Familja e aktivistes turko-amerikane Ayşenur Ezgi Eygi, e cila u vra si pasojë e zjarrit të hapur nga ushtarët izraelitë gjatë një proteste paqësore ku ajo mori pjesë në Bregun Perëndimor të pushtuar, shprehën zhgënjimin e tyre pas takimit me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, raporton Anadolu.
Familjarët e Eygi-t të cilët kanë zhvilluar një sërë takimesh me politikanë në kryeqytetin e SHBA-së, Washington, dhe të cilët janë përpjekur të hapin një hetim për aktivisten turko-amerikane Eygi e cila u vra nga ushtarët izraelit, zhvilluan një takim me sekretarin Blinken.
Bashkëshorti i Eygi-t, Hamid Ali u tha gazetarëve pas takimit me Blinkenin se “Sekretari na dëgjoi me kujdes dhe fatkeqësisht përsëriti gjërat që kemi dëgjuar për 20 vitet e fundit veçanërisht që nga vrasja e gruas time si dhe të Rachel Corrie, një banore e shtetit të Washingtonit. Është zhgënjyese të dëgjosh të njëjtat gjëra pa pushim”.
Duke deklaruar se shpresonin që këtë herë të ndodhte diçka ndryshe, Ali përsëriti thirrjen e tij për një “hetim të udhëhequr nga SHBA-ja” lidhur me vrasjen. Edhe motra e Eygi-t, Özden Bennett tha se SHBA-ja ende është në pritje të përfundimit të hetimeve izraelite dhe se familja nuk e sheh më këtë “të besueshme”.
“Ne lamë takimin tonë me Blinkenin i cili dëgjoi zhgënjimet tona që vazhdojnë prej një kohe të gjatë. U larguam duke i kërkuar atij që t’i bëjë presion publikut dhe qeverisë izraelite që të paktën të përfundojnë hetimin për vrasjen e motrës sime përpara një ndryshimi të pushtetit”, deklaroi Bennett.
– Masakrimi i aktivistes Eygi nga ushtarët izraelitë
Ushtarët izraelitë hapën zjarr ndaj pjesëmarrësve gjatë një demonstrate paqësore në Bregun Perëndimor të pushtuar. Ayşenur Ezgi Eygi e cila mori pjesë në demonstratën në mbështetje të palestinezëve dhe kishte nënshtetësi amerikane, u qëllua në kokë dhe u plagos rëndë.
Aktivistja Eygi u dërgua në një spital palestinez dhe ndërroi jetë më 6 shtator. Trupi i Eygi-t u varros në rajonin Didim në Aydın të Türkiyes më 14 shtator.
Eygi ishte aktiviste e të drejtave të njeriut dhe vullnetare e Lëvizjes Ndërkombëtare të Solidaritetit, që mbështet palestinezët përmes metodave paqësore dhe civile kundër pushtimit të tokave palestineze nga Izraeli.
