Kriza demografike ka trokitur prej vitesh edhe në Shqipëri, por…
Franca, e njohur dikur si “përjashtimi” demografik i Evropës, ka hyrë zyrtarisht në një “dimër” të ftohtë demografik. Për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, vendi ka regjistruar më shumë vdekje sesa lindje. Kjo e ka detyruar qeverinë e Parisit të shpallë një “Plan Marshall për lindjet”.
Me një rënie prej 190.000 lindjesh në vit krahasuar me 2010-ën, autoritetet kanë nisur një ofensivë me një ton pothuajse ushtarak. Masat përfshijnë krijimin e 70 qendrave për ngrirjen e vezëve deri në vitin 2028 dhe një lëvizje të pazakontë: dërgimin e letrave zyrtare grave 29-vjeçare për t’u kujtuar atyre “tik-takun” e orës biologjike.
Strategjia synon ta kthejë lindjen e një fëmije në një “ngjarje fiskale”, duke reformuar lejet prindërore dhe ofruar përfitime universale që nga fëmija i parë, në një përpjekje të dëshpëruar për të ndalur atë që filozofët po e quajnë “eutanazi kolektive”.
Por ndërsa Parisi po lëviz çdo gur për të shpëtuar motorin e tij demografik, Shqipëria gjendet në një udhëkryq edhe më të rrezikshëm, por me një reagim të çalë. Vendi ynë po vuan një rënie drastike të popullsisë, ku përveç emigrimit masiv të moshave të reja, shkalla e lindshmërisë ka rënë në nivele historike.
Ndryshe nga Franca, e cila pavarësisht krizës investon 5 për qind të PBB-së së saj në politika familjare, Shqipëria nuk ka ende një strategji afatgjatë dhe të mirëfilltë për të ndalur “zbrazjen” e vendit. Bonusit të lindjes i mungon mbështetja strukturore, siç janë shërbimet shëndetësore cilësore, siguria ekonomike për çiftet e reja dhe politikat e strehimit, duke e lënë familjen shqiptare të vetme përballë pasigurisë.
Nëse nuk merren masa emergjente, “stuhia demografike” që po godet Evropën do të kthehet në një rrënim të pariparueshëm për shoqërinë tonë. Pa një plan kombëtar që shkon përtej premtimeve elektorale, Shqipëria rrezikon të mbetet një vend i të moshuarve, ku mungesa e fuqisë punëtore dhe dobësimi i vullnetit kolektiv do të minojnë çdo mundësi për zhvillim.
Ky “dimër demografik” kërkon më shumë se sa vetëm retorikë. Ai kërkon një vizion që e vendos mbijetesën e popullsisë në qendër të politikave shtetërore, para se arkivolët të jenë përfundimisht më të shumtë në numër se djepat. /tesheshi
