Ballina Autorë Opinione Funksionimi në krizë të përhershme

Funksionimi në krizë të përhershme

Xhelal Neziri

Përplasja e fuqive të mëdha në rajon do të jetë e pranishme, sidomos për shkak të shkëputjes së Serbisë nga përqafimi me Rusinë. Kjo shkëputje do të jetë traumatike dhe do të prodhojë efekte në Bosnjë e Hercegovinë, në Mal të Zi, në Kosovë, por edhe në Maqedoninë e Veriut. Këto efekte do të çojnë drejt një rivendosjeje të re të marrëdhënieve midis shteteve, ku RMV-ja sërish do të ngelet si vend për ruajtjen e baraspeshës që e garanton paqen.

Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë

Republika e Maqedonisë së Veriut (RMV) ka një skenë shumë vibrante politike. Paqëndrueshmëria politike dhe krizat ciklike e kanë përshkuar vendin në tre dekadat e fundit, që nga shpallja e pavarësisë. Kontestet e brendshme dhe të jashtme shfaqen dhe tërhiqen varësisht nga dinamikat e brendshme politike, të cilat ndikohen shumë nga faktorë të jashtëm.

Çështja maqedonase

Kjo gjendje e krizës së përhershme, në fakt, e ka karakterizuar këtë vend në më shumë se një shekull. Çështja maqedonase, në kuptimin gjeografik, u bë burim trazirash dhe rreziqesh për Ballkanin që nga fillimi i rënies së Perandorisë Osmane në fillim të shekullit të 20-të. Një territor mbi të cilin gati të gjitha vendet fqinje mendojnë se kanë legjitimitet historik të jenë të pranishme, të ndikojnë apo t’u takojë atyre: Serbia thirret në Traktatin e Bukureshtit, të vitit 1913, kur territori ku shtrihet sot shteti i Maqedonisë së Veriut. i takoi Serbisë; Greqia thirret në antikitetin grek, kur pretendon se ky territor dhe maqedonasit antikë ishin pjesë të saj; Bullgaria thirret në Traktatin e Shën Stefanit, një dokument që doli pas ngadhënjimit të Rusisë mbi Perandorinë Osmane, i cili projektoi Bullgarinë deri në Ohër; dhe Shqipëria – e cila në vitin 1912 e shpalli pavarësinë – duke e llogaritur si territor të saj Kosovën dhe gjysmën e RMV-së së sotme.

Për këtë shkak, çështja e Maqedonisë së Veriut ka ngjallur shumë debate në shekullin e fundit, pasi vazhdimisht ka qenë një “bombë e kurdisur” për paqen dhe stabilitetin jo vetëm të rajonit. Themelimi i republikës (1945), e më pas edhe i shtetit të RMV-së (1991), është parë si një proces i cili do t’i ruajë baraspeshat e fuqive rajonale ose do ta mënjanojë përplasjen e tyre në terren. Ky ekuilibër fuqish edhe sot e ruan paqen në një botë realiste, ku interesat shtetërore janë pikënisja e çdo ndërveprimi në marrëdhëniet ndërkombëtare. Tentimet e formimit të “Federatës Ballkanike” mbi parime ideologjike, si ato në vitin 1908 ose në 1945, dështuan për shkak të pamundësisë së popujve më të mëdhenj të rajonit që të ngrihen mbi interesat e tyre etnike.

