Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Erdoğan: Nuk mbajmë më marrëdhënie tregtare intensive me Izraelin!

Erdoğan: Nuk mbajmë më marrëdhënie tregtare intensive me Izraelin!

Ne nuk mbajmë më marrëdhënie tregtare intensive me Izraelin, kjo ka mbaruar, tha sot presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan në Ankara.

Erdoğan u takua sot në Ankara me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier, i cili ndodhet për një vizitë triditore në Turqi. Pas takimit u mbajt një konferencë e përbashkët për shtyp.

Duke folur për marrëdhëniet tregtare mes vendit të tij dhe Gjermanisë, Erdoğan tha se vëllimi i tregtisë aktualisht arrin në 50 miliardë dollarë dhe se synimi është që kjo shumë gradualisht të rritet në 60 miliardë dollarë.

“Shpresojmë që tani e tutje Turqia dhe Gjermania do të flasin për projekte të përbashkëta prodhimi dhe jo për pengesa, veçanërisht në fushën e mbrojtjes. Ne duam të heqim nga rendi i ditës kufizimet me të cilat përballemi në industrinë e mbrojtjes”, tha Erdoğan.

Erdoğan tha se pret mbështetje dhe solidaritet më të madh nga autoritetet gjermane në luftën kundër terrorizmit.

Duke iu referuar situatës në Gaza, Erdoğan tha se “Netanyahu po rrezikon sigurinë e gjithë rajonit tonë, duke përfshirë edhe qytetarët e tij, vetëm për të zgjatur mbijetesën e tij politike”.

“Përpjekjet e administratës izraelite për të hequr nga rendi i ditës krimet kundër njerëzimit dhe masakrat që ata kryen në Gaza nuk duhet të lejohen të kenë sukses. Ne do të vazhdojmë me përpjekjet e shtuara për të siguruar një armëpushim dhe dërgimin e papenguar të ndihmave humanitare për popullin palestinez në Gaza”, tha Erdoğan.

I pyetur nga një gazetar se si i sqaron deklaratat e tij në të cilat metodat e Izraelit dhe Netanyahut në Gaza krahasohen me metodat naziste, ndërsa në të njëjtën kohë Turqia mban marrëdhënie intensive tregtare me Izraelin, Erdoğan u përgjigj:

“Ne nuk mbajmë më marrëdhënie tregtare intensive me Izraelin, kjo ka mbaruar. Ministri im i Jashtëm e njoftoi së fundmi këtë”.

Erdoğan shtoi se vendi i tij aktualisht po bën përpjekje të mëdha për shkëmbimin e të burgosurve.

Exit mobile version