Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Erdoğani: Srebrenica është paralajmërim për njerëzimin, Gaza tregon se mësimi nuk është...

Erdoğani: Srebrenica është paralajmërim për njerëzimin, Gaza tregon se mësimi nuk është nxjerrë

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, tha të shtunën, me rastin e 31-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, se ky krim mbetet një nga episodet më të turpshme të historisë moderne dhe paralajmëroi se komuniteti ndërkombëtar ende nuk i ka nxjerrë të gjitha mësimet e nevojshme.

Në mesazhin që në ceremoninë përkujtimore u lexua nga ministrja e Familjes dhe Mirëqenies Sociale e Türkiyes, Mahinur Özdemir Göktaş, Erdoğan shprehu ngushëllime për familjet e viktimave dhe theksoi se përmasat e gjenocidit dëshmohen nga përpjekjet e vazhdueshme për identifikimin dhe varrosjen e të vrarëve.

Duke iu referuar fjalëve të Alija Izetbegoviqit se gjenocidi nuk duhet të harrohet, Erdoğan theksoi se Türkiye po punon për forcimin e ndërgjegjësimit për Srebrenicën në nivel ndërkombëtar, përfshirë edhe nismat në Kombet e Bashkuara për shpalljen e 11 korrikut si ditë përkujtimi.

Kreu i shtetit turk theksoi se qëllimi i këtyre aktiviteteve është parandalimi i përsëritjes së krimeve të ngjashme, por paralajmëroi se zhvillimet në Gaza tregojnë se bota ende nuk i ka mësuar leksionet nga Srebrenica.

“Krimi në Gaza, i cili u ka kushtuar jetën 73 mijë njerëzve të pafajshëm, kryesisht fëmijë dhe gra, tregon se komuniteti ndërkombëtar, për fat të keq, ende nuk i ka nxjerrë mësimet e nevojshme nga Srebrenica”, tha presidenti turk, duke shtuar:

“Për një botë më të drejtë dhe një komunitet ndërkombëtar më të përgjegjshëm, ku asnjë kriminel të mos guxojë t’i shënjestrojë civilët, ne do të vazhdojmë përpjekjet tona intensive nën moton ‘Bota është më e madhe se pesë’”.

Erdoğan dënoi mohimin e gjenocidit, lavdërimin e krimeve dhe sulmet ndaj të kthyerve në Bosnjë e Hercegovinë, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për një reagim më të vendosur.

Ai theksoi se paqja dhe stabiliteti i Ballkanit varen nga stabiliteti i Bosnjës e Hercegovinës, ashtu siç paqja në Evropë varet nga stabiliteti i Ballkanit. Ai tha se Türkiye do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të fuqishme për integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues të Bosnjë e Hercegovinës.

“Do t’i vazhdojmë përpjekjet për forcimin e dialogut dhe pajtimit, në mënyrë që Bosnja e Hercegovina të arrijë një të ardhme më të begatë”, tha Erdoğan.

Exit mobile version