Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Gjashtë të vrarë brenda javës, ç’po bën vaki në Bullgari?

Gjashtë të vrarë brenda javës, ç’po bën vaki në Bullgari?

Vrasje të trefishta, ndërtesa të djegura dhe një djalë 15-vjeçar i gjetur pa jetë në një kamper

Një mjegull e dendur misteri dhe vdekjeje ka mbuluar malet e Bullgarisë Perëndimore, pranë kufirit me Serbinë, duke krijuar një skenar që ngjan më shumë me episodet e famshme të serialit të David Lynch, Twin Peaks, sesa me realitetin e një shteti modern.

Brenda vetëm një jave, gjashtë persona janë gjetur të vdekur në dy skena të ndryshme krimi, duke i lënë autoritetet të pafuqishme përballë një vale teorish konspirative që variojnë nga hakmarrja e mafies së kontrabandës së druve deri tek rrjetet e pedofilisë.

Gjithçka nisi më 2 shkurt, kur policia iu përgjigj një thirrjeje për zjarr në një shtëpi malore në zonën e Petrohanit. Skena që gjetën ishte tronditëse: jashtë ndërtesës që po digjej, tre burra ishin ekzekutuar me plumba në kokë nga një distancë e afërt.

Viktimat ishin pjesë e një OJQ-je të quajtur “Agjencia e Monitorimit të Zonave të Mbrojtura”, e cila kontrollonte pyjet me drone kundër gjuetisë dhe prerjes së paligjshme të pemëve. Detaji më i tmerrshëm ishte renditja e trupave në rresht, një shenjë që sugjeron një ekzekutim profesional dhe të ftohtë nga vrasës që nuk kanë lënë gjurmë.

Më 9 shkurt, pikërisht një javë pas masakrës së parë, drama u zhvendos në fshatin Vraca. Në një kamper u gjetën të vdekur tre persona të tjerë, dy të rritur (anëtarë të të njëjtës OJQ) dhe një djalë 15-vjeçar.

Policia ka hedhur dyshime për një “vrasje-vetëvrasje” ose vetëvrasje masive, duke qenë se viktimat e kamperit ishin personat që kërkoheshin në lidhje me rastin e parë. Megjithatë, mungesa e gjurmëve të përleshjes dhe profili i viktimave, ka nxitur dyshime të mëdha mbi këtë version zyrtar.

Mungesa e informacionit nga policia, ka ushqyer teori të shumta. Një nga pistat kryesore është hakmarrja e “mafies së drurit”. Sipas politikanëve të opozitës dhe kryebashkiakut të Sofjes, viktimat mund të jenë eliminuar sepse kishin zbuluar aktivitete të paligjshme të gjuetarëve ose grupeve kriminale që bashkëpunojnë me politikanë lokalë.

OJQ-ja vepronte si një grup “rojesh pylli të vetëshpallur”, duke patrulluar zona ku shteti nuk arrinte. Nga ana tjetër, një hije e errët ka rënë mbi Ivaylo Kalushev, një nga të vdekurit e kamperit. Besimtar i Budizmit dhe praktikave “New Age”, Kalushev akuzohej në media për organizimin e udhëtimeve të dyshimta me të mitur në Meksikë.

Kjo ka nxitur aludime për një rrjet pedofilie, edhe pse prindërit e djemve që udhëtonin me të kanë dalë në mbrojtje të tij, duke e quajtur atë një mentor shpirtëror. Prokurori i Përgjithshëm e ka pranuar se realiteti është “më tronditës se sa seriali Twin Peaks”, por policia ende nuk ka sqaruar llojin e armëve të përdorura apo fatin e pamjeve filmike të marrë nga kamerat e OJQ-së.

Ndërsa Bullgaria kërkon përgjigje, pyetja mbetet: A ishin këta njerëz idealistë që ranë në pritën e mafies, apo viktima të një rrjeti më të ndërlikuar gjakmarrjeje që shtrihet thellë në malet e Ballkanit? /tesheshi

Exit mobile version