Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ende i paqartë kalendari i tërheqjes së trupave amerikane nga Iraku

Ende i paqartë kalendari i tërheqjes së trupave amerikane nga Iraku

John Kirby

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Mbrojtjes (Pentagon) John Kirby tha se nuk është arritur konsensusi për kalendarin e tërheqjes së trupave luftarake amerikane në Irak.

Deklarata e përbashkët e bërë në fund të raundit të tretë të bisedimeve të dialogut, të kryesuara nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm irakian Fuad Husejin, ku morën pjesë delegacionet e të dy vendeve, ka shkaktuar polemika.

Duke iu përgjigjur pyetjeve në konferencën e përditshme për shtyp, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Mbrojtjes (Pentagon) John Kirby argumentoi se shprehja në deklaratën e përbashkët se “u ra dakord për të vazhduar procesin e tërheqjes së ushtarëve amerikanë në Irak” nuk nënkupton në fakt fillimin [e menjëhershëm] e tërheqjes.

“Deklarata thotë se u vendos që të mbahen disa takime teknike shtesë mes dy palëve lidhur me tërheqjen përfundimtare”,- sqaroi Kirby.

Duke deklaruar se SHBA-ja ndodhet në Irak me miratimin dhe ftesën e qeverisë së Bagdadit, Kirby nënvizoi se misioni i nisur kundër organizatës terroriste DAESH nuk ishte i bazuar në një prani të përhershme ushtarake të SHBA-së në Irak, dhe se administrata amerikane ka folur për një kohë të gjatë se një ditë ajo do t’i tërheqë ushtarët e saj nga Iraku.

Duke argumentuar se të dyja palët pajtohen në rëndësinë e pranisë [ushtarake] së SHBA-së në vend, Kirby tha:

“Ajo që shihni në deklaratë është në të vërtetë një theksim i rëndësisë së partneritetit tonë me Irakun, i misionit të vazhdueshëm kundër DAESH, dhe që ne në fund të fundit duam të flasim për kohën e duhur për një tërheqje të duhur.”

Duke vënë në dukje se qëllimi i SHBA-së për t’u tërhequr nuk është një diçka e re, Kirby vuri në dukje se pika e re në këtë deklaratë është “se do të ketë bisedime teknike” mbi tërheqjen.

“Tani për tani nuk ka konsensus se kur do të tërhiqen disa nga trupat tona atje”, shtoi zëdhënësi i Pentagonit.

Administrata e ish-presidentit Donald Trump kishte njoftuar se numrin e trupave amerikane në Irak do ta reduktonin në 2.500, kurse administrata e Joe Biden, i cili e mori detyrën më 20 janar, i ka pezulluar përkohësisht të gjitha procedurat për dërgimin dhe tërheqjen e ushtarëve. /trt

Exit mobile version