Ballina Lajmet Kosovë Emërohen 53 gjyqtarë të rinj

Emërohen 53 gjyqtarë të rinj

Presidenti i Kosovë, Hashim Thaçi ka dekretuar sot emërimin e 53 gjyqtarëve të rinj, të cilët do të jenë gardianë të së drejtës për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Pesëdhjetetre gjyqtarët e rinj kanë bërë betimin dhe janë zotuar që do t’i qëndrojnë besnikë Kushtetutës së Republikës së Kosovës.Në fjalën e tij, presidenti Thaçi ka theksuar se Republika e Kosovës përgjatë viteve të fundit ka bërë dhe po bën reforma në vazhdimësi, me të vetmin qëllim që sistemi gjyqësor të funksionojë sa më mirë.

“Të dashur gjyqtarë, në supet tuaja është një përgjegjësi e madhe, përgjegjësi që unë kam besim të plotë se do të dini ta mbani dhe qytetarët e vendit tonë të ndjejnë veten të sigurt dhe të barabartë para ligjit”, ka shtuar ai.

Presidenti ka thënë se në Republikën e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë, ka filluar një jetë e re, jetë me plotë dinamizëm dhe zhvillim, në të gjitha fushat, prandaj na duhet një punë e palodhshme, në veçanti në fushën e drejtësisë.

Sipas tij, institucionet e Kosovës kanë punuar në plotësimin e legjislacionit që do të bëjë më të lehtë punën e gjyqtarëve.“Të gjithë duhet të jemi të angazhuar për respektimin e rendit juridik dhe kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës, më qëllim të ecjes përpara dhe që të jemi krah-për-krah me vendet e zhvilluara e demokratike”, ka thënë presidenti.

Në fund, 53 gjyqtarë të rinj kanë bërë betimin, me zotimin për të mbrojtur ligjet e Republikës së Kosovës.

Exit mobile version