Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Erdoğan: Uroj të gjithë vëllezërit tanë azerbajxhanas për çlirimin e tokave të...

Erdoğan: Uroj të gjithë vëllezërit tanë azerbajxhanas për çlirimin e tokave të pushtuara

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka uruar Azerbajxhanin për çlirimin e tokave të pushtuara nga Armenia, raporton Anadolu Agency (AA).

Para grupit parlamentar të partisë së tij në pushtet, asaj për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Erdoğan uroi, siç tha, “të gjithë vëllezërit tanë azerbajxhanas, veçanërisht mikun tim (presidentin) Ilham Aliyev për çlirimin e tokave nën pushtim dhe të gjithë Karabakun”.

Presidenti i turk duke folur për marrëveshjen e armëpushimit të arritur mes Azerbajxhanit dhe Armenisë që i dha fund konfliktit pothuajse tre-dekadësh midis dy ish-vendeve sovjetike, njoftoi se ve Turqia do të marrë pjesë së bashku me Rusinë në forcat paqeruajtëse të përbashkëta që do të themelohet në rajon për të mbikëqyrur dhe monitoruar zbatimin e marrëveshjes.

“Turqia do të marrë pjesë së bashku me Rusinë në forcat paqeruajtëse të përbashkëta që do të themelohet në rajon për të mbikëqyrur dhe monitoruar zbatimin e marrëveshjes. Memorandumi në lidhje me Qendrën e Përbashkët turko-ruse që do të krijojmë për kontrollimin dhe monitorimin e armëpushimit, u nënshkrua këtë mëngjes”, tha ai.

“Pas kësaj me Azerbajxhanin do të jemi në bashkëpunim më të fuqishëm dhe më të afërt, do të ndërtojmë së bashku të ardhmen tonë të përbashkët”, u shpreh Erdoğan.

Ndërkaq, në lidhje me zhvillimet e fundit në Siri, presidenti turk tha se janë të gatshëm të punojnë më afër me forcat aktive në rajon, veçanërisht me Rusinë, për ndërtimin e një Sirie të re që do të formësohet me vullnetin e popullit të vendit.

“Sinqerisht shpresojmë që një periudhë paqeje dhe qetësie do të fillojë sa më shpejt në Siri, e ngjashme me atë si në Karabak. Për këtë fillimisht është e nevojshme që të çaktivizohet regjimi dhe organizatat terroriste që kanë përgjakosur tokat e Sirisë”, theksoi presidenti turk.

“Si Turqi jemi të gatshëm ta bëjmë atë që na takon për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë”

Duke folur për ngjarjet në Mesdheun Lindor, tensioneve mes vendit të tij dhe vendit fqinj, Greqisë, presidenti Erdoğan tha se, “Në rast se i jepet fund llastimit të palës greke dhe Qipros Greke në Mesdheun Lindor, mendojmë se për shkurt kohë do të jetë e mundur një marrëveshje e drejtë”.

“Si Turqi jemi të gatshëm ta bëjmë atë që na takon për rrënjosjen e paqes, qetësisë, sigurisë, prosperitetit në rajonin tonë”, shtoi ai.

Erdoğan gjithashtu foli edhe në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, duke theksuar se, “Pas zgjedhjeve në Amerikë, është e nevojshme që të hapen deri në fund kanalet e diplomacisë dhe pajtimit për të eliminuar pasigurinë që ka dal në pah në rajonin tonë. Me këtë mirëkuptim, do të vazhdojmë të përforcojmë praninë tonë në terren, por edhe zhvillimin në mënyrë aktive të kanaleve diplomatike”

“Me politikat tona në periudhën e pandemisë, procesin e tejkaluam me më pak dëme”

Ai u përqëndrua edhe në pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19) dhe pasojat e shkaktuara nga virusi.

“Në këtë periudhë kur pandemia e koronavirusit ndikoi në të gjithë botën, falë politikave që kemi zbatuar për mbështetjen e ekonomisë, qoftë në shëndetësi apo në infrastrukturën e shërbimeve, procesin e kemi tejkaluar me më pak dëme”, tha Erdoğan, duke vazhduar më tej:

“Në një periudhë kur edhe vendet më të fuqishme dhe të pasura në botë tunden si një gjeth vjeshte, është tejet e natyrshme që Turqia të vazhdojë rrugëtimin me masa të duhura. Për këtë, në periudhën kritike që jetojmë, nëse ka nevojë nuk do të hezitojmë të bëjmë sakrifica si shtet dhe popull, të zbatojmë recetat e duhura edhe nëse janë të dhimbshme”.

Reforma strukturore në ekonomi

Duke folur mbi ekonominë e vendit, presidenti Erdoğan tha se Turqia do të mbajë një seri takimesh me investitorë ndërkombëtar për të folur në lidhje me mundësitë, potencialin dhe mbështetjen që vendi do t’u sigurojë atyre.

“Ne po ashtu jemi në përgatitje për reformat strukturore në fusha të tilla si përmirësimi i mjedisit të investimeve, rritja e intensitetit të tregjeve financiare, rritja e cilësisë së të ardhurave dhe shpenzimeve publike, parandalimi i informalitetit dhe qeverisja e mirë”, tha Erdoğan.

Ai theksoi se vendi i tij në muajt e ardhshëm po ashtu do të ndërmarrë hapa të reja në forcimin e sundimit të ligjit, parashikueshmërinë, aksesin e lehtë, si dhe sistemin e shpejtë dhe efikas gjyqësor.

“Ne do të forcojmë stabilitetin makroekonomik duke rritur harmoninë midis politikave monetare dhe fiskale, si dhe politikave financiare, falë mekanizmave efektivë të vendimmarrjes”, theksoi Erdoğan.

Më tej, presidenti turk tha se të gjithë do të shohin si Turqia udhëheq vendet në sigurimin e fitimeve më të larta dhe më të sigurta për investime.

“Ministria e Thesarit dhe Financave dhe Banka Qendrore në anën e financave dhe Ministria e Tregtisë dhe Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë në anën e sektorit real, së bashku me ministritë e tjera dhe njerëzit e biznesit, ne të gjithë po punojmë së bashku për të bërë një hap të ri ekonomik në Turqi”, tha Erdoğan.

Ai shtoi se Turqia po fillon një mobilizim të ri të përqendruar në stabilitetin, rritjen dhe punësimin, me ndërgjegjësimin se një vend pa një ekonomi të fortë nuk mund të mbrojë fitimet e saj në zona të tjera.

“Trendi pozitiv në treguesit e tregut, me emërimin e guvernatorit tonë të ri të Bankës Qendrore dhe ministrit të ri të Thesarit dhe Financave, tregon se jemi në rrugën e duhur”, theksoi Erdoğan.

 

 

Exit mobile version