Ballina Lajmet Enver Hoxhaj merr drejtimin e Partisë Demokratike të Kosovës

Enver Hoxhaj merr drejtimin e Partisë Demokratike të Kosovës

Edhe zyrtarisht, Enver Hoxhaj është ushtrues detyre i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.

Kjo është bërë e ditur në një konferencë për media ku është paraqitur vet Hoxhaj.

“Me konfirmimin e aktakuzës, lideri jonë ka vendosur të dorëhiqet nga të gjitha aktivitetet politike dhe publike në Kosovë. Në këtë drejtim, Kryesia e PDK-së ma ka besuar një detyrë të rëndë dhe të palakmueshme, atë të ushtruesit të detyrës së kryetarit të partisë”, tha ai.

Në fjalimin e tij, ai ka vlerësuar lartë figurën e presidentit Thaçi dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

“Konfirmimi i aktakuzës ndaj kryetarit të PDK-së dhe ndaj presidentit Thaçi si dy figurat më simbolike të UÇK-së, flet që Kosova është në një situatë të rëndë dhe proces të vështirë të shtetndërtimit. Një situatë e tillë është edhe për vet PDK. Unë jam i bindur që ata do të dalin fitimtarë dhe faqebardhë. S’ka asnjë dyshim që lufta e UÇK-së ishte e pastër, dhe një luftë kundër pushtuesit. E gjithë bota demokratike ka besuar në të drejtën e luftës së UÇK-së”, tha ai.

Ai tha se Kosova po e paguan një çmim të lartë të lirisë, mirëpo se sipas tij e gjithë Kosova është krenare me çlirimtarët.

“Gjatë luftës në Kosovë, vendi ka paguar një çmim të madh me një numër shumë të madh të viktimave në njerëz, si pasojë e politikës së gjenocidit të ndjekur nga Serbia. Kosova tani po paguan një çmim tjetër. Ne miqtë e Thaçit dhe Veselit, jemi krenarë me ta. Jemi krenar me arritjet e tyre dhe me sjelljen shembullore të liderëve historik”, tha ai.

Po ashtu, ai bëri thirrje tjetër që të tregohet maturi dhe unitet.

“Të gjithë pa dallim duhet të tregojmë maturi, unitet, ta mbrojmë luftën çlirimtare dhe s’duhet të lejojmë vakuum dhe krizë institucionale. Situata e rëndë pandemike dhe ekonomike nuk kanë nevojë të shoqërohen me krizë politike”, tha ai.

Exit mobile version