Ballina Lajmet Foshnja afgane i mbijeton sulmit me bombë

Foshnja afgane i mbijeton sulmit me bombë

Një foshnje i ka mbijetuar sulmit vetëvrasës të talebanëve në Afganistan të enjten, ndërsa sulmi shkaktoi reagime në vendin e shkatërruar nga lufta, raporton Anadolu Agency (AA).

Spitali kryesor publik në provincën e largët jugore të Zabulit u shkatërrua nga sulmi i talebanëve me kamion bombë herët në mëngjes, në të cilin humbën jetën të paktën 20 njerëz dhe u plagosën mbi 90 të tjerë.

Shpërthimit i shpëtoi e padëmtuar një foshnje e vogël, ndërsa polici afgan tregon në sfondin e një video virale se ai e gjeti të shtrirë dhe të padëmtuar mes viktimave të tjera.

Foshnja gjashtë muajshe ishte dërguar në spital për vaksinim nga nëna e saj, e cila kishte “plagë të rënda”, tha për AA Gul Islam, zëdhënësi i guvernatorit të provincës.

Ky është sulmi i fundit në serinë e dhunës së egër në Afganistan dhe shkaktoi reagime të afganëve në rrjetet sociale.

“Ku është njerëzimi? Sa kohë mund të vazhdojë kjo vrasje dhe gjakderdhje? Ky mjerim i përhershëm duhet të marrë fund”, tha një përdorues i rrjetit social Twitter.

“Unë nuk mund ta kuptoj, pavarësisht nga bindjet e tyre (talebanët), në fund të fundit ata po vrasin popullin e tyre”, tha një tjetër përdorues.

Duke pretenduar përgjegjësinë për sulmin, talebanët thanë se për objektiv kishin objektin e afërt të shërbimit sekret afgan.

Sulmi është dënuar ashpër nga qeveria afgane dhe bashkësia ndërkombëtare.

Misioni i Ndihmës i OKB-së në Afganistan në një raport evidentoi 3.812 viktima civile (1.366 vdekje dhe 2.446 të plagosur) vetëm në gjysmën e parë të vitit 2019.

Sipas raportit, gratë dhe fëmijët vazhdojnë të ndikohen në mënyrë disproporcionale nga konflikti i armatosur në Afganistan. Deri në 30 qershor 2019, 430 viktima të konfliktit ishin gra (144 vdekje dhe 286 të plagosur) dhe 1.207 viktima fëmijë (327 vdekje dhe 880 të plagosur).

Exit mobile version