Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, ka deklaruar se politikat agresive ushtarake të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu e kanë izoluar gjithnjë e më shumë Izraelin në arenën ndërkombëtare, duke e bërë pothuajse të pamundur normalizimin e marrëdhënieve me shumë vende, përfshirë Turqinë.
Duke folur për gazetarët në Stamboll, Fidan tha se fushatat ushtarake izraelite, të cilat kanë sjellë vdekje dhe shkatërrim të gjerë në rajon, kanë krijuar një realitet të ri diplomatik. “Për sa kohë që kjo vazhdon, është e pamundur jo vetëm për ne, por për shumë vende të tjera, të normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin,” u shpreh ai.
Shefi i diplomacisë turke vuri në dukje se edhe udhëheqësit evropianë po tregojnë hezitim të hapur për t’u angazhuar publikisht me Netanyahun. Sipas tij, pothuajse askush nuk dëshiron të vizitojë Izraelin apo të shfaqet në fotografi krah tij.
“Askush nuk po shkon,” tha Fidan. “Pse nuk shkojnë? Sepse udhëheqësit evropianë janë të zgjedhur dhe e dinë se të fotografohesh me të nuk është gjë e mirë këto ditë.”
Fidan theksoi se përgjegjësia demokratike dhe pritshmëritë e votuesve po luajnë një rol vendimtar në formësimin e politikës së jashtme, duke detyruar liderët të peshojnë me kujdes kontaktet diplomatike me Izraelin.
Ai e përshkroi këtë distancim si dëshmi të izolimit diplomatik në rritje të Izraelit, duke vënë në pikëpyetje mundësinë që Netanyahu të vizitojë vende jashtë Shteteve të Bashkuara. “A mund të shkojë diku tjetër përveç Amerikës? Nuk mundet. Ndoshta mund të shkojë në Greqi,” tha ai me ironi.
Ministri turk theksoi se qëndrimi i Ankarasë ndaj Izraelit nuk është i izoluar apo i motivuar ideologjikisht, por pjesë e një reagimi më të gjerë ndërkombëtar. “Kjo nuk është vetëm qëndrimi ynë. Është një politikë që po shprehet nga komuniteti ndërkombëtar, që ndan të njëjtën ndërgjegje dhe vlera, por në forma dhe stile të ndryshme,” tha Fidan.
Sipas tij, disa vende e shprehin hapur kundërshtimin ndaj politikave izraelite, ndërsa të tjera zgjedhin forma më të heshtura distancimi, si shmangia e vizitave të nivelit të lartë dhe gjesteve simbolike. Megjithatë, Fidan theksoi se, pavarësisht dallimeve në stil, mesazhi i dërguar ndaj udhëheqjes izraelite mbetet i njëjtë. /mesazhi
