Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Gjashtëvjetori i “Revolucionit të 25 Janarit” në Egjipt

Gjashtëvjetori i “Revolucionit të 25 Janarit” në Egjipt

Kanë kaluar gjashtë vite nga revolucioni popullor që solli fundin e periudhës tridhjetë vjeçare të Hosni Mubarakut, ndërkohë që thuhet se edhe krahas të gjitha problemeve të ndodhura në këtë periudhë dhe grushtit të shtetit, revolucioni ka sjellë dobi të rëndësishme, siç është kufizimi i mandatit të presidentit të shtetit.

Akademikë dhe aktivistë të Egjiptit, kanë dhënë vlerësimet e tyre për Anadolu Agency (AA) në lidhje me atë se çfarë ka sjellë “Revolucioni i 25 Janarit” i popullit të Egjiptit, i cili si sot para gjashtë viteve ia hapi dyert regjimit demokratik duke i vërshuar rrugët.

Sipas ekspertëve, revolucioni i para gjashtë viteve i hijëzuar më pas nga puçi ushtarak i vitit 2013, edhe pse ende në kuptimin e plotë të fjalës nuk i ka arritur synimet kryesore për liri dhe jetë dinjitoze si rrjedhojë e tij, pas gjashtë viteve ka sjellë përfitime të rëndësishme për shtetin dhe shoqërinë.

Profesori i kushtetutës pranë Universitetit të Helvanit, Xhemal Xhibril, konsideron se përfitimi më i madh kushtetues pas Revolucionit të 25 Janarit është kufizimi i mandatit të presidentit.

“Në mënyrë kushtetuese, është larguar gjendja kur presidenti i shtetit ishte pa mandat të kufizuar. Kushtetuta e kufizoi mandatin e presidentit në katër vite. Një person mund të jetë president vetëm për dy mandate”, thotë Xhibril.

Në kushtetutën e Egjiptit më parë nuk kishte një rregullim që kufizonte kandidaturën presidenciale të një personi. Ndërkaq, në kushtetutën e pranuar pas revolucionit zuri vend paragrafi “Presidenti zgjidhet për katër vite. Mandati fillon një ditë pas përfundimit të detyrës së pararendësit. Një person nuk mund të zgjidhet president më shumë se dy mandate.

Kufizimi i gjendjes së jashtëzakonshme

Xhibril thekson se përfitimi i dytë më i madh i Revolucionit të 25 Janarit që mundësoi rrëzimin Mubarakut i cili kishte qeverisur vendin për 30 vite në gjendje të jashtëzakonshme, është se “rregullimi i gjendjes së jashtëzakonshme me kritere më të forta në krahasim me periudhat e mëparshme”.

Gjendja e jashtëzakonshme në Egjipt ishte shpallur fillimisht në qershor të vitit 1967 nga presidenti i atëhershëm Xhemal Abdunaser pas disfatës në luftën me Izraelin, ndërkohë që kishte vazhduar edhe gjatë periudhës së pasardhësit të tij Enver Sedat. Ndërkaq, edhe Hosni Mubarak, i cili mori detyrën e presidentit pasi Sedat humbi jetën si pasojë e një atentati më 1981, qeverisi vendin me ligjet e gjendjes së jashtëzakonshme për 30 vite.

“Kushtetuta e re”, dhurata më e madhe e revolucionit

Mahmud Hamza, aktivist politik egjiptian, nga ana tjetër është i mendimit se dhurata më e madhe që revolucioni ia ka dhuruar shtetit është kushtetuta e re e cila, sipas tij, i ka dhënë fund partneritetit mes qeverisë dhe kapitalit.

Në Egjjipt, i cili para revolucionit qeverisej me kushtetutën e vitit 1971, në vitin 2005 u bënë ndryshime në dy nene dhe u theksua se presidenti do të zgjidhet nga parlamenti, e jo me votë popullore. Atëkohë, vëzhguesit politikë kishin komentuar se këto ndryshime të Mubarakut janë bërë që të hapet rruga që i biri i vogël i Mubarakut, Xhemal, të bëhet presidenti i ardhshëm. Kjo gjendje, po ashtu, kishte nxitur reagime nga disa qarqe aktive në vend.

Kushtetuta në fjalë e vitit 1971 ishte shfuqizuar nga Këshilli i Lartë Ushtarak i cili mori qeverinë pas revolucionit, ndërsa në vitin 2012 u pranua kushtetuta e re. Pasi presidenti i parë i zgjedhur i Egjiptit Muhammed Mursi u përmbys me puç ushtarak, u bë Kushtetuta e vitit 2014 me disa ndryshime.

Rritjet në pagën minimale

Sipas Hamza, efekt tjetër pozitiv që është ndjerë në mënyrë direkte në shtet dhe veçanërisht në shoqëri janë ndryshimet në pagat minimale.

Semir Ridvan, ministri i Financave në qeverinë e parë të formuar pas Revolucionit të 25 Janarit, rriti për 250 paund egjiptianë pagën minimale e cila deri atëherë ishte 700 paund egjiptianë, ndërkohë që në periudhën e qeverisë së Hazim el-Biblavit në vitin 2013 paga minimale u ngrit në 1.200 paund egjiptianë.

Pjesëmarrja e popullit në politikë

Ndërkaq, Mustafa Kamil, ligjërues në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Kajros, vë në pah se një nga sukseset më të rëndësishme të revolucionit është rritja e interesimit të popullit egjiptian për politikë dhe guximi që e ka fituar në deklarimin e mendimeve.

Kamil thekson se ende nuk janë arritur në kuptimin e plotë synimet kryesore të revolucionit, konkretisht liria dhe jeta dinjitoze. Megjithatë, siç thotë ai, populli falë revolucionit ka treguar më shumë interes në politikë dhe është sjellë më guximshëm gjatë deklarimit të pikëpamjeve.

Ndërkaq, Hazem Hosni, politikolog tjetër nga i njëjti universitet, nënvizon se u ka sjellë njerëzve guxim për t’i deklaruar mendimet e tyre kur bëhet fjalë për ndryshime.

Ardhja në vend e gjërave në shoqërinë e Egjiptit

Hazem është i mendimit se edhe përkundër zhvillimeve aktuale negative, një dobi tjetër nga revolucioni është se gjërat kanë ardhur në vend të vet, pozicionet janë bërë të qarta dhe secili mund të shpreh mendimet personale.

Duke potencuar se ky rezultat pozitiv ka sjellë me vete edhe tolerancë politike, Hazem shprehet: “Keqvajtjet në disa institucione dolën në shesh me Revolucionin e 25 Janarit, mirëpo, nuk ndodhi asnjë zhvillim pozitiv në lidhje me lirinë, drejtësinë, socialitetin dhe dinjitetin. Megjithatë, ky është një proces historik dhe kërkon kohë”.

U fitua e drejta për të protestuar

Amr Hashim Rabi, zv/kryetar i Qendrës për Hulumtime Politike dhe Strategjike Ahram, thotë se me Revolucionin e 25 Janarit populli ka fituar të drejtën për të protestuar dhe deklarimit të mendimeve.

“Protestat përmbysën Mubarakun. Kjo e drejtë u mor nga një regjim autoritar. Pas revolucionit u miratua ligji për të drejtën e protestimit dhe kjo u bë një e drejtë ligjore”, vlerëson Rabi.

Ndryshe, protestat masive që filluan në Egjipt më 25 janar të vitit 2011 rezultuan me revolucion popullor dhe më 11 shkurt përfundoi duke i dhënë fund detyrës së Hosni Mubarakut i cili mbajti pushtetin për 30 vite.

Exit mobile version