Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Fjalimi i vitit: Trump, 108 minuta retorikë, propagandë dhe sulme

Fjalimi i vitit: Trump, 108 minuta retorikë, propagandë dhe sulme

Nga “epoka e artë” e pretenduar te shpallja e luftës ndaj opozitës dhe sulmi i mundshëm ndaj Iranit

Fjalimi i presidentit Donald Trump për “Gjendjen e Kombit”, mbrëmjen e të martës shënoi një kthesë dramatike në retorikën politike amerikane duke thyer rekordin historik të kohëzgjatjes: plot 1 orë e 48 minuta.

Ai e nisi me një ton triumfues mbi ekonominë duke pretenduar se vendi po përjeton rritjen më të madhe të fuqisë blerëse në histori. Megjithatë, ky optimizëm zyrtar u përplas fort me realitetin e sondazheve ku vetëm 39 për qind e popullsisë miraton menaxhimin e tij, ndërsa pjesa dërrmuese e qytetarëve vazhdon të ndiejë peshën e rritjes së kostove të jetesës dhe pasigurinë financiare.

Për të forcuar ndjenjën e unitetit kombëtar, presidenti shfrytëzoi praninë e ekipit olimpik të hokejit dhe veteranëve të luftës duke u dhënë fjalëve të tij një veshje patriotike përmes dorëzimit të Medaljeve të Nderit nga Zonja e Parë, Melania.

Por kjo atmosferë festive u zëvendësua shpejt nga një sulm i ashpër dhe i drejtpërdrejtë ndaj opozitës, ku Trump i quajti demokratët “të çmendur” dhe i bëri përgjegjës për çdo dështim në sistemin e kujdesit shëndetësor dhe krizën e përballueshmërisë së jetesës.

Ky ndryshim i papritur i tonit, tregoi qartë se fjalimi ishte më shumë një mjet fushate për zgjedhjet e mesmandatit sesa një raportim tradicional kushtetues. Në rrafshin institucional Trump nuk ngurroi të sfidonte vendimet e fundit të Gjykatës së Lartë lidhur me tarifat duke i cilësuar ato si “të pafata”, dhe duke këmbëngulur në teorinë e tij se taksat doganore paguhen nga vendet e huaja.

Po ashtu, ringjalli akuzat për mashtrime zgjedhore, duke paralajmëruar urdhra ekzekutivë të rinj për identifikimin e votuesve vetëm pak muaj para votimeve për Kongresin. Sa i përket politikës së jashtme, ishte i prerë në mesazhin ndaj Iranit duke e cilësuar atë si sponsorin numër një të terrorizmit dhe duke lënë të hapur mundësinë e një sulmi ushtarak për të parandaluar pajisjen e Teheranit me armë bërthamore.

Gjatë gjithë fjalimit u vu re një anashkalim i qëllimshëm i temave të nxehta sociale si vdekjet e fundit në Minneapolis gjatë aksioneve të ICE, duke u përqendruar vetëm te gjuha e ashpër kundër “të huajve kriminelë”. /tesheshi

Exit mobile version