Ballina Ekonomi Fondi Monetar Ndërkombëtar ulë parashikimin për rritjen ekonomike të Kosovës në 2.7...

Fondi Monetar Ndërkombëtar ulë parashikimin për rritjen ekonomike të Kosovës në 2.7 për qind

Ashtu si Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe Banka Botërore (BB) edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parasheh se që ekonomia e vendit tonë për vitin 2022 nuk do të jetë më e lartë se 3 për qind.

FMN në raportin “Perspektiva Ekonomike Botërore: Luftimi i krizës së kostos së jetesës” thekson se për vitin 2021 rritja ekonomike ishte 9.5 për qind, shkruan Telegrafi.

FMN shton se për vitin e ardhshëm rritja ekonomike nuk do të jetë më shumë se 3.5 për qind.

Në përgjithësi, institucioni kryesor financiar e ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike botërore, ku thotë se do të ngadalësohet nga 6 për qind që ishte në vitin 2021 në 3.2 për qind më 2022 dhe 2.7 për qind më 2023. Pra, që është rritja më e dobët që nga viti 2001, me përjashtim të krizës financiare botërore 2008-2009 dhe asaj të pandemisë COVID-19.

“Inflacioni në botë parashikohet të rritet nga 4.7 për qind më 2021 në 8.8 për qind në 2022, e që do të bjerë në 6.5 për qind më 2023 dhe në 4.1 për qind më 2024”, thekson FMN në raport.

Po ashtu, BB-ja në raportin e saj të fundit thotë se rritja reale e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Kosovës për vitin 2022 pritet të ngadalësohet në 3.1 për qind.

Sipas BB-së, në kontekstin aktual, mbështetja për të zbutur ndikimin e çmimeve në rritje të energjisë dhe ushqimeve duhet të fokusohet te më të cenueshmit.

“Në periudhën afatmesme, zbatimi i përshpejtuar i reformave strukturore në energji, arsim, mbrojtje sociale dhe kujdes shëndetësor është thelbësor për të rritur rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të Kosovës”, thekson raporti i Bankës Botërore, përcjell Telegrafi.

Edhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet dhe Financa ka thënë se ka ngadalësim të rritjes ekonomike në vitin 2022.

Mehmeti pati thënë se parashikimet gjatë këtij viti janë diku rreth 3 për qind dhe kjo po ndodh për shkak të dobësimit të fuqisë blerëse, zvogëlimit të kërkesës së brendshme dhe rritjes së deficitit të eksportit neto.

“Rritja e lartë e aktivitetit ekonomik e realizuar në vitin 2021 pritet të ngadalësohet në vitin 2022 dhe parashikimet tona janë që të jetë diku rreth 3 për qind. Ngadalësimi i rritjes ekonomike pritet të jetë kryesisht pasojë e rritjes më të ulët të kërkesës së brendshme dhe rritjes së deficitit të eksportit neto. Përderisa rreziqet nga pandemia janë zvogëluar, rritja e rimëkëmbjes ekonomike pritet të ngadalësohet nga pasojat e tashme të dy krizave, e para është pengesat ende evidente nga zinxhiri i furnizimit nga pandemia dhe presioni shoqëruese të inflacionit të kombinuara me efektet e kombinuara të luftës në Ukrainë që e përforcojë edhe më tej rritjen e çmimeve, dobësimin e fuqisë blerëse dhe rënien e besueshmërisë”, ka theksuar Mehmeti.

Ai ka përfunduar se inflacioni në Kosovë është i importuar dhe çdo masë e tyre vetëm do të pengonte rritjen ekonomike.

Exit mobile version