Ballina Lajmet Rajon dhe Botë “EUROPOL”: Kërcënimi kibernetik po rritet ndjeshëm

“EUROPOL”: Kërcënimi kibernetik po rritet ndjeshëm

Sulmi kibernetik i së premtes preku më shumë se 200 mijë njerëz në 150 vende. Kështu deklaroi shefi i “EUROPOL”, Rob Wainwright, i cili në një interviste në kanalin televiziv britanik “ITV” tha se, bota po përballet me një kërcënim në rritje dhe ka shqetësim të madh për nivelin e sulmeve të tjera të mundshme të hënën në mëngjes.

Virusi i rrezikshëm i së premtes mori kontrollin e dosjeve të përdoruesve të kompjuterave dhe kërkon pagesë për t’i hapur sërish. Rusia dhe Britania ishin dy vendet e goditura më rëndë. Në Rusi u prekën me mijëra kompjutera, ndërsa në Angli u godit rëndë Shërbimi Kombëtar Shëndetësor.

Ekspertët e sigurisë kanë paralajmëruar se një sulm tjetër është shumë i afërt dhe mund të jetë i pandalshëm. Në këtë kuadër, shefi i “EUROPOL”, Wainwright tha se është i shqetësuar se numri i njerëzve të prekur nga virusi kompjuterik do të rritet, kur ata të kthehen në punë të hënën në mëngjes.

“Po përballemi me një kërcënim në përshkallëzim dhe shifrat po rriten. Ne kryejmë rreth 200 operacione globale në vit kundër krimit kibernetik, por s’kemi parë kurrë diçka të tillë”, deklaroi Wainwright.

Megjithatë, në një notë pozitive për reagimin e njerëzve, ai tha se çuditërisht, shumë pak prej viktimave kanë paguar haraçin e kërkuar nga virusi për të rimarrë kontrollin e kompjuterave të tyre

Exit mobile version