Ballina Lajmet Kosovë Fëmijët me nevoja të veçanta përballen me mungesën e asistentëve

Fëmijët me nevoja të veçanta përballen me mungesën e asistentëve

Drejtues të shkollave dhe prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta vazhdojnë të përballen me mungesën e asistentëve në shkolla.

Por zyrtarë të Ministrisë se Arsimit theksuan se me gjithë përgatitjet që janë bërë, përfshirë edhe ndarjen e buxhetit vitin  e kaluar  për njëqind asistentë, të cilët do të punojnë me fëmijët me nevoja të veçanta disa  komuna ende nuk kanë shpallur konkurs për pranimin e tyre.

Drejtues të shkollave dhe prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta po përballën me mungesën e asistentëve në shkolla, që do të punonin me këta fëmijë. Drejtoresha e Shkollës se Mesme të Ulët “ Ismail Qemaili” në Prishtinë, Kimete Dida, i tha Radio Kosovës se kjo shkollë ka një numër të madh nxënësish me nevoja të veçanta dhe deri më tani nuk është bërë asgjë për sa i përket angazhimit të asistentëve.


“Në shkollën tonë po përballemi me mungesën e asistenteve. Në shkollë janë gjithsej 37 nxënës me nevoja të veçanta dhe nuk kemi asistentë që punojnë me këta fëmije, vetëm disa raste kur prindërit me vetëfinancim i kanë siguruar. Problem tjetër është edhe numri i shumë i madh i nxënësve në shkollë dhe mësueset e kanë shumë të vështirë të punojnë. Dhe asistentët që ka përgatitur Ministria e Arsimit apelojmë që sa më shpejt të angazhohen”.

Udhëheqësja e Divizionit për Arsimin e Fëmijëve me Nevoja të Veçanta në Ministrinë e Arsimit, Lulavere Behluli, tha për Radio Kosovën se shtatëdhjetë asistente janë angazhuar.

Vetëm dy komuna ende nuk kanë shpallë konkurs: Komuna  e Prishtinës e cila ka me numrin me të madh të nxënësve të cilët kanë nevojë për këta asistentë dhe ajo e Fushë Kosovës.

“Deri me tani rreth shtatëdhjetë asistentë janë punësuar. Dy komuna në nivel të Kosovës ende nuk kanë shpallur konkurs e të cilat janë Komuna e Prishtinës dhe ajo e Fushë Kosovës. Të tjerat i kanë shpall dhe i kanë pranuar disa asistentë, disa janë në procedurë të pranimit, por vetëm  këto dy komuna në nivel Kosovë  nuk kanë shpall fare konkurs”.

Në lidhje me këtë drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, që ka rreth 500 nxënës me nevoja të veçanta, Shpresa Shala, i tha Radio Kosovës se pritet që me votimin e buxhetit për vitin 2020 të shpallet konkursi për pranimin e asistentëve.

“Tash me buxhet të vitit 2020 do të shpallet komplet konkursi për dymbëdhjetë asistentë të vitit të kaluar dhe dymbëdhjetë të këtij viti. Kjo do të bëhet në momentin kur të kalojë buxheti në qeveri”.

Komunat të cilat deri më tani nuk kanë shpallur konkurs për pranimin e asistentëve të rregullt që do të punojnë me fëmijët me nevoja të veçanta janë: Komuna e Prishtinës dhe ajo e Fushë Kosovës, ndërsa Komuna e Gjilanit ka anuluar konkursin.

Në shkollat publike të vendit ka mungesë të  shërbimeve për nxënësit me nevoja të veçanta.

Asistentët që punojnë aktualisht nëpër disa shkolla, paguhen nga prindërit dhe ndihmohen nga shkollat në bashkëpunim me organizata të ndryshme.

Exit mobile version