Ballina Artikuj Fuqia e modelit në kohën e lodhur nga fjalët

Fuqia e modelit në kohën e lodhur nga fjalët

Abdulkerim Bekkar

Koha kur fjalët e bukura mjaftonin për të bindur njerëzit ka përfunduar. Shoqëritë e sotme janë lodhur nga teprica e këshillave dhe ligjërimeve, prandaj tashmë nuk u kushtojnë shumë vëmendje fjalëve, por projekteve dhe veprave që shihen në realitet. Kapitali që dikur e kishte retorika e zëshme pothuajse është shteruar, dhe në vend të saj po shfaqet një pritshmëri globale për një Islam që lëviz dhe vepron , një fe që nuk qëndron vetëm në faqet e librave, por që shfaqet në ndershmërinë e tregtarit, në përpikërinë e mjeshtrit dhe në suksesin e dijetarit.
Edhe koncepti i “davetçiut” (thirrësit në fe) duhet të çlirohet nga kufizimi vetëm në fjalë. Ai duhet të përfshijë çdo mysliman që mban përgjegjësi në një fushë të jetës. Perfeksioni dhe përkushtimi në punë janë në thelb vepër besimi, ndërsa suksesi në këtë botë, i udhëhequr nga vlerat morale, është forma më e lartë e davetit të heshtur. Punonjësi që respekton kohën e njerëzve dhe studenti që kërkon vazhdimisht dijen dhe përsosmërinë, në të vërtetë japin një dëshmi të gjallë për vitalitetin e kësaj feje dhe për aftësinë e saj për të formuar njerëz plot energji dhe kreativitet.
Fitorja e vërtetë e fesë në kohën tonë nuk do të vijë nga debatet e pafundme intelektuale, por nga paraqitja e një modeli alternativ: një model që bashkon pastërtinë e shpirtit me rregullin në paraqitje, përulësinë e zemrës me disiplinën në sjellje, dhe mbështetjen tek Allahu me qytetarinë dhe kulturën në marrëdhëniet me njerëzit.
Mesazhi i Islamit sot ka nevojë më shumë për shembull dhe gjendje që flasin vetë, sesa për shumë fjalë. Ka nevojë për modele të gjalla, të cilat ia kthejnë vlerave madhështinë e tyre përmes sinqeritetit të veprave, e jo vetëm përmes bukurisë së fjalëve.

Dr. Abdulkarim Bakkar.

Exit mobile version