzuan nga veprat e tij. Edhe Muhamed Ikbali, shprehu rëndësinë dhe ndikimin e El-Xhahidhit në një seri ligjëratash të botuara më 1930, ku shkroi: “El-Xhahizi është ai që e ka sqaruar më qartë ndryshimin që ndodh në jetën e kafshëve për shkak të migrimit dhe ndryshimit të mjedisit”.
Teoria islame e evolucionit
Në shekullin e 19-të, mendimi evropian ishte i vetëdijshëm për kontributet e dijetarëve myslimanë në fushën e evolucionit. Në fakt, shkencëtari Richard Dreber, bashkëkohës i Darvinit, fliste për “teorinë mohammadiane të evolucionit” në vitin 1878.
Nuk ka dëshmi që Darvini të ishte njohur me veprat e El-Xhahidhit ose të kuptonte gjuhën arabe. Por kjo nuk e zvogëlon vendin e Darvinit si një shkencëtar që kaloi vite duke udhëtuar për të studiuar botën natyrore dhe duke e analizuar atë në detaje të paimagjinueshme më parë, duke ndryshuar mënyrën se si ne e kuptojmë botën.
Megjithatë, gazetari shkencor Ihsan Mas’ud, që ka përgatitur një seri për Radio BBC me titull “Islami dhe Shkenca”, thekson se është e rëndësishme të kujtojmë edhe ata të tjerë që kontribuan në zhvillimin e mendimit mbi evolucionin, përfshirë dijetarët islamë si El-Xhahidhi.
Kjo histori thekson se idetë për evolucionin dhe përzgjedhjen natyrore kishin një rrënjë shumë më të hershme se shekulli i 19-të, duke u zhvilluar jo vetëm në Evropë, por edhe në botën islame.
https://www.bbc.com/arabic/science-and-tech-47413722

Behar Kaçeli