Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Italia gjobit kompaninë Apple me 115 milionë dollarë për shkelje të privatësisë...

Italia gjobit kompaninë Apple me 115 milionë dollarë për shkelje të privatësisë në App Store

Autoriteti italian i konkurrencës ka gjobitur kompaninë Apple me 98,6 milionë euro (115 milionë dollarë) për abuzim të supozuar të pozicionit të saj dominant në tregun e aplikacioneve të telefonave, transmeton Anadolu.

Autoriteti italian i konkurrencës AGCM tha se politika e kompanisë Apple për Transparencën e Ndjekjes së Aplikacioneve (App Tracking Transparency – ATT) kufizon konkurrencën duke vendosur kushte të padrejta për zhvilluesit e aplikacioneve të palëve të treta.

Rregullat e ATT-së, të paraqitura në vitin 2021, kërkojnë nga zhvilluesit të marrin pëlqimin e qartë të përdoruesve për mbledhjen dhe lidhjen e të dhënave për qëllime reklamuese.

Autoriteti konstatoi se zbatimi i kompanisë Apple detyron zhvilluesit të kërkojnë pëlqimin dy herë për të njëjtin qëllim, një proces që nuk përputhet me kërkesat e ligjit për privatësinë.

Sipas autoritetit, qasja e “dyfishtë e pëlqimit” është e dëmshme për zhvilluesit, reklamuesit dhe platformat e reklamimit, pasi kufizon mbledhjen dhe përdorimin e të dhënave të domosdoshme për reklamim të personalizuar.

“Kushtet e politikës ATT vendosen në mënyrë të njëanshme dhe dëmtojnë interesat e partnerëve tregtarë të Apple”, tha autoriteti.

Ai shtoi se politika është e “tejkaluar” për qëllimet e deklaruara të privatësisë së kompanisë dhe se Apple mund të kishte arritur të njëjtin nivel mbrojtjeje të përdoruesve me një proces pëlqimi njëhapësh.

Hetimi, i kryer në koordinim me Komisionin Evropian, autoritetet e tjera kombëtare të konkurrencës dhe Autoritetin Italian për Mbrojtjen e të Dhënave, përfundoi se Apple mban një pozicion “super-dominant” në tregun e platformave që furnizojnë aplikacione për përdoruesit e iOS.

Autoriteti i konkurrencës vendosi se kompania shkel Nenit 102 të Traktatit mbi Funksionimin e BE-së, i cili ndalon abuzimin e pozicionit dominant në treg.

Apple, e cila shpërndan aplikacione globalisht përmes App Store, më parë ka mbrojtur rregullat e ATT-së si një masë kyçe për të mbrojtur privatësinë e përdoruesve.

Exit mobile version