Gaza ka pësuar më shumë se 33 miliardë dollarë dëme gjatë vitit 2025 si pasojë e sulmeve izraelite, sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve lokale.
Në një deklaratë të publikuar nga Zyra Qeveritare e Medias në Gaza u tha se ushtria izraelite ka goditur Rripin e Gazës me mbi 112 mijë tonë eksplozivë gjatë vitit 2025, duke shkatërruar më shumë se 106 mijë banesa.
Autoritetet qeveritare vlerësojnë se humbjet e drejtpërdrejta fillestare në 15 sektorë jetikë kanë tejkaluar 33 miliardë dollarë, ndërsa pasojat e luftës shkatërruese kundër palestinezëve vazhdojnë të ndihen edhe pas dy vitesh.
Sipas deklaratës, sektorët e bujqësisë, blegtorisë dhe peshkimit janë shkatërruar pothuajse plotësisht. Rreth 44 mijë hektarë tokë, që përfaqësojnë mbi 80 për qind të tokës bujqësore në Gaza, janë dëmtuar rëndë.
Autoritetet paralajmërojnë se dëmet në infrastrukturë, ekonomi dhe mjete jetese kanë thelluar krizën humanitare dhe kanë vështirësuar ndjeshëm jetën e popullsisë civile në Gaza. /mesazhi
