Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Francë, dhjetëra të arrestuar në protestat kundër reformës së pensioneve

Francë, dhjetëra të arrestuar në protestat kundër reformës së pensioneve

Dhjetëra persona janë arrestuar në protestat e mbajtura në kryeqytetin e Francës, Paris, kundër reformës së pensioneve, raporton Anadolu.

Mijëra persona dolën në rrugët e Parisit, duke reaguar ndaj hapit të qeverisë për të zbatuar pa votim në Parlament rregulloren e cila përfshin rritjen e moshës së pensionit në 64 vjeç.

Protestuesit u drejtuan në rrugët në jug të qytetit për shkak të ndalimit të protestave në sheshin pranë Parlamentit në Paris dhe përreth bulevardit Champs-Elysees në të cilën ndodhet Harku i Triumfit.

Protestuesit i vunë flakën koshave të plehrave, biçikletave dhe skuterëve si dhe brohoritën me slogane kundër policisë.

Ekipet e policisë u përpoqën të shpërndajnë protestuesit duke ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome. Edhe ndaj protestuesve që u mblodhën në sheshin “Italia” u përdor ujë me presion ku disa protestues u plagosën.

Sipas lajmeve në mediat franceze që bazohen në burimet e policisë, thuhet se në Paris deri më tani janë arrestuar 71 protestues.

Unioni Kombëtar Francez i Gazetarëve në një deklaratë me shkrim bëri të ditur se në protestat e djeshme në Paris janë arrestuar 2 gazetarë.

Protestuesit kundër reformës filluan të protestojnë pasi kryeministrja Elisabeth Borne u përpoq më 16 mars ta vendosë rregulloren në zbatim pa e paraqitur për votim në Parlament duke përdorur paragrafin 3 të nenit 49 të Kushtetutës.

Exit mobile version