Prerje të interesave në këtë territor të vogël në mes të Ballkanit kishte dhe ka edhe sot e kësaj dite. Nëse pas luftës ruso-turke u krijua një realitet i ri në rajon, ai u ndryshua pas Luftës së Dytë Botërore dhe u transformua pas rënies së sistemit monist kah fundi i shekullit të kaluar. Në një dokument të Agjencisë Inteligjente Amerikane CIA, që mban datën e 17 shkurtit të vitit 1950, thuhet se Çështja e Maqedonisë ka filluar të jetë temë parësore për tërë qeverinë komuniste të Jugosllavisë së Titos për shkak të pikëpamjeve të tij të ndryshme me Bashkimin Sovjetik në këtë temë. Nuk kishin kaluar as pesë vite nga Konferenca e Jalltës, ku Ruzvellti, Çerçilli dhe Stalini kishin ndarë zonat e ndikimit, që të takohen si rivalë mbi një territor, në shikim të parë, gati të parëndësishëm. Sipas raportit, Bashkimi Sovjetik ka dashur të krijojë një “Republikë Maqedonase”, që do të ishte pjesë e federatës së Bullgarisë, me çka do ta jetësonte Traktatin e Shën Stefanit. Sipas CIA-s, aneksimi i Maqedonisë së Veriut dhe bashkëngjitja e kësaj republike me Bullgarinë do ta ndihmonte Partinë Komuniste Bullgare që ta fitojë simpatinë e popullit. Komunistët bullgarë nuk gëzonin aq shumë mbështetje në masë në atë periudhë për shkak të rolit të vogël që kishin luajtur në luftën antifashiste, andaj ishin fuqizuar dhe ngjitur në pushtet me ndihmën e sovjetikëve. Tito i është kundërvënë kësaj politike, duke forcuar ndjenjat nacionaliste maqedonase të popullatës që jetonte në këtë republikë. Mirëpo, ky plan i Titos nuk ka shkuar aq lehtë. Në dokument thuhet se Partia Komuniste Maqedonase ka qenë më shumë në favor të projektit sovjetik dhe për këtë ka përgatitur një rezolutë. Edhe pjesa më e madhe e popullit maqedonas, po ashtu. Duke u bashkuar me Bullgarinë, kanë menduar se do ta fitojnë republikën e tërësuar maqedonase, e cila shtrihej mbi territorin e para Traktatit të Bukureshtit. Madje, Parlamenti Popullor i Maqedonisë ka qenë i gatshëm të votojë shkëputje nga federata jugosllave dhe t’i bashkohet Bullgarisë, por kanë vlerësuar se është herët, pasi Tito dhe komunistët jugosllavë ende kanë qenë të fuqishëm. Epilogu i gjithë kësaj ka qenë shkarkimi dhe gjykimi i shumë ministrave dhe funksionarëve komunistë, një pjesë e të cilëve kanë ikur në Bullgari. Gati të gjithë që e kanë përkrahur rezolutën janë arrestuar.

Rikthimi i krizës

Pas më shumë se tetë dekadash, RMV-ja sërish po kalon nëpër një periudhë të ngjashme. Çdo trazirë e brendshme është një mundësi për lojtarët gjeopolitikë, të cilët nuk pajtohen me orientimin strategjik të vendit – integrim në NATO dhe BE. Ata operojnë nëpërmjet modelit të hapjes së “plagëve të vjetra” që krijojnë mosmarrëveshje ndërshtetërore dhe, më pas, të pengimit e arritjes së ujdive për tejkalimin e po atyre mosmarrëveshjeve.

