Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite diskutojnë për zhvillimet në Lindjen...

Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite diskutojnë për zhvillimet në Lindjen e Mesme

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Mohammed bin Zayed Al Nahyan dhe princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman gjatë një takimi diskutuan për situatën në Lindjen e Mesme ndërsa theksuan rëndësinë e “zgjidhjes me dy shtete” për sigurimin e stabilitetit në rajon, transmeton Anadolu.

Siç raporton agjencia zyrtare e lajmeve të EBA-së, WAM, presidenti i EBA-së, Mohammed bin Zayed Al Nahyan u takua në qytetin Al-Ain me princin saudit Mohammed bin Salman i cili ndodhet në vend për “një vizitë speciale”.

Në takim u diskutuan zhvillimet në arenën rajonale dhe ndërkombëtare, kryesisht situata në Lindjen e Mesme.

Al Nahyan dhe Bin Salman diskutuan edhe për “marrëdhëniet e forta vëllazërore, rrugët e bashkëpunimit dhe mundësitë premtuese për zhvillim nën dritën e partneritetit të veçantë strategjik që bashkon të dy vendet”.

Gjatë takimit, Al Nahyan dhe Bin Salman theksuan se “janë të vendosur të mbështesin çdo gjë që forcon sistemin e veprimit të përbashkët në Gji dhe që kontribuon në konsolidimin e themeleve të sigurisë dhe stabilitetit në rajon”.

Ndër të tjera dyshja tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për të mbrojtur stabilitetin rajonal dhe për të shmangur pasojat e krizave të reja që kërcënojnë stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.

Al Nahyan dhe Bin Salman vendosën theksin edhe mbi nevojën për të “punuar në gjetjen e një rruge e cila bazohet në zgjidhjen me dy shtete (Palestinë dhe Izrael) dhe e cila shkon drejt paqes së drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të përhershme që garanton stabilitet dhe siguri për të gjithë.

Në lajmin e publikuar nga agjencia zyrtare saudite e lajmeve SPA thuhet se princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman ka shkuar në EBA për një “vizitë speciale”.

Ndërkohë në lajm nuk u dhanë informacione lidhur me detajet e vizitës.

Exit mobile version