Ballina Artikuj ‘Feja e shqiptarit është shqiptaria’!

‘Feja e shqiptarit është shqiptaria’!

Sali Shasivari

Shumica e ‘kripto-katolikëve’, ‘katoliko-centrikëve’, ‘pan-ortodoksëve’, ‘proto-cionistëve’, ‘misionarëve’, ‘agnostikëve’, ‘laikëve’, ‘sekularistëve’, “intelektualëve”, dhe “patriotëve” shqiptar, të cilët, kur, nga njëra anë, nuk kanë kurajon që t’i shprehin bindjet e tyre të dyshimta, agjendat e tyre të importuara, dhe misionin e tyre prej mercenari, ndërsa, nga ana tjetër, nuk kanë guximin që ta shprehin haptas sikletin, mllefin dhe urrejten e tyre patologjike ndaj islamit si fe dhe shumicës dërrmuese të popullit shqiptar, të njejtët, për mbulojë, shfrytëzojnë elementin më krenar dhe më fisnik të këtij populli, e që është ‘shqiptaria’, duke e nxjerrur atë nga konteksti, dhe duke e përdorur si gjeth fiku për të mbuluar frustracionet, bindjet, dhe qëllimet e tyre të errëta…!
Mbase, ‘patriotizmi është streha e fundit e maskarenjve’ , do të thoshte shkrimtari anglez Samuel Jonson (shek. XVIII)!
Në këtë kontekst, një nga slloganet më të keqpërdoruara, është thënia e famshme e Pashko Vasës (Vaso Pashë Shkodranit): “Mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqiptarit është shqiptaria” (varg nga poema e tij “O moj Shqypni”, të shkruar në kontekstin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në fund të shekullit XIX)!
Konteksti historik i kësaj thënie
Pashko Vasa (1825–1892), shkodran, intelektual, diplomat, dhe një nga figurat e rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, shkroi “O moj Shqypni” në një periudhë jashtëzakonisht të ndjeshme për shqiptarët (rreth kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, 1878).
Perandoria Osmane po dobësohej, ndërsa pas Luftës Ruso-Osmane dhe Kongresit të Berlinit (1878), territore të banuara nga shqiptarë rrezikonin t’u kalonin shteteve fqinje. Në të njëjtën kohë, shqiptarët nuk kishin një institucion të vetëm fetar apo politik që t’i bashkonte, ngase ishin të ndarë në muslimanë, katolikë dhe ortodoksë; madje, përkatësia fetare shpesh ndërthurej me strukturat politike dhe kulturore të Perandorisë Osmane dhe të vendeve fqinje.
Kjo e bënte çështjen e unitetit kombëtar përtej ndarjeve fetare një nga problemet themelore të Rilindjes.
Pse përmenden pikërisht ‘kisha e xhamia’?
Fillimisht, vargu nuk duhet shkëputur nga vargjet që i paraprijnë, në të cilat, Pashko Vasa u drejtohet shqiptarëve duke i qortuar për përçarjet ndërmjet tyre, dhe duke u kërkuar të mos e vendosin identitetin fetar mbi interesin e përbashkët kombëtar!
Së këndejmi, ‘kisha’ dhe ‘xhamia’ funksionojnë si simbole të përkatësive fetare, jo domosdoshmërisht si objekte të sulmit të poetit!
Mesazhi i Vaso Pashë Shkodranit ishte: ‘Mos e shikoni njëri-tjetrin së pari si katolik, ortodoks apo musliman, por shikojeni njëri-tjetrin si shqiptarë’!
Kjo ishte veçanërisht e rëndësishme, sepse nacionalizmat ballkanikë të shekullit XIX shpesh mbështeteshin mbi identitetin fetar. Për shqiptarët, një model i tillë ishte problematik, ngase, po të barazohej kombësia me fenë, shqiptarët do të ndaheshin në disa bashkësi të ndryshme!
Çfarë do të thotë ‘Feja e shqiptarit është shqiptaria’?
Këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm ndërmjet kuptimit poetik-politik dhe kuptimit teologjik!
Pashko Vasa nuk po formulonte një doktrinë fetare të re të quajtur ‘shqiptari’. Fjala ‘feja’ përdoret retorikisht, për t’i dhënë forcën më të madhe të mundshme besnikërisë ndaj bashkësisë kombëtare. Pra, si e tillë, thënia nuk duhet lexuar mekanikisht, në kuptimin ‘Shqiptari nuk duhet të ketë fe’, por duhet të kuptohet si: ‘Përkatësia fetare nuk duhet t’i ndajë shqiptarët; mbi dallimet konfesionale duhet të ekzistojë një solidaritet i përbashkët shqiptar’!
Argument më i mirë për këtë është fakti se, kjo formulë u përqafua nga të gjithë rilindasit, pavarësisht bindjeve të tyre të ndryshme fetare!
A ishte Vaso Pasha kundër fesë?
Ky varg nuk nënkupton assesi Pashko Vasën si propagandues të ateizmit, apose si kundërshtar të krishterimit dhe islamit. Përkundrazi, ai vinte nga një mjedis katolik shkodran, ndërsa veprimtaria e tij zhvillohej brenda një realiteti shumëfetar osman. Problemi që trajton poema nuk është ekzistenca e fesë, por përçarja politike e shqiptarëve sipas vijave fetare!
Kjo është arsyeja pse vargu ka një karakter më shumë kombëtar dhe politik, sesa teologjik!
Leximi historikisht më i arsyeshëm është se ai kërkonte unitet kombëtar mbi dallimet fetare, jo zhdukjen e besimit fetar!
Në këtë kuptim, vargu i Pashko Vasës është pothuajse një manifest poetik i nacionalizmit shqiptar ndërfetar!
Keqinterpretimi dhe instrumentalizimi i kësaj thënie!
Në shekullin XX, sidomos në periudha të ndryshme politike, shprehja ‘Feja e shqiptarit është shqiptaria’ është shkëputur shpesh nga konteksti i poemës dhe është përdorur për të mbështetur ide shumë më të gjera: laicizmin, indiferencën fetare, madje edhe kundërshtimin e fesë!
Ndërsa, realiteti është se, ‘Feja e shqiptarit është shqiptaria’ nuk është deklaratë kundër fesë, por thirrje kundër përdorimit të fesë si vijë ndarëse ndërmjet shqiptarëve; dhe se, nëse do ta përkthenim idenë e Vaso Pashës në një shqipe të sotme, pa retorikën poetike, do të tingëllonte si vijon: ‘Jini muslimanë, katolikë apo ortodoksë, sipas bindjes suaj, por mos lejoni që përkatësia fetare t’ju bëjë të harroni se i përkisni të njëjtit komb’!
Për fat të keq, kjo thënie vazhdon të keqpërdoret dhe të instrumentalizohet edhe në ditët e sotme, për qëllime meskine…!
Së këndejmi, është tejet e rëndësishme t’u bëhet me dije të gjithë atyre që e (keq)përdorin këtë sllogan qëllim-mirë për qëllime të këqija dhe djallëzore – e sidomos për stigmatizimin, demonizimin, dhe linçimin e pjesës dërrmuese të kombit (shqiptarët muslimanë) – se, ‘shqiptaria’ nuk është ‘fe’, por është ‘shtëpia e përbashkët’ e gjithë shqiptarëve, pa dallim bindje dhe feje…!

Nga: Sali Shasivari

Exit mobile version