Ballina Sport Futboll Finalisti i parë caktohet në “Parkun e Princave”

Finalisti i parë caktohet në “Parkun e Princave”

Paris Saint-Germaini humbi 1:0 nga Borussia Dortmundi në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve. Por, kjo nuk do të thotë se parisienët do të japin çdo gjë për të shënuar dy herë në ndeshjen e kthimit. Kështu të paktën ka thënë trajneri i PSG-së, Luis Enrique, të hënën në konferencë për shtyp.

Niclas Fuellkrug shënoi golin e vetëm të mërkurën e kaluar në Dortmund, në praninë e 81 mijë shikuesve. Ndeshja e kthimit është të martën prej orës 21:00 në “Parkun e Princave” në Paris.

Kampioni i Ligue 1, Parisi, kishte humbur 3:2 në shtëpi nga Barcelona në ndeshjen e parë çerekfinale të Championsit. Por ishte kthyer fuqishëm në ndeshjen e dytë, duke fituar 4:1. Ndaj Dortmundit, Parisi do të jetë gati edhe për vazhdime, nëse kjo do të kërkohet.

“Synimi nuk është të fitojmë me dy gola, por të fitojmë. Nëse mendoni se duhet të shënoni dy gola, ky duket synim i madh”, ka thënë Enrique.

“Ne vetëm duam të luajmë e të shënojmë. Nëse shënojmë në minutën e 89-të, do të jetë gol i vlefshëm. Nuk duhet të shënojmë menjëherë, ne vetëm duam të fitojmë ndeshjen”, ka shtuar trajneri spanjoll.

Enrique dëshiron që skuadra e tij të jetë e koncentruar në të gjitha aspektet e lojës, jo vetëm në sulm. Ai thotë se goli eventual nga Dortmundi nuk do të ishte fundi i botës.

Enrique ka thënë se mund të shënohen dy gola për dy minuta, por po ashtu mund të pësohet goli.
“Prandaj duhet të jemi 100 për qind të fokusuar në sulm dhe mbrojtje. Nëse pësojmë gol, nuk është fundi, duhet të qëndrojmë të qetë. Nëse shënojmë dy gola shpejt, kundërshtari duhet të reagojë. Do të jetë një ndeshje e barabartë me nivel të lartë të lojës me top dhe pa top. Kështu që do të jetë vështirë për të dy ekipet”, thotë Enrique.

Pas humbjes në Dortmundi, Luis Enrique në shumë raste ka thënë se PSG-ja do ta fitojë ndeshjen e kthimit. Spanjolli ka treguar pse e ka përsëritur këtë.

“Është fjalia e vetme që e di në frëngjisht, ‘do të ftojmë’”, tha ai. “Është fjali që më pëlqen dhe unë gjithnjë mendoj se ekipi im do të fitojë. Kështu që këtë e them”.

PSG-ja e ka përparësinë e terrenit vendas në ndeshjen e kthimit dhe Enrique nuk ka dyshime se “Parku i Princave” do të jetë sërish forcë shtytëse për ekipin e tij. Enrique ka thënë se ndikimi i tifozëve do të jetë i madh, njëjtë si gjithë këtë edicion.

Ai ka shprehur besimin se bashkë me tifozët do të festojnë fitoren dhe kualifikimin në finale.
PSG-ja është në kërkim të trofeut të parë në Champions.

Ndërkohë Dortmundi ka fituar Ligën e Kampionëve në vitin 1997. Trajneri i skuadrës gjermane, Edin Terzic, ka theksuar se për të avancuar në finale, Dortmundi duhet të përmirësojë lojën e tij. Dortmundi nuk ka fituar asnjërën prej tri ndeshjeve të kaluara në Paris. Në fazën grupore, në shtator, Borussia Dortmund kishte humbur në kryeqendrën franceze me rezultatin 2:0.

“Shfaqëm lojë të mirë javën e kaluar, që na dha një epërsi të lehtë. Por ajo paraqitje me gjasë nuk do të jetë e mjaftueshme për të kaluar në finale”, ka thënë Terzic.

Sipas tij, skuadra duhet të jetë e bashkuar dhe të ketë plan të mirë e ide të mira. Terzic pret që Parisi të luajë dukshëm më mirë se në Gjermani.

“Ne duam të sigurojmë biletën për në finale. Do të luftojmë për këtë të bashkuar nesër”, ka shtuar Terzic.

Ai thekson se Dortmundi është përmirësuar ndjeshëm që nga ajo ndeshje e shtatorit.

“Parisienët kanë një mision, ne kemi një ëndërr të madhe. Ka mjaft gjëra që duhet t’i bëjmë më mirë, pasi vendasit do të paraqiten më mirë se javën e kaluar. Pjesë e suksesit është të shfaqim intensitet në fushë. Nëse është e nevojshme, do të vrapojmë 20 kilometra më shumë”, ka theksuar trajneri i skuadrës gjermane.

Në gjysmëfinalen tjetër, të mërkurën mbrëma, takohen Real Madridi e Bayern Muencheni.

Exit mobile version