Ballina Lajmet Kosovë “Gazi i Vdekjes” në QKUK, ky është aktvendimi i gjykatës për paraburgim...

“Gazi i Vdekjes” në QKUK, ky është aktvendimi i gjykatës për paraburgim për të dyshuarin

Naser Gurri, pronar i kompanisë ‘Bubebari Komerce’, dyshohet se ka bërë prodhim të palicensuar të gazit medicinal duke shkaktuar vdekje zinxhirore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit Naser Gurrit, pronar i kompanisë ‘Bubeari Komerce ‘ që e furnizoi QKUK-në me gazin që prokuroria pretendon të jetë shkaktar i vdekjes së tre pacientëve.

KALLXO.com shkruan se ka siguruar aktvendimin e gjykatës ku cilësohet si e bazuar kërkesa e prokurorisë për paraburgim 30 ditësh ndaj Gurrit.

Gurri është i dyshuar për veprën ‘Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’ pasi sipas prokurorisë, ai ka prodhuar dhe ka vënë në qarkullim produktin mjekësor, respektivisht gazin medicinal të llojit Oksidul pa e bërë kontrollin e nevojshëm nga personi apo enti i autorizuar.

Në arsyetimin e kërkimit të masës së paraburgimit prokuroria deklaron se kjo kompani megjithëse kishte marrë obligim që të importojë gazin nga Maqedonia, ajo ka bërë prodhim vetanak pa pasur licencë për prodhim të produktit të tillë.

“Sipas hetimeve preliminare të kryera, ka rrjedhë se si rezultat i përdorimit të këtij gazi nëpër klinikat e QKUK-së ka ardhur tek vdekjet e dyshimta të të dëmtuarve, tani të ndjerë Sh.K, K.B, A.Z…”, thuhet në deklaratën e prokurorisë.

Në anën tjetër, Gurri dhe mbrojtja e tij janë deklaruar se ka prova që hedhin poshtë pretendimet se gazi ka qenë shkaktar direkt i vdekjeve për të cilat po dyshohet ai.

Muhamet Shala, avokat mbrojtës i Gurrit, ka renditur disa nga dyshimet e tyre që hedhin poshtë pretendimet e prokurorisë mbi shkaktarin e vdekjeve.

“Është me rëndësi të posaçme të theksohet edhe një fakt vendimtar në këtë çështje juridike sepse në të njëjtën ditë kur ka ndodhur vdekja e tre pacientëve në atë sallë kanë qenë të pranishëm edhe pesë praktikantë, mjekë të cilët kanë qenë të kyçur me angazhime të ndryshme…. që mund të dyshohet se mund të rezultojë me ndonjë keqpërdorim eventual të padëshiruar… dhe shkaktimin e sëmundjes apo vdekjes së pacientit”, ka thënë Shala.

Rreth vdekjeve të dyshimta në fillim të muajit shtator, kishte reaguar edhe Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Exit mobile version