Lufta e gabuar kundër Iranit po dështon dhe po rrezikon vetë mbijetesën e liderëve të saj
Nga Hakkı Öcal, Daily Sabah
Aleanca midis Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu po dështon në luftën e tyre kundër Iranit, një projekt i bazuar në fantazi që shpërfillin të drejtën ndërkombëtare dhe sovranitetin e kombeve.
Të dy liderët besojnë verbërisht te fuqia ushtarake dhe arsenali bërthamor, por kjo qasje po shembet përballë një realiteti që nuk i bindet planeve të tyre. Ky konflikt nuk mund të fitohet, pasi qëllimet e ndryshuara të Trump e kanë bërë ushtrinë amerikane “kryesisht të padobishme”, përveç rasteve të tragjedive civile.
Nga ana tjetër Netanyahu, e ka tërhequr SHBA-në në këtë shkelje të paligjshme të rendit ndërkombëtar me shpresën për të shpëtuar veten nga gjykatat izraelite. Ai synon të sigurojë mbijetesën politike përmes luftës, ndërkohë që Izraeli përballet me një udhëkryq ekzistencial: rikthimin në demokraci ose mbetjen në një diktaturë nën drejtimin e tij.
Kjo lojë e rrezikshme, po e çon vendin drejt një përçarjeje të pariparueshme. Asnjë palë nuk mund të përfitojë nga kjo luftë e ashtuquajtur, pavarësisht titujve optimistë të disa mediave amerikane.
Analistët që parashikojnë reagimet e iranianëve shpesh dështojnë sepse nuk e njohin realisht popullin persian, azerbajxhanas dhe kurd. Irani nuk mund të përfaqësohet nga “djali i një Shahu”, i cili është ushqyer me miliona dollarë nga CIA që prej grushtit të shtetit të vitit 1953.
Trump shpresonte se përmbysja e regjimit të mullahëve do të shkaktonte konflikte etnike në Iran, duke u besuar këshillave të ish-gjeneralëve që jetojnë në SHBA dhe drejtuesve të tij të inteligjencës si Kash Patel.
Megjithatë, asnjë grup separatist nuk po pranon të shërbejë si “mish për top” në terren për interesat amerikane. Udhëheqësit kurdë e kanë bërë të qartë se nuk janë mercenarë për Izraelin apo Amerikën.
Sipas politologut John Mearsheimer, pa një operacion tokësor masiv, asnjë vend nuk mund të imponojë ndryshim regjimi. Meqenëse SHBA-ja duhet të përdorte ushtrinë e vet si forcë sulmuese, gjasat për sukses janë minimale.
Përkundrazi, është më e mundur që ky konflikt të çojë në rivendosjen e regjimeve në SHBA dhe Izrael në gjendjen që ishin përpara se Trump dhe Netanyahu të merrnin pushtetin.
Plani për t’i “prerë kokën” udhëheqjes në Iran po rezulton në një dështim që po kthehet kundër vetë hartuesve të tij. Imazhet e arkivoleve të mbuluar me flamuj dhe kërcënimi i krizave globale të naftës po krijojnë frikë në SHBA, veçanërisht para zgjedhjeve të ardhshme.
Nëse Partia Republikane humbet, kjo mund të çojë deri në shkarkimin e Trump nga presidenca. Në Izrael, udhëheqësit e opozitës si Naftali Bennett, besojnë se Netanyahu po përdor luftën për të shtypur gjysmën e kombit që nuk e mbështet.
Qëllimi i tij është të eliminojë rolin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe të dobësojë median e lirë përmes ligjeve të reja. Në vend të një lufte civile në Iran, Netanyahu po nxit një luftë civile brenda vetë Izraelit për të konsoliduar pushtetin e tij.
Udhëheqësit evropianë po zgjohen me vonesë përballë pasojave të një Irani të destabilizuar, por nuk kanë forcë t’i thonë “Ndal” Trumpit apo Netanyahut. Ndërsa në Shtëpinë e Bardhë mbahen seanca lutjesh, duket se vetëm një fund i përshpejtuar i epokës së “Donit dhe Bibit”, mund ta shpëtojë botën nga kjo çmenduri. /tesheshi
