Një fëmijë palestinez 13-vjeçar u vra të premten gjatë një bastisjeje të forcave izraelite në fshatin Al Mughayyir, në lindje të Ramallahut, në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Sipas agjencisë zyrtare palestineze WAFA, forcat izraelite hynë në fshat nga zona Al Khalayel dhe hapën zjarr të drejtpërdrejtë ndaj banorëve, duke shkaktuar vdekjen e fëmijës Mohammed Saad Na’san. Më vonë, ato sulmuan edhe besimtarët që po dilnin nga xhamia perëndimore e Al Mughayyir pas faljes së namazit të xhumasë, duke hedhur granata shurdhuese dhe gaz lotsjellës.
WAFA raporton se fshati po përballet prej kohësh me sulme të vazhdueshme nga kolonë izraelitë të paligjshëm, të cilët veprojnë nën mbrojtjen e ushtrisë izraelite. Të premten në mëngjes, kolonët bastisën zonën Al Khalayel në jug të fshatit, qëlluan me armë zjarri dhe kryen sulme të përsëritura ndaj banorëve dhe pronës së tyre.
Sipas të dhënave palestineze, që nga tetori 2023, forcat izraelite dhe kolonët kanë vrarë të paktën 1,107 palestinezë në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor të pushtuar, kanë plagosur rreth 11,000 persona dhe kanë arrestuar afro 21,000 të tjerë.
Në korrik të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli të paligjshëm pushtimin izraelit të territoreve palestineze dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor. /mesazhi
