Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Erdoğan: Turqia e vendosur të çrrënjosë grupin terrorist PKK

Erdoğan: Turqia e vendosur të çrrënjosë grupin terrorist PKK

Turqia është e vendosur të çrrënjosë organizatën terroriste PKK, e cila kërcënon gjithashtu integritetin territorial të Sirisë dhe Irakut, deklaroi presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

“Jemi të vendosur të çrrënjosim këtë organizatë terroriste, e cila përbën një kërcënim për integritetin territorial të Sirisë dhe Irakut, si dhe për vendin tonë”, tha Erdoğan në seancën e 38-të ministrore të Komitetit të Përhershëm për Bashkëpunim Ekonomik dhe Tregtar (COMCEC) të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OIC) në Istanbul.

Erdoğan tha se megjithëse emrat, pretendimet dhe gjeografitë e grupeve terroriste janë të ndryshme, ato synojnë muslimanët dhe kërkoi mbështetje të fortë nga COMCEC në luftën e Turqisë kundër “armiqve të Islamit dhe njerëzimit”.

“Javën e kaluar, tetë nga qytetarët tanë, tre prej të cilëve ishin fëmijë, u vranë nga PKK në rrugën Istiklal dhe më pas në rrethin Karkamis”, tha Erdoğan.

“Natyrisht, në këtë gjakderdhje,… ata që u ofrojnë armë dhe i mbështesin këta terroristë me pretekstin e luftës kundër DAESH-it kanë hise”, po aq sa organizata terroriste separatiste, tha Erdoğan.

Pavarësisht nga të gjitha paralajmërimet e Turqisë, shtoi më tej Erdoğan, “gjaku i çdo të pafajshmi që ka vdekur është lyer në duart dhe fytyrat e atyre që përpiqen të legjitimojnë organizatat terroriste me lojëra shkronjash”.

Ai tha se loja e mbështetjes së PKK-së dhe degëve të saj nën maskën e luftimit të DAESH-it, “e cila dihet se është produkt i një projekti që në ditën e parë”, duhet të marrë fund.

Turqia, e cila e luftoi me DAESH-in në terren dhe e mposhti këtë organizatë, nuk mund të gëlltisë argumente të tilla, theksoi presidenti.

Kohët e fundit, Turqia nisi operacionin “Kthetra-Shpata” në Irakun verior dhe Sirinë veriore, një fushatë ajrore ndërkufitare kundër grupit terrorist PKK/YPG, i cili ka ngritur strehimore të paligjshme përgjatë kufirit të Irakut dhe Sirisë, ku planifikojnë dhe ndonjëherë kryejnë sulme në tokën turke.

Pas nisjes së operacionit ajror më 20 nëntor, Erdoğan gjithashtu sinjalizoi një operacion tokësor në veri të Irakut dhe Sirisë për të eliminuar kërcënimin terrorist.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK – e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe BE-ja – ka qenë përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e grupit terrorist.

Exit mobile version