Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Zyrtari më i lartë civil në Mbretërinë e Bashkuar jep dorëheqjen mes...

Zyrtari më i lartë civil në Mbretërinë e Bashkuar jep dorëheqjen mes trazirave mbi çështjen Epstein

Chris Wormald

Chris Wormald është larguar nga posti i zyrtarit më të lartë civil në Mbretërinë e Bashkuar dhe drejtues i shërbimit civil “me marrëveshje të ndërsjellë”, transmeton Anadolu..

Ky zhvillim vjen derisa kryeministri britanik, Keir Starmer, synon të riorganizojë funksionimin e kabinetit qeveritar pas polemikave mbi emërimet e Lord Peter Mandelson dhe Lord Matthew Doye, pavarësisht lidhjeve të tyre me persona të dënuar për krime seksuale.

Largimi i Wormaldit përbën të paktën largimin e tretë të madh nga kabineti qeveritar në pak ditë, pas dorëheqjeve të shefit të stafit dhe drejtorit të komunikimit të kryeministrit Starmer, si pasojë e reagimeve ndaj dosjeve të Epsteinit dhe emërimit të Mandelsonit si ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në SHBA.

Siç njoftoi Zyra e Kabinetit, Wormald në një deklaratë tha: “Ka qenë një nder dhe privilegj të shërbej si nëpunës civil për 35 vitet e fundit dhe një përgjegjësi e veçantë të drejtoj shërbimin si Sekretar i Kabinetit. Dua të shpreh falënderimet e mia të sinqerta për nëpunësit civilë, shërbyesit publik, ministrat dhe këshilltarët me të cilët kam punuar”.

Starmer tha se ishte “mirënjohës” për “karrierën e gjatë dhe të shquar në shërbimin publik” të Wormaldit dhe për mbështetjen e tij si sekretar i kabinetit. Ai theksoi se vendimi ishte i përbashkët.

“Jam shumë mirënjohës ndaj Chrisit për karrierën e tij të gjatë dhe të dalluar në shërbimin publik, që shtrihet në më shumë se 35 vite dhe për mbështetjen që më ka dhënë gjatë vitit të kaluar. Kemi rënë dakord që ai të largohet nga posti i Sekretarit të Kabinetit që sot”, tha Starmer.

Riorganizimi ndodh teksa Starmer përballet me presion si nga brenda partisë së tij, ashtu edhe nga opozita, lidhur me menaxhimin e skandalit Mandelson-Epstein dhe stabilitetin e ekipit të tij drejtues.

Një pasardhës pritet të emërohet së shpejti, ndërsa Antonia Romeo, aktualisht sekretare e përhershme në Ministrinë e Brendshme, përmendet gjerësisht si kandidate kryesore për t’u bërë gruaja e parë në postin e Sekretarit të Kabinetit.

Exit mobile version