Ka nisur seanca gjyqësore e radhës ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Kjo është seanca e radhës pas asaj të 15 janarit, ku prokurorja Fikrije Fejzullahu kishte deklaruar se për shkak të mungesës së funksionimit të kalldajës A5, KEK-u ishte i detyruar të blinte energji me çmime shumë më të larta, duke shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës.
Krasniqi kishte reaguar ndaj pikave të aktakuzës duke thënë se ky rast është i montuar nga Prokuroria.
“Kjo vërtetohet nga vet fakti i arrestimit dhe mbajtjes në paraburgim prej pesë muajsh, që në fakt ka qenë një dënim pa u zhvilluar gjykimi”, kishte thënë ai.
Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, së bashku me Ymer Dragushën dhe Isuf Zejnën, akuzohen se gjatë periudhës 2021–2023, me veprimet e tyre të kundërligjshme kanë shkaktuar dëme në buxhetin e Kosovës, duke kryer veprat penale “keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe “ndihmë në keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.
