Forcat izraelite bastisën sot dhjetëra shtëpi dhe arrestuan disa palestinezë në qytetin Hizma, në verilindje të Kudsit Lindor të pushtuar në Bregun Perëndimor, ndërsa ushtria vazhdoi një rrethim të rreptë i cili tani po hyn në ditën e tretë, transmeton Anadolu.
Kryebashkiaku i rajonit Hizma, Novan Salah al-Din tha se forcat izraelite e mbajtën mbylljen për të tretën ditë radhazi, duke e hequr atë shkurtimisht rreth orës 5 pasdite sipas orës lokale të mërkurën përpara se ta ri-izolonin qytetin dy orë më vonë.
Sipas tij, trupat izraelite kryen bastisje gjatë natës në dhjetëra shtëpi, duke i shndërruar disa në poste të përkohshme ushtarake, duke i frikësuar banorët dhe duke dëmtuar pronën. Forcat izraelite arrestuan disa të rinj dhe i morën në pyetje, tha ai.
Një numër i madh trupash izraelite mbeten të vendosura në të gjithë qytetin, ku banojnë rreth 12.000 njerëz, tha kryebashkiaku.
Forcat izraelite vendosën rrethimin të martën, duke shpërndarë fletëpalosje në qytet duke e shpallur atë një “zonë ushtarake të mbyllur” dhe duke u ndaluar banorëve të largohen deri në njoftim të mëtejshëm.
Masat vijnë mes një përshkallëzimi të vazhdueshëm rreth Kudsit Lindor të pushtuar, ku forcat izraelite kanë rritur veprimet ushtarake në zonat përreth.
Që nga e hëna, forcat izraelite kanë nisur operacion ushtarak në Kafr Aqab, në veri të Kudsit Lindor të pushtuar, si pjesë e asaj që autoritetet izraelite e quajnë “Operacioni Mburoja e Kryeqytetit”. Njësitë e policisë dhe ushtrisë izraelite thanë se fushata synon të forcojë kontrollin në zonën e kufirit dhe të rrisë sigurinë publike.
Sipas shifrave palestineze, forcat izraelite dhe kolonët e paligjshëm kanë vrarë të paktën 1.109 palestinezë në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor dhe kanë plagosur gati 11 mijë të tjerë që nga tetori 2023.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli në një mendim historik në korrik 2024 dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.
