Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Erdogan diskutoi me Putin çështjen Rusi-Ukrainë

Erdogan diskutoi me Putin çështjen Rusi-Ukrainë

Erdoan përsëriti thirrjen e tij që kjo çështje të zgjidhet përmes dialogut dhe vuri në dukje se është e dobishme që në plan të parë të nxirret diplomacia dhe se Ankaraja mban një qëndrim konstruktiv edhe brenda NATO-s.

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin.

Sipas Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës liderët diskutuan çështjen Rusi-Ukrainë.

Presidenti Erdoan theksoi se ai i kushton gjithmonë një rëndësi të madhe dialogut të ngushtë që ka krijuar me presidentin rus Putin për çështjet rajonale, se janë parë rezultatet pozitive të kësaj dhe se ai është i vendosur të ruajë këtë mirëkuptim.

Duke deklaruar se Turqia nuk i njeh hapat që janë kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe se ky është një qëndrim parimor, Erdogan u shpreh se është e rëndësishme të arrihet një përfundim në bazë të Marrëveshjeve të Minskut.

Ndërlikimi edhe më shumë i problemit, sidomos një konflikt ushtarak nuk do të ishte në dobinë e askujt,- i tha Presidenti Erdoan homologut rus, ndërsa shtoi se me këtë mirëkuptim ata i kushtojnë rëndësi vazhdimit të kontakteve dhe bisedimeve diplomatike. Ashtu si dje, edhe sot Turqia është e gatshme të bëjë atë që i takon asaj për uljen e tensioneve dhe ruajtjen e paqes, nënvizoi udhëheqësi turk.

Erdoan përsëriti thirrjen e tij që kjo çështje të zgjidhet përmes dialogut dhe vuri në dukje se është e dobishme që në plan të parë të nxirret diplomacia dhe se Ankaraja mban një qëndrim konstruktiv edhe brenda NATO-s.

Presidenti Erdoan shtoi se ai pret që presidenti rus Putin ta vizitojë Turqinë sa më shpejt të jetë e mundur për të marrë pjesë në takimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë, siç është rënë dakord gjatë vizitës së tij në Soçi në shtator. /trt

Exit mobile version