Gazetari palestinez Salih Amer Fuad al-Ja’afrawi ka lënë një mesazh prekës pak para se të binte dëshmor më 12 tetor 2025, duke e përshkruar atë si amanetin e tij të fundit për popullin e Gazës.
Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit.
Falënderimi i qoftë Allahut, Zotit të botëve, Atij që ka thënë:
“Mos mendo se ata që janë vrarë në rrugën e Allahut janë të vdekur. Përkundrazi, ata janë të gjallë te Zoti i tyre dhe furnizohen.”
Unë jam Saleh.
Lë këtë testament, jo si lamtumirë, por si vazhdim i rrugës që e kam zgjedhur me bindje të plotë.
Allahu e di se kam dhënë gjithçka që kam pasur nga forca dhe mundi, që të jem mbështetje dhe zë për popullin tim.
Kam jetuar dhimbjen dhe padrejtësinë në çdo detaj, kam shijuar hidhërimin dhe humbjen e të dashurve shumë herë,
por asnjëherë nuk jam ndalur së përcjelli të vërtetën ashtu siç është — të vërtetën që do të mbetet dëshmi kundër atyre që u treguan të dobët dhe heshtën, dhe nder për ata që ndihmuan, që qëndruan përkrah burrave më fisnikë, më të dashur e më bujarë — banorëve të Gazës.
Nëse bie dëshmor, dijeni se nuk kam humbur…
Unë jam tani në xhenet, me shokët e mi që më kanë paraprirë,
me Anesin, Ismailin dhe të gjithë të dashurit që e mbajtën fjalën e dhënë ndaj Allahut.
Ju porosis të më kujtoni në lutjet tuaja, dhe të vazhdoni rrugën pas meje.
Më kujtoni me lëmosha të vazhdueshme, dhe përmendni emrin tim sa herë të dëgjoni ezanin apo të shihni dritën që çan natën e Gazës.
Ju porosis për qëndresën…
Për rrugën që kemi ndjekur, për parimin që kemi besuar.
Sepse nuk kemi njohur tjetër rrugë për veten tonë, as nuk kemi gjetur kuptim për jetën veçse në qëndrueshmëri në të.
Ju porosis për babanë tim…
Të dashurin e zemrës sime dhe shembullin tim, atë në të cilin shihja veten dhe ai shihte veten tek unë… Ti që më qëndrove pranë në kohët më të vështira të luftës… Lus Allahun që të takohemi në xhenet, e ti të jesh i kënaqur me mua, o kurora e kokës sime.
Ju porosis për vëllain dhe mësuesin tim, shokun tim të rrugës, Naxhin. O Naxhi, unë të kam paraprirë tek Allahu para se të dalësh nga burgu. Dije se ky është një caktim i shkruar nga Zoti, dhe se mall për ty më mbush shpirtin. Do të doja të të shihja, të të përqafoja, të takoheshim… por premtimi i Zotit është i vërtetë, dhe takimi ynë në xhenet është më afër se ç’mendon.
Ju porosis për nënën time… O nënë, jeta pa ty nuk ka asnjë kuptim. Ti ishe lutja që s’u ndërpre kurrë, dëshira që s’vdes kurrë.
Luta Zotin të të shërojë dhe të të japë shëndet, dhe shpesh kam ëndërruar të të shoh teksa udhëton për t’u kuruar e të kthehesh me buzëqeshje.
Ju porosis për vëllezërit e motrat e mia… Kënaqësia e Zotit dhe kënaqësia juaj është synimi im. Lus Allahun t’ju bëjë të lumtur dhe t’ju japë jetë të mirë, ashtu siç janë të pastra dhe të buta zemrat tuaja, për të cilat gjithmonë jam munduar të jem burim gëzimi.
Kam thënë gjithmonë: Fjala nuk bie, as imazhi nuk shuhet. Fjala është amanet, dhe fotografia është mesazh.
Mbajeni këtë amanet dhe dërgojeni mesazhin në botë, ashtu siç e mbajtëm ne.
Mos mendoni se dëshmia ime është fundi — ajo është fillimi i një rruge të gjatë drejt lirisë. Unë jam lajmëtar i një mesazhi që dëshirova të arrijë te bota, te bota që mbyll sytë dhe te ata që heshtin përballë së vërtetës.
Nëse dëgjoni lajmin tim, mos qani për mua. E kam dëshiruar këtë moment për një kohë të gjatë, dhe e kam lutur Zotin të ma dhurojë atë. Falënderimi i qoftë Allahut që më zgjodhi për atë që dua.
Dhe për të gjithë ata që më kanë fyer, sharë apo shpifur kundër meje gjatë jetës sime, u them: Ja ku po shkoj te Zoti im, si dëshmor me lejen e Tij, dhe tek Allahu do të mblidhen të gjitha palët.
Ju porosis për Palestinën… për xhaminë Al-Aksa.
Ishte dëshira ime të arrij në oborrin e saj, të falem në të, të prek tokën e saj. Nëse nuk arrita ta bëj këtë në dynja,
lus Allahun të na mbledhë të gjithëve në xhenetet e përjetshme pranë saj.
O Allah, më prano ndër dëshmorët, më fal mëkatet e kaluara dhe të ardhshme, dhe bëje gjakun tim dritë që ndriçon rrugën e lirisë për popullin dhe familjen time.
Më falni nëse kam gabuar, dhe lutuni për mëshirën dhe faljen time, sepse kam ecur në rrugën e dhënë, pa ndryshuar dhe pa u lëkundur.
Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju.
Vëllai juaj, dëshmori – me lejen e Allahut,
Saleh Amer Fuad al-Ja’frawi
12 tetor 2025
Ky është testamenti që i dashuri Saleh porositi të publikohej pas rënies së tij dëshmor.
Administruesi i faqes së tij.
/mesazhi
