Analisti: Ja si po mban peng botën për t’i shpëtuar burgut…
Pas vizitës së tij në SHBA në fillim të këtij viti dhe sigurimit të mbështetjes nga administrata Trump, Benjamin Netanyahu është kthyer në Izrael me një objektiv të qartë: mbajtjen e Gazës në një gjendje paqëndrueshmërie të përhershme.
Sipas analistit të njohur të çështjeve të Lindjes së Mesme, Remzi Barud, lufta nuk është më thjesht një operacion ushtarak, por një mjet për të arritur qëllime më të gjera politike dhe ideologjike. Sipas tij, gjashtë janë arsyet kryesore pse Netanyahu po e zgjat konfliktin:
Basti me spastrimin etnik: Netanyahu shpreson se kolapsi i plotë humanitar do ta bëjë opinionin ndërkombëtar më “pranues” ndaj idesë së dëbimit të palestinezëve nga Gaza drejt Sinait apo gjetkë, duke e mbajtur këtë opsion si një zgjidhje finale në tavolinë.
Pushtimi i heshtur i Bregut Perëndimor: Lufta në Gaza shërben si një “maskë” e përsosur. Ndërsa sytë e botës janë te bombardimet në jug, Izraeli ka përshpejtuar zgjerimin e kolonive dhe aneksimin de facto në Bregun Perëndimor me shumë pak vëzhgim ndërkombëtar.
Mbijetesa politike dhe shtyrja e llogaridhënies publike: Gjendja e jashtëzakonshme i lejon Netanyahut të shmangë hetimet për dështimet e 7 tetorit 2023. Për sa kohë ka luftë, ai mund të paralizojë opozitën dhe ta paraqesë veten si garantuesin e vetëm të sigurisë kombëtare.
Shmangia e zgjidhjes politike të konfliktit: Mbyllja e “dosjes së Gazës” do të sillte një presion të menjëhershëm për një zgjidhje me dy shtete. Netanyahu e konsideron çdo proces paqeje si antitezën e karrierës së tij politike.
Vizioni i “Izraelit të Madh”: Baroud argumenton se Gaza është vetëm hapi i parë. Lufta po përdoret si pretekst për të riformatuar rajonin dhe për të ndjekur projektin ideologjik të “Izraelit të Madh”, duke u shtrirë potencialisht drejt Libanit dhe Sirisë.
Mburoja ligjore: Përfundimi i luftës do të thoshte rikthim në sallat e gjyqeve për akuzat e korrupsionit që rëndojnë mbi të. Vazhdimi i konfliktit, e lejon ekipin e tij ligjor të përdorë vazhdimisht “sigurinë kombëtare” si arsye për të shtyrë seancat gjyqësore.
Është një dështim moral që komuniteti ndërkombëtar, vazhdon të angazhohet me një udhëheqës ndaj të cilit Haga ka lëshuar mandat arresti për krime lufte. Ky trajtim legjitimon një lider që e sakrifikon stabilitetin rajonal dhe paqen globale vetëm për t’i shpëtuar llogaridhënies para ligjit. /tesheshi
