Ballina Lajmet Gilmour: Vazhdon spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit

Gilmour: Vazhdon spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit

Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut, Andrew Gilmour tha se “Vazhdon spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas artikullit të gazetës “National Herald” bëhet e ditur se Gilmour, ka vizituar kampet ku qëndrojnë muslimanët e Arakanit në qytetin Cox’s Bazar të Bangladeshit.

Pasi ka vënë në dukje se të paktën 700 mijë muslimanë të Arakanit kanë shkuar në Bangladesh që nga 25 gushti 2017, kur rifilloi dhuna në Arakan, Gilmour tha se “Spastrimi etnik ndaj muslimanëve në Arakan vazhdon”.

“Vërehet se vazhdon dhuna sistematike dhe e përhapur kundër muslimanëve të Arakanit”, theksoi Gilmour, duke tërhequr vëmendjen pavarësisht zvogëlimit të ngjarjeve të dhunshme në Arakan, vazhdojnë ende krimet, përdhunimet, torturat, rrëmbimet dhe uria.

Duke potencuar marrëveshjen e nënshkruar mes qeverive të Bangladeshit dhe Mianmarit për rikthimin e muslimanëve të Arakanit në territoret e tyre, ai vuri në pikëpyetje deklaratën e qeverisë së Mianmarit se është e gatshme për rikthimin e këtyre njerëzve ndërkohë që vazhdon ende persekutimi ndaj muslimanëve të Arakanit.

“Natyrisht, në rrethanat e tanishme është e pamundur që muslimanët e Arakanit të kthehen në shtëpi në mënyrë të sigurtë, dinjitoze dhe të përhershme”, tha Gilmour.

– Kriza e muslimanëve të Arakanit

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga OKB-ja, 688 mijë muslimanë të Arakanit janë strehuar në Bangladesh që nga 25 gushti i vitit të kaluar, si pasojë e dhunës në Mianmar. Supozohet se në vitet e 70-ta në Arakan kanë jetuar afro dy milionë muslimanë ndërsa për shkak të ikjes nga sulmet sistematike, ky numër është zvogëluar nën 300 mijë.

Sipas pamjeve satelitore të publikuara nga organizatat për të drejtat e njeriut, në rajon janë djegur mbi 350 fshatra të muslimanëve.

Qeveria e Mianmariit dhe Bangladeshit më 23 nëntor 2017 nënshkruan një marrëveshje për rikthimin e muslimanëve të Arakanit në territoret e tyre. Sipas marrëveshjes, personat që dëshirojnë të rikthehen në Mianmar janë të detyruar që të paraqesin dokument se kanë jetuar në Mianmar para se të kalonin në Bangladesh, por për muslimanët e Arakanit përbën një problem se ata nuk janë të regjistruar në Mianmar për shkak se në vitin 1982 atyre iu hoqën të drejtat e shtetësisë.

Ndërkaq, theksohet se duhet të kalojnë në një proces “miratimi” nga qeveria e Mianmarit edhe dokumentet e dhëna nga OKB-ja për muslimanët e Arakanit që kanë kaluar në Bangladesh.

Kthimi i muslimanëve të Arakanit në shtëpitë e tyre duhej të fillonte brenda dy muajve nga nënshkrimi i marrëveshjes, por më pas u njoftua shtyrja e procesit dhe që nga ajo ditë nuk ka patur ndonjë rikthim.

Exit mobile version