Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se Truqia dhe Egjipti po punojnë së bashku në përpjekjet për paqe në Gaza, si dhe për stabilitetin në Libinë fqinje, raporton Anadolu.
“Turqia po punon me Egjiptin mbi nismat për ta bërë të mundur paqen në Gaza dhe do t’i vazhdojë këto përpjekje”, tha Erdogan në një konferencë të përbashkët për media në Kajro me presidentin egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi
“Objektivi ynë i përbashkët me Egjiptin vazhdon të jetë ruajtja e unitetit dhe integritetit territorial të Libisë për të vendosur stabilitet të qëndrueshëm në vend”, shtoi ai.
Duke theksuar se Egjipti tashmë është partneri më i madh tregtar i Turqisë në Afrikë, Erdogan tha se Ankaraja synon të rrisë vëllimin tregtar nga 8-9 miliardë dollarë në 15 miliardë dollarë.
“Turqia dëshiron të forcojë bashkëpunimin me Egjiptin në fushat e tregtisë dhe transportit detar, lirisë së lundrimit dhe sigurisë detare”, tha ai.
Presidenti turk gjithashtu theksoi se “Turqia kundërshton vendimin e Izraelit për të njohur Somalilandin”, duke përmendur nevojën për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Somalisë.
Lidhur me situatën në Sudan, fqinjin jugor të Egjiptit, Erdogan tha se Ankaraja së pari dëshiron një armëpushim në Sudan, pastaj paqe të qëndrueshme në atë vend.
Lidhur me tensionet në rritje midis Washingtonit dhe Teheranit, Erdogan tha: “Zgjidhja e problemeve me Iranin, përfshirë dosjen bërthamore, përmes mjeteve diplomatike është “metoda më e përshtatshme”.
Lidhur me Sirinë, presidenti theksoi se Turqia mbështet transformimin e madh të Sirisë, pasi rajoni do të përfitojë shumë nga integriteti territorial dhe uniteti politik i Sirisë.
Presidenti turk gjithashtu theksoi se pavarësisht armëpushimit disamujor, tragjedia humanitare në Gaza po vazhdon ende.
Ai vlerësoi përpjekjet e Kajros për të sjellë ndihmën humanitare të dërguar nga Turqia në duart e palestinezëve në Gaza.
