Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Forcat Detare Turke ofrojnë kontribut të rëndësishëm në stërvitjen e NATO-s “Steadfast...

Forcat Detare Turke ofrojnë kontribut të rëndësishëm në stërvitjen e NATO-s “Steadfast Dart 2026”

Komandanti i Forcave Detare Turke Anadolu, admirali Ercument Tatlioglu deklaroi se Task Forca Detare Turke Anadolu këtë vit ka paraqitur pjesëmarrje të fuqishme në “Steadfast Dart 2026”, stërvitjen më të madhe të NATO-s dhe se mjetet ajrore pa pilot të armatosura TB3 po përdoren për herë të parë në një stërvitje të NATO-s, transmeton Anadolu.

Admirali Tatlioglu bëri vlerësime për gazetarët në bordin e TCG Anadolu gjatë stërvitjes “Steadfast Dart 2026”, stërvitjes më të madhe dhe më gjithëpërfshirëse të NATO-s.

“Njëmbëdhjetë vende të NATO-s po marrin pjesë në këtë stërvitje. Edhe ne si Forca Detare Turke Anadolu, po marrim pjesë me anijen tonë amfibe shumëfunksionale TCG Anadolu, anijen tonë furnizuese dhe mbështetjes luftarake në det TCG Derya, fregatën tonë të parë kombëtare dhe të prodhuar në vend TCG Istanbul dhe fregatën tonë TCG Oruçreis, modernizimin e mesëm të së cilës e kryem me burime kombëtare”, tha Tatlioglu.

Ai theksoi se batalioni amfib i këmbësorisë detare mori pjesë me automjete sulmi amfibe të blinduara të afta për të vepruar si në tokë ashtu edhe në det, me komando sulmi dhe mbrojtjeje nënujore, helikopterë, automjete detare pa pilot dhe tre dronë Bayraktar TB3.

Duke tërhequr vëmendjen në dy aspekte të rëndësishme të stërvitjes, Tatlioglu tha se “Së pari, kjo demonstron aftësinë tranferuese të fuqisë së Forcave Detare Turke”.

Më tej Tatlioglu deklaroi se me anijen TCG Anadolu këmbësoria detare dhe forcat amfibe u transportuan nga një distancë mbi 8.000 kilometra.

– TB3 përdoren për herë të parë në një stërvitje të NATO-s

“Pika e dytë e rëndësishme është se ne po përdorim TB3 për herë të parë në një stërvitje të NATO-s. Për më tepër, ne po përdorim TB3 për herë të parë në një operacion amfib. Kjo është një doktrinë e re edhe për NATO-n. Ky është operacioni i parë amfib që kemi kryer brenda NATO-s duke përdorur dronët”, tha admirali Tatlioglu.

“Ne kemi prani detare jo vetëm në Detin Baltik por në të gjithë botën. Forca Detare Turke Anadolu po kryen stërvitje në Detin Baltik dhe Task Forca Detare Turke për Somalinë po kryen ushtrime në Oqeanin Indian. Anijet tona po operojnë në Gjirin Persik, në perëndim të Libanit dhe në veri të Libisë. Për më tepër, që nga sot, ne po kryejmë ushtrime stërvitore me italianët në Detin Adriatik”, tha ai.

Sipas tij, pozicioni gjeostrategjik i Turqisë si një vend i rrethuar nga detet nga tre anët kërkon forcë të fortë detare. “Ne jemi me të vërtetë një forcë detare shumë e fortë”, tha Tatlioglu.

Exit mobile version