Ballina Sport Ferrari zyrtarizon: Ikën Raikkonen, vjen LeClerc

Ferrari zyrtarizon: Ikën Raikkonen, vjen LeClerc

Kimi Raikkonen nuk do të jetë më pjesë e Ferrarit në Botërorin e Formulës 1 të vitit 2019.

Piloti finlandez do të largohet nga “kokëkuqja” italiane në fund të këtij sezoni, lajm që e konfirmon vet skuadra nëpërmjet një komunikate në faqen e saj zyrtare të internetit.

Në komunikatë, Ferrari thekson se Raikkonen do të mbetet në historinë dhe familjen e kësaj skuderie si kampion bote.

Raikkonen, i cili u shpall kampion bote në vitin 2007 me Ferrarin, në dy sezonet e ardhshme do të garojë me Sauberin, skuadër me të cilën nisi karrierën e tij në Formulën 1 në vitin 2001.

Për sa i përket pasuesit të Raikkonenit, Ferrari konfirmoi ardhjen e 20-vjeçarit Charles Leclerc vitin e ardhshëm, për të formuar partneritetin me 4 herë kampionin e botës, Sebastian Vettel.

Produkt i akademisë së Ferrarit, Leclerc garon këtë sezon me Sauber Alfa Romeo. Përpara se të kalonte në Botërorin e Formulës 1, 20-vjeçari nga Monako ka fituar tituj në GP3 dhe F2./tch

Exit mobile version