Fëmijët e liruar nga burgu “Aktan” në Raka, një qytet i çliruar nga ushtria siriane prej organizatës terroriste YPG, treguan se si grupi terrorist i ka burgosur dhe i ka vendosur ata nën tortura të rënda.
Organizata terroriste YPG ka kohë që pretendon se po lufton organizatën terroriste ISIS (DEASH).
YPG, e cila kërkoi “aleat” në arenën ndërkombëtare me pretendimin se po mbante të burgosurit e ISIS-it u zbulua se ka burgosur fëmijë në këto burgje në zonat që pushtoi, pas marrjes nën kontroll të këtyre rajoneve nga ushtria siriane.
Një ekip i Agjencisë Anadolu (AA) foli me disa fëmijë që janë burgosur dhe torturuar rëndë nga organizata terroriste YPG.
Musa Muhammed Hasan, një 17-vjeçar nga Siria tha se pasi një nga kushërinjtë e tij ngriti një flamur pranë shtëpisë së tyre në Raka dhe e ndau atë në rrjetet sociale, vëllai i tij, kushërinjtë dhe anëtarë të tjerë të rritur të familjes u rrëmbyen nga YPG-ja më 3 janar 2026.
Duke përshkruar se si militantët e YPG-së bastisën shtëpitë e tyre në mbrëmje dhe i rrëmbyen, Hasan tha “Së pari na çuan në Burgun Perëndimor në Raka. Pastaj na çuan në burgun ‘Aktan’. Më mbajtën në izolim për 10 ditë. Më torturuan rëndë gjatë marrjes në pyetje. Më varën përmbys nga krahët, më torturuan dhe më kanë sharë vazhdimisht. Lutja dhe falja e namazit ishin të ndaluara”.
Hasani deklaroi se ka qëndruar i “varur në ajër nga krahët me zinxhirë”, me duar të prangosura pas shpine për orë të tëra, me duar të prangosura në një derë dhe se ai iu nënshtrua torturave të rënda.
Pasi tregoi se janë privuar nga ushqimi dhe uji për ditë të tëra para lirimit të tyre dhe se energjia elektrike ishte ndërprerë, Hasan tha më tej si vijon:
“Në ditët e fundit, na dhanë pak humus, por jo bukë. Dëgjuam vetëm zhurmat e shpërthimeve. Të enjten në mbrëmje, po trokisnim në dyer dhe në orën 2:00 të mëngjesit, dikush erdhi në derën tonë. Nuk e dinim kush ishte. Menduam se ‘kanë ardhur të na vrasin’. Më pyetën kush isha dhe unë ua tregova. Më pyetën për krimin tim dhe unë thashë ‘valëvitja e flamurit’. Ai më tha ‘E çliruam këtë vend’. Nuk mund ta përshkruaj gëzimin tim”.
Ai thotë se ushtarët sirianë punuan për rreth dy orë për të pastruar minat në zonë dhe më pas i ndanë të miturit nga të tjerët dhe i vendosën në një seksion tjetër të burgut. Më tej Hasan tha se pasi ushtarët sirianë i morën në pyetje dhe përfunduan procedurat, ata u liruan dhe u kthyen në shtëpi.
– “Më veshën me një kostum portokalli burgu dhe më regjistruan në kamera”
Hasani, i cili tha se YPG-ja e akuzoi atë për “ngritjen e flamujve, përhapjen e propagandës në mediat sociale dhe mbajtjen e demonstratave të paautorizuara”.
“Më veshën me kostumet portokalli të burgut që veshin të burgosurit e ISIS-it. Ata thanë se do të më çonin në Hasakah. Ata hodhën dritë në fytyrën time dhe më regjistruan në kamera. T’i thua atë që duan ata të thuash; nuk mund ta tregosh historinë tënde. Nëse nuk flet ashtu siç duan ata, të pret tortura”, tha Hasani.
Ai vuri në dukje se YPG-ja e ka torturuar rëndë. “Para së gjithash, ata të godasin në pjesët intime. Të rrahin aq keq sa rrëfehesh për gjëra që nuk i ke bërë. Pastaj të hedhin në një qeli. Një qeli është vetëm një batanije dhe një tualet. Madje, na u desh të falnim namazin me fytyrë nga tualeti”, u shpreh ai.
Hasani tha se YPG-ja i ka shtypur njerëzit në Raka të cilën e kishin pushtuar që nga viti 2017 dhe shprehu gëzimin e tij të papërshkrueshëm që u ribashkua me familjen e tij pasi ushtria siriane çliroi rajonin e tyre.
– Komunikonte me vëllain e tij nga qelia në qeli
Edhe Leys (16), vëllai i Muhammed Hasanit u ndalua gjithashtu nga YPG-ja dhe u dërgua në burgun “Aktan”. Leys tregoi se ai dhe vëllai i tij u mbajtën në izolim për ditë të tëra, u rrahën dhe u torturuan.
Leys tha se iu nënshtrua “fyerjeve dhe keqtrajtimit” nga militantët e YPG-së në burg dhe se ai dhe vëllai i tij Musa komunikonin duke goditur murin dhe duke i thirrur njëri-tjetrit në izolim.
“Nuk mund ta harroj ditën kur u lirova. Ishim aq të lumtur, ishte si zogjtë që u ribashkuan me qiellin. Kur u ribashkova me familjen time, ndjeva sikur bota ishte e imja”, tha Leys. Ai shpjegoi se ata nuk e dinin fatin e tyre pasi ranë në duart e YPG-së, duke thënë: “Ndoshta do të na mbajnë për 5 vjet, 10 vjet, për aq kohë sa ata të donin”.
Ndërsa kushëriri i vëllezërve Musa dhe Leys, 19-vjeçari Khalid Muhammad Mustafa tha se të afërmit, kushërinjtë e tij dhe shumë të tjerë u ndaluan nga YPG-ja sepse ai ngriti një flamur në një park pranë shtëpisë së tyre dhe e ndau atë në rrjetet sociale.
Mustafa, i cili ishte fshehur në Azaz në atë kohë tha: “Isha në Azaz pasi dëgjova se ushtria siriane kishte çliruar Rakën. Nuk munda të flija atë natë sepse mezi prisja të vija në Raka”.