Marrëveshja e Ohrit (2001) e demokratizoi shtetin shumetnik, i cili në vitin 1991 qe projektuar si njëetnik. Problemi i emrit me Greqinë u tejkalua me Marrëveshjen e Prespës, e arritur në vitin 2018 me shumë vështirësi e rreziqe. (Nga viti 2008 Athina zyrtare kishte mbajtur të bllokuar me veto integrimet e vendit në strukturat euroatlantike.) Në vitin 2017 u nënshkrua marrëveshja me Bullgarinë, e cila u quajt Traktat i Miqësisë së Mirë. Por, zbatimi i saj nuk shkoi me dinamikën e duhur, andaj Sofja, njëjtë si Athina, vendosi ta përdorë të drejtën e vetos. Pasi në mars të vitit 2020 RMV u bë anëtare e NATO-s, vetoja bullgare i bllokoi vetëm integrimet europiane. Në vitin 2020 Sofja nuk lejoi të nisin bisedimet për anëtarësim të RMV-së në BE, gjë që u zgjidh në vitin 2022 me Propozimin Francez. Ky aneks i Traktatit të Miqësisë së Mirë, i miratuar vitin e kaluar nga parlamentet në Sofje dhe Shkup, e hoqi veton bullgare dhe vendi nisi rrugën vetëm për procesin e skriningut, pra të analizës se sa ligjet e vendit janë të harmonizuara me ato europiane. Por, ky akt nuk e ka mënjanuar në tërësi rrezikun e rikthimit të vetos. Më konkretisht, vazhdimi i negociatave ose hapja e kapitujve të parë kushtëzohet me përfshirjen e bullgarëve etnikë në kushtetutë. Ndërkaq për këtë kërkohen 80 nga 120 deputetë, gjë që qeveria aktuale nuk i ka. Kjo e bën VMRO-DPMNE-në faktor vendimtar nëse vendi do të arrijë të përmbushë detyrimin themelor nga Propozimi Francez, që ta vazhdojë rrugën europiane ose do ta rikthejë bllokadën bullgare.

E vërteta e “20 përqindëshit”

Një çështje e dalë nga Marrëveshja e Ohrit që hapet kohë pas kohe nga partitë e shqiptarëve etnikë, sa herë që gjenden në opozitë, është ajo e zëvendësimit të termit “20 për qind” me “shqiptarë”. Ky term u përdor për të definuar të drejtat e shqiptarëve etnikë në versionin e parë të Marrëveshjes së Ohrit, e cila projektonte kushtetutën me një preambulë për një shtet qytetar – “Republika e Maqedonisë është shtet i të gjithë qytetarëve që jetojnë në të”. Pas negociatave plotësuese në Shkup, që u hapën pas refuzimit të VMRO-DPMNE-së që të votojë ndryshimet kushtetuese, u arrit marrëveshja për preambulën që sot i definon shqiptarët etnikë si “pjesë e popullit shqiptar”. Megjithatë, termi “20 për qind” vazhdon të vrasë keq në veshin e shqiptarëve, të cilët tash e shohin momentin që ai të hiqet, bashkë me zbatimin e Propozimit Francez. Kjo kauzë etnike gjithsesi se u përshtatet agjendave politike që kërkojnë të minojnë ndryshimet kushtetuese, ta bllokojnë procesin euro-integrues ose t’u prolongojnë ndryshimet pasi opozita të vijë në pushtet.

Kjo garë pas numrave, njëjtë si në vitin 2018, do të prodhojë kriza të reja, që do ta zgjerojnë edhe më shumë hapësirën e ndikimeve keqdashëse nga jashtë. Në një situatë kur ka mungesë konsensusi midis forcave kryesore politike, ato do të vazhdojnë drejt përplasjes politike që mund ta rrezikojë seriozisht procesin e integrimit në BE. Që nga viti 2017 Moska e paralajmëroi RMV-në se, me anëtarësimin në NATO, ajo do të paraqesë cak legjitim për Rusinë. Tani, kur lufta në Ukrainë pritet të marrë epilog dhe BE-ja është e rreshtuar njëzëri pas Ukrainës, interesi i Rusisë për ta bartur konfliktin në tokën europiane do të jetë edhe më i madh.

Përplasja e fuqive të mëdha në rajon do të jetë e pranishme, sidomos për shkak të shkëputjes së Serbisë nga përqafimi me Rusinë. Kjo shkëputje do të jetë traumatike dhe do të prodhojë efekte në Bosnjë e Hercegovinë, në Mal të Zi, në Kosovë, por edhe në Maqedoninë e Veriut. Këto efekte do të çojnë drejt një rivendosjeje të re të marrëdhënieve midis shteteve, ku RMV-ja sërish do të ngelet si vend për ruajtjen e baraspeshës që e garanton paqen. /revistashenja

Exit mobile version