Franca të shtunën hodhi poshtë propozimin e kompromisit të presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, për buxhetin e BE-së për periudhën 2028-2034, duke thënë se ai nuk ofron garanci të mjaftueshme për të ardhurat e fermerëve, transmeton Anadolu.
Pallati Elysee e cilësoi projektpropozimin si “shumë zhgënjyes” dhe tha se ai “nuk përbën bazë për një marrëveshje”.
Parisi tha se propozimi nuk i përmbush pritshmëritë e tij për Politikën e Përbashkët Bujqësore të BE-së, veçanërisht sa u përket masave për mbrojtjen e të ardhurave të fermerëve.
Propozimi i Costas do të ulte me 204 miliardë euro planin fillestar të buxhetit të Komisionit Evropian, duke e çuar kornizën shtatëvjeçare të shpenzimeve në rreth 1,781 trilion euro.
Propozimi fillestar kishte një vlerë prej rreth 2 trilionë eurosh.
Buxheti i rishikuar do të ishte rreth 10 për qind më i vogël se plani fillestar i Komisionit, sipas çmimeve aktuale.
– Gjermania kërkon shkurtime më të mëdha të shpenzimeve
Edhe kancelari gjerman Friedrich Merz e hodhi poshtë propozimin e kompromisit, duke pohuar se shkurtimet e propozuara nuk shkojnë aq larg sa duhet.
Merz e cilësoi propozimin e Costas si një “hap të parë”, por tha se shpenzimet e përgjithshme mbeten në një nivel të papranueshëm.
Irlanda, e cila mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së, propozoi në tetor shkurtime prej 140 miliardë eurosh.
Ky propozim nuk përmbushi kërkesat e vendeve, përfshirë Gjermaninë dhe Holandën, për shkurtime më të mëdha të shpenzimeve.
Sipas projektpropozimit të fundit të Costas, fondet për menaxhimin e migracionit dhe sigurinë kufitare do të dyfishoheshin.
Propozimi do të rriste gjithashtu kontributet mesatare të vendeve anëtare të BE-së nga 0,80 në 0,82 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
– Taksa për shërbimet digjitale ngre shqetësime
Propozimi i Costas përfshin një taksë të re prej 3 për qind për shërbimet digjitale, që synon kompanitë e mëdha të teknologjisë.
Ai tha gjithashtu se do të shqyrtojë mundësinë e vendosjes së një takse mbi asetet kripto.
Disa vende anëtare të BE-së kanë shprehur shqetësimin se taksa për shërbimet digjitale mund të shkaktojë masa hakmarrëse nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump.
Buxheti afatgjatë i BE-së kërkon miratimin unanim të vendeve anëtare dhe pëlqimin e Parlamentit Evropian.