Feja luan një rol tejet të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve ndërmjet njerëzve, duke qenë se të gjithë janë robër të një Zoti të vetëm që i ka krijuar dhe bij të një babai të vetëm nga i cili rrjedh prejardhja e tyre; përveç kësaj, feja krijon mes tyre vëllazërinë e besimit dhe lidhjen e fortë të imanit: “Me të vërtetë, besimtarët janë vëllezër.”[1] Kjo vëllazëri fetare lë gjurmë të thella në shpirtra dhe në jetë, derisa njëri prej tyre ta dojë për vëllanë e vet atë që do për veten, madje ta parapëlqejë atë ndaj vetes, edhe kur vetë ndodhet në nevojë.
Shejhu ynë, dr. Muhamed Abdullah Deraz, në librin e tij të çmuar “Feja”, thotë: “Nuk ka nevojë të theksojmë se jeta në bashkësi nuk mund të qëndrojë pa ‘bashkëpunimin’ mes anëtarëve të saj, dhe se ky bashkëpunim realizohet vetëm përmes një ‘ligji’ që rregullon marrëdhëniet, përcakton të drejtat dhe detyrimet; dhe se ky ligj nuk mund të bëjë pa një ‘autoritet’ që ushtron frenim dhe nxitje, i cili garanton respektin e tij në shpirtra dhe pengon shkeljen e shenjtërisë së tij. Të gjitha këto janë parime të pranuara, dhe diskutimi rreth tyre është i përsëritur e i mërzitshëm; por çështja thelbësore është pikërisht ky autoritet frenues e nxitës: çfarë është ai?”
Ajo që synojmë të vërtetojmë në këtë trajtesë është se mbi faqen e dheut nuk ekziston një forcë që ta barazojë ose t’i afrohet forcës së besimit fetar në garantimin e respektimit të ligjit, në sigurimin e kohezionit shoqëror dhe stabilitetit të rendit, si dhe në krijimin e qetësisë dhe sigurisë në shoqëri.
Sekreti i kësaj qëndron në faktin se njeriu dallohet nga të gjitha qeniet e tjera të gjalla, sepse lëvizjet dhe veprimet e tij të vullnetshme udhëhiqen nga diçka që nuk shihet as dëgjohet, që nuk vendoset në dorë apo në qafë, që nuk rrjedh në gjak e as nuk qarkullon në muskuj e nerva; por është një domethënie njerëzore shpirtërore, e quajtur ide dhe bindje. Njeriu është gjithmonë rob i kësaj ideje dhe bindjeje.
Disa njerëz kanë gabuar rëndë duke e përmbysur këtë rend dhe duke menduar se mendimi dhe ndërgjegjja nuk ndikojnë në jetën materiale dhe ekonomike, por përkundrazi ndikohen prej saj. Ky mendim marksist është, para së gjithash, një rrëzim i njeriut nga froni i dinjitetit të tij dhe një kthim prapa drejt nivelit të shtazërisë; për më tepër, ai është një pasqyrim i përmbysur i realiteteve të qëndrueshme e të vëzhgueshme në sjelljen e individëve dhe shoqërive në çdo epokë. Sepse, që njerëzit të zgjedhin të jetojnë një jetë thjesht materiale, pa pjesëmarrjen e zemrës dhe shpirtit, duhet fillimisht ta bindin veten se lumturia e tyre gjendet pikërisht në këtë lloj jete. Njeriu udhëhiqet gjithmonë nga një ide: e drejtë ose e gabuar; nëse bindja e tij është e shëndoshë, gjithçka në të rregullohet, e nëse ajo prishet, prishet gjithçka.
Po, njeriu drejtohet nga brendësia e tij e jo nga pamja e jashtme; dhe as ligjet shoqërore, as autoriteti i qeverive, nuk mjaftojnë vetvetiu për të ndërtuar një qytet ideal ku ligjet respektohen dhe detyrimet përmbushen në mënyrë të plotë. Sepse ai që e kryen detyrën nga frika e kamxhikut, e burgut apo e dënimit financiar, nuk vonon ta neglizhojë atë sapo të sigurohet se do t’i shpëtojë ndëshkimit të ligjit.
Është një gabim i qartë të mendohet se përhapja e dijes dhe e kulturës, e vetme, garanton paqen dhe begatinë, dhe se mund të zëvendësojë edukimin dhe formimin fetar e moral. Dija është një armë me dy tehe: ajo mund të shërbejë për shkatërrim e rrënim, ashtu siç mund të shërbejë për ndërtim e përparim. Për përdorimin e saj të drejtë është i domosdoshëm një mbikëqyrës moral që ta drejtojë drejt së mirës së njerëzimit dhe ndërtimit të tokës, e jo drejt përhapjes së së keqes dhe korrupsionit. Ky mbikëqyrës është dini dhe imani.
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Huxhurat: 10.